Vllaznia prish mallkimin në Vlorë, mund Flamurtarin pas 9 vitesh

Nov 25, 2016 | 20:12
SHPËRNDAJE

Vllaznia befason Flamurtarin në shtëpi, duke e mposhtur 1-0 në takimin hapës të javës së 12-të të Kategorisë Superiore. Dueli në Vlorë u vendos nga një gol me kokë i qendërmbrojtësit malazez Stefan Cicmil në minutën e 37-të.

Kështu shkodranët thyejë mallkimin nëntëvjeçar pa fituar në Vlorë. Suksesi i fundit i kuqebluve datonte në sezonin 2006-2007 (0-2). Qysh atëherë, Flamurtari kishte fituar nëntë herë dhe barazuar një.

Suksesi i parë jashtë fushe e ngjit Vllazninë në kuotën e 15 pikëve. Kurse për Flamurtarin kjo është disfata e parë në shtëpi si dhe e para me Gentian Mezanin në stol. Kuqezinjtë mbeten të parafundit me vetëm 7 pikë.

Goli

Minutë pas minute

90+6′ Mbyllet me një karton të verdhë për kapitenin Bruno Telushi ndeshja. Vllaznia mund 1-0 Flamurtarin.

Halilaj i demtuar

90+3′ Argent Halilaj pëson një dëmtim në dukje të rëndë gjatë një rivënieje të topit në lojë. Portieri del me barrelë dhe vendin e tij e merr Frashëri.

90+2′ Përpjekjet e fundit të Flamurtarit për të shmangur humbjen. Danilo Alvesh tenton me të djathtën fluturimthi, por është i pasaktë.

89′ Armando Cungu e mbyll me zëvendësimet duke hedhur në lojë Denis Pjeshkën. Del Arlind Kalaja.

86′ Flamurtari bën ndërrimin e dytë: jashtë loje Balsha Radoviç, në vend të tij Rigers Dushku.

86′ Vendasit nuk i ndalin sulmet dhe krijojnë një tjetër rast me Ivan Galiçin. Kroati gjuan me kokë pas një krosimi nga e djathta, por gjuajtja e tij gjen të përgatitur portierin Agoviç.

85′ Mundësi e artë për Flamurtarin. Donjet Shkodra lëshon një të majtë të fuqishme nga distanca, e cila ndalet nga shtylla. Vlonjatët të pafat.


81′ Brunild Pepa ndërhyn në mënyrë të parregullt ndaj Bruno Telushit. Vlonjatët kërkojnë karton të verdhë, por nuk e mendon kështu edhe gjyqtari Olsi Sokoli.

78′ Zëvendësimi i dytë në kampin shkodran, me kroatin Ivor Vaicer që i lë vendin mbrojtësit Endri Vrapi.

70′-77′ Flamurtari përpiqet të zhvendosë lojën në mesfushën kundërshtare, por nuk arrin të shfrytëzojë goditjet e shumta standarde që fiton. Nga ana tjetër, Vllaznia luan kujdesshëm dhe provon të shfaqet e rrezikshme sapo i jepet rasti.

68′ Zeqiri lë fushën pas një dëmtimi në shpinë. Vendin e tij e merr kroati Ivan Galiç.

Idrizi-Gjyrezi

63′ Hair Zeqiri ndal një kundërsulm të rrezikshëm dhe ndëshkohet. Ky është kartoni i tretë i verdhë për mesfushorin, i cili humb takimin me Teutën në mesjavë.

63′ Armando Cungu bën lëvizjen e parë në stol duke futur Brunild Pepën në vend të Erald Çinarit.

55′ Danilo Alvesh dhuron spektakël me një kalim “alla brazilian” ndaj Markut, por topi i hedhur në zonë prej tij nuk shfrytëzohet nga lojtarët e Flamurtarit.


54′ Rniç ndërhyn ashpër ndaj Vaicerit nga prapa dhe arbitri Sokoli nuk ia kursen kartonin e verdhë. Shenja nervozismi te vlonjatët.

53′ Vllaznia shfaqet rrezikshëm në kundërsulm me Shtubinën, i cili kapet në pozicion jashtë loje.

53′ Flamurtari përpiqet të reagojë. Donjet Shkodra i beson të djathtës nga distanca, mirëpo gjuajtja e mesfushorit është krejt për t’u harruar.

52′ Ardit Shehaj ndërhyn me faull ndaj Olsi Gocajt dhe gjyqtari nuk e fal më, pasi ia numëron edhe disa faulle të mëparshëm. Karton i verdhë për mesfushorin e kuqezinjve, që bëhet i ndëshkuari i parë i ndeshjes.

46′ Nis pjesa e dytë, me të njëjtat formacione që mbyllën gjysmën e parë të lojës. Interesant është fakti që pushimi nuk ishte plot 15 minuta, por zgjati rreth 2-3 minuta më pak. Thuajse gjatë gjithë kësaj kohe, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka qëndruar i vetëm në stol dhe nuk i është bashkuar skuadrës në dhomat e zhveshjes.

Pjesa 1

Pjesa e parë

45+1′ Përfundon pjesa e parë me avantazhin e Vllaznisë 1-0.

38′-45′ Goli i ka tronditur vendasit, të cilët në këto minuta nuk kanë rrjedhshmëri në lojë.

Ndërkohë, kjo është "festa" e trajnerit Cungu pas golit

“Festa” e trajnerit Cungu pas golit

37′ GOL! Vllaznia në epërsi. Në të parën rast të rrezikshëm shkodranët gjejnë golin me malazezin Cicmil. Qendërmbrojtësi përfiton nga një përgjumje e mbrojtjes vendase dhe ndëshkon portierin Halilaj pas një krosimi nga e majta. Goditje si rrufe në qiell të hapur për formacionin vendas.


25′-32′ Flamurtari kontrollon lojën, por pa konkretizuar volumin e krijuar. Nga ana tjetër, miqtë nga Shkodra e kanë të vështirë të organizohen dhe shfaqen shumë rrallë në portën e vlonjatëve.

24′ Ardit Krymi pengon Donjet Shkodrën mbi vijën e zonës dhe arbitri jep faull. Gjithsesi, Flamurtari nuk e shfrytëzon këtë situatë, pasi mbrojtja e Vllaznisë largon rrezikun.


20′ Radoviç provon të depërtojë në zonë, por ndalet nga Bardulla në hyrje. Flamurtari proteston për faull, megjithatë për arbitrin është gjithçka e rregullt.

17′ Këmbëngulje e gjatë e kuqezinjve vendas, të cilët luajnë më mirë në këtë fillim të ndeshjes. Ata këmbëngulin me krosime nga krahët, por mbrojtja shkodrane e zgjidh situatën.

13′ Tjetër tentativë e formacionit vlonjat për të rrezikuar. Donjet Shkodra provon me të djathtën nga një goditje dënimi pranë zonës, por pa e shqetësuar portierin Agoviç i cili e shoqëron topin jashtë.

9′ Ardit Shehaj ndërhyn nga prapa ndaj Gocajt në mesfushë dhe rrezikon kartonin e verdhë, por gjyqtari e fal vetëm me një këshillim.

3′ Nuk vonon kundërpërgjja e Vllaznisë. Vaicer gjuan me të djathtën, mirëpo goditja e mesfushorit kroat shkon ngjitur me shtyllën.

2′ Vendasit e japin sinjalin e parë me Bruno Telushin. Mesfushori provon me të djathtën nga hyrja e zonës, por nuk gjen dot kuadratin e portës.

1′ Dëgjohet vërshëllima e gjyqtarit olsi Sokoli, topin e parë e luan Flamurtari.

Nis loja

Flamurtari 0 – 1 Vllaznia (Cicmil 37′)

Flamurtari (4-3-3): Halilaj (Frashëri 90+5′); Beqaj, Kuqi, Veliu, Rniç; Zeqiri (Galiç 68′), Telushi, Shkodra; Shehaj, Radoviç (Dushku 86′), Danilo Alvesh.
Trajner: Gentian Mezani

Vllaznia (4-2-3-1): Agoviç; Gocaj, Bicaj, Cicmil, Marku; Bardulla, Krymi; Çinari (Pepa 63′), Vaicer (Vrapi 78′), Kalaja (Pjeshka 89′); Shtubina.
Trajner: Armando Cungu

Gjyqtar: Olsi Sokoli

KV: Shehaj, Rniç, Zeqiri, Telushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura