Uji i Ftohtë në Vlorë, Shëndeti Publik: I pisët, mos e konsumoni!

Mar 27, 2013 | 11:56
SHPËRNDAJE
Burimi i Ujit të Ftohtë në Vlorë

VLORE – Burimi i Ujit të Ftohtë në Vlorë është i papastër. Uji ka përmbajtje të lartë bakteriologjike dhe konsumatorët e tij janë të rrezikuar nga infeksionet. Këtë fakt e bënë të ditur dje specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë. Ata ishin dje te burimi nga ku do t’i ribëjnë analizat ujit. Sipas tyre, janë kryer disa herë analizat në këtë burim dhe ka rezultuar se ka shkallë të lartë bakteriologjike. Ata sugjerojnë që ky ujë të mos konsumohet nga qytetarët. Këta të fundit, duke menduar se po mbushin ujë të pastër, kanë braktisur çezmat e tyre. Por specialistët konfirmojnë të kundërtën, pasi sipas tyre uji në çezmat e qytetarëve është i testuar dhe rezulton që nuk ka ndotje në të. Në burimin e Ujit të Ftohtë që ndodhet rrëzë tunelit të Vlorës, sheh mjaft qytetarë me bidonë në duar. Por ndërtimet e pas viteve ’90, gropat septike, si dhe mbetjet e gjësë së gjallë, e kanë ndotur burimin duke e kthyer atë në të rrezikshëm për konsumatorin. Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Leonard Sinani, u shpreh se kjo gjendje është e mbartur ndër vite dhe është pasojë e ndërtimeve pa leje në këtë zonë. Sipas tij, duke iu referuar analizave që kryhen rregullisht në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit, rezulton se nuk ka asnjë problem në depot dhe tunelet e burimeve të ujit që furnizohet qyteti dhe se uji i çezmave është tërësisht i pastër dhe brenda normave të lejuara për konsum. Prej muajit nëntor të vitit 2009, Burimi i Ujit të Ftohtë në bregdetin e Vlorës ka marrë një status të veçantë dhe, për çdo investim që do të kryhet në këtë hapësirë, parashikohen procedura të posaçme. Kjo pjesë e bregdetit ka marrë statusin “Zonë e Mbrojtjes Emergjente”, gjë që është realizuar përmes një vendimi të këshillit të basenit ujëmbledhës, për shkak se është vlerësuar si një domosdoshmëri.                      q.b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura