VENDIMI/ “Check-up” falas, shtohen përfituesit nga 35-70 vjeç

Oct 22, 2016 | 8:37
SHPËRNDAJE

Rritet numri i qytetarëve që mund të bëjnë një herë në vit kontrollin e plotë shëndetësor pa pagesë.

Ilir-Beqaj-1

Me një vendim të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, qeveria ka zgjeruar bazën e përfituesve nga 40-65 vjeç në 35-70 vjeç, të cilët mund të kryejnë të gjitha analizat mjekësore pranë qendrave shëndetësore.

“Të gjithë shtetasit e grupmoshës 35-70 vjeç, me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë pa pagesë nga programi kombëtar i kontrollit mjekësor bazë. Identifikimi i shtetasve të grupmoshës 35-70 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë realizohet nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik, që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore”, thuhet në vendimin e ndryshuar të qeverisë.

Përveç saj, në paketën e plotë të kontrollit shëndetësor janë shtuar edhe dy analiza të reja që kanë të bëjnë me funksionimin e veshkave: urea dhe kreatinina. Kontrolli mjekësor bazë, apo siç njihet tashmë ‘checkup’- i, është një program kombëtar që ka nisur zbatimin prej më shumë se dy vitesh, duke u fokusuar fillimisht në shëndetin e popullatës në moshë të mesme, nga 40-65 vjeç.

Paketa e kontrollit përfshin një grup analizash që kanë të bëjnë me ushqyerjen, tensionin, nivelin e stresit a depresionit, atë të sheqerit në gjak, aktivitetin e zemrës, e shumë të tjera. Këto analiza kryhen pranë qendrave shëndetësore nën mbikëqyrjen e mjekut të familjes, i cili i njofton ata për kontrollin periodik vjetor.

Qëllimi i tyre është depistimi dhe kurimi në fazë të hershme. Tashmë, nga muaji i ardhshëm, këtë kontroll do të mund të bëjnë edhe të rinj mbi 35 vjeç, si dhe disa pensionistë deri në të shtatëdhjetat.

Nëpërmjet depistimit të kësaj grupmoshe do të hartohen të dhënat e reja për nivelin e sëmundshmërisë te 35-70-vjeçarët. Pas zgjerimit të bazës së përfituesve, synimi i Ministrisë së Shëndetësisë, i shprehur që në krye të herës, ështëmbulimi universal.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura