VIDEO/ Bllokimi i godinës së FRD, shikoni momentet kur turma çan kordonin e Policisë Bashkiake! Futen me forcë në seli

Mar 12, 2021 | 15:59

UPDATE/Godina e Partisë Fryma e Re Demokratike është bërë sot “molla sherrit” e politikës dhe që krijoi një përplasje të fortë mes institucionit të Presidentit dhe Bashkisë së Tiranës.

Pas ndërhyrjes së kreut të shtetit, Ilir Meta dhe konfrontimit me efektivët e Bashkisë së Tiranës, situata mbeti pa një zgjidhje përfundimtare.

Përkrahësit e opozitës janë grumbulluar para selisë së FRD-së, duke ndihmuar fillimisht kryetarin Sali Shehi që të futet ne zyrë.

Ndërkohë që më pas turma ka shtyrë me forcë efektivët e Bashkisë së Tiranës, duke çarë në këtë mënyrë kordonin e efekteve.

Këtij aksioni iu bashkua dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha si dhe aleatët e FRD, LSI, të cilët kanë dënuar dhunën ndaj Frymës së Re Demokratike.

 

ZHVILLIMET MINUTE PAS MINUTE

Ora 15:41 Mbërrin në selinë e FRD-së edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ora 15:39 Përkrahësit e LSI dhe LRI kanë hyrë në ambientet e godinës me forcë duke çarë turmën e policëve bashkiakë.

Ora 15:36 Gazetari i Panorama.al, Mariglen Kume raporton se para godinës së Frymës së Re Demokratike janë grumbulluar disa përkrahës të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe LRI. Mes tyre ndodhet edhe nenkryetaret e LSI-se, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho.

Mes tyre ka rënë në sy dhe prania e djalit të Presidentit, Besart Meta i cili i është bashkuar grupit të të rinjve.

Ora 15:32 Gazetari i Panorama.al raporton se godina mbetet ende e bllokuar, ndërkohë që brenda saj ndodhen ende efektivët e Policisë Bashkiake, të cilët nuk janë tërhequr nga ky objekt.

Ndërkohë që kryetari I FRD-së, Sali Shehu dhe drejtuesit e tjerë të kësaj force politike pas largimit të Presidentit ndodhën sërish jashtë godinës, por janë fotografuar në ambientet e një kafeneje afër zyrtareve të kësaj partie.

© Panorama.al

Te lidhura