Veliaj u përgjigjet protestuesve: Boll qyl 28 vjet, nuk ndalemi. Ofrojmë bonus qiraje

Nov 13, 2018 | 12:45
SHPËRNDAJE

Kreu i bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj u ka dhënë përgjigje të prerë banorëve protestues që preken nga ndërtimi te Unaza e Re, duke deklaruar prerë se kush nuk ka letra, boll hëngri qyl 28 vjet.

veliaj

Bashkia e Tiranës do të ofrojë 3 vite bonus qiraje për të gjithë ato familje që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe në segmentin nga fabrika e miellit deri te dogana. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion veliaj në një komunikim me mediat ka konfirmuar se familjet që preken nga ky projekt do të trajtohen nga programet sociale, duke iu siguruar fillimisht bonus qiraje për tre vite.

“Për të gjithë ata qytetarë do të ketë trajtim edhe më të mirë se po i njëjti segment nga Fabbrika e Miellit deri te TEG-u, që është ajo e Komunës së Parisit. Kemi ofruar si bashki e TIranës 3 vite qira, për ata që s’kanë asnjë letër, ta themi troç, që kanë zaptuar tokën e dikujt tjetër, jo tokën e tyre. Erdhën në Tiranë dhe zaptuan tokën e dikujt, në gjurmën e unazës. Ka qenë 2 vite ne do e bëjmë 3”, tha Veliaj.

Veliaj ne Bashki

Ai u shpreh se ky është një projekt që do të lehtësojë trafikun në një nga segmentet më problematike të Tiranës. “Një qytet që ka forca politike dhe grupime që shqyejnë veten e tyre është një qytet pa të ardhme. Unë jam i vendosur që ky qytet ka të ardhme, pse, sepse 99.9 % e njerëzve duan shtet, duan ligj, nuk sulmojnë, nuk hanë veten e tyre, nuk shqyejnë veten e tyre. Kështu që për të gjitha partitë politike që merren me këtë lloj pune them që sot keni humbur pikë. 99.9 % e njerëzve do drejtësi, do t’i lirohet trafiku, do të mos i bllokohen rrugë, do që të mos i marrë 40 minuta hyrja-dalja në Tiranë, do që qyteti të zhvillohet, të modernizohet. Ky qytet, ky qytet që merr çmime sot”, tha Veliaj.

veliaj erion

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se qytetarët e kanë ditur që aty ishte gjurma ku do kalonte Unaza e madhe, pasi ka qenë projektuar që në vitin 1989 që në kohën e Adil Çarçanit. “Dihej që në kohën e Adil Çarçanit, shumë prej jush keni lindur pas Adil Çarçanit, nuk e dini fare për kë po flas, por që në kohën e tij këtu kalon rruga, këtu është bulevardi, këtu është Lana, këtu është Liqeni. Ishin po të njëjtët njerëz”, u shpreh Veliaj.

 Ai tha se qytetarët dua që Unaza e madhe të zgjerohet dhe trafiku të çlirohet. “Fatmirësisht shumica e qytetarëve do që unaza të bëhet. Mjafton të pyesni qytetarët që janë sot te Bulevardi i Ri dhe të shikoni çfarë mrekullie ka dalë bulevardi i ri për qytetin dhe si po zhvillohet Tirana aty. Ishte po e njëjta parti me këtë stilin shpellar, dhuno, prish, blloko, jo po s’duam, jo po mos e prek. Ja ku është sot bulevardi. Kush do dëshmi mjafton të bëjë rrugën nga TEG te Fabrika e Miellit për 3 minuta. Pyesni njerëzit te Komuna e Parisit, pyesni njerëzit te Liqeni i Thatë, pyesni njerëzit në farkë dhe në Lundër, pyesni njerëzit që shkojnë në të gjithë pjesën juglindore të Shqipërisë për të dalë në Elbasan”, tha Veliaj.

Ai u shpreh i sigurt se në fund të këtij debati në fund do fitojë qyteti dhe civilizimi. “A nuk ishte e njëjta skemë, një film që ne e kemi parë? Ne e kemi parë këtë film. Unë e kuptoj, ndodhi ky film për herë të parë sot dhe s’po e dimë, por ne e kemi parë këtë film dhe ky film përfundon me fitoren e qytetit. Ky film përfundon me fitoren e njerëzve të mirë, të drejtë që s’kanë zaptuar, që paguajnë taksat, që duan rendin, që respektojnë uniformën, që dinë të thonë faleminderit, që nuk shqyejnë se nuk vijnë nga shpellat po respektojnë qytetin, kodi ynë i përbashkët, stofi që na lidh me njëri-tjetrin”, u shpreh Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura