Tuneli te “Uji i ftohtë” në Vlorë, 620 mijë USD për zgjerimin

Jul 5, 2011 | 10:57
SHPËRNDAJE

Në këtë vrull ndërtimesh tunelesh qeveria ka vendosur që të zgjerojë edhe tunelin që ndodhet tek Uji i Ftohtë në Vlorë, një tunel ky relativisht i shkurtër, por i vendosur në një nga zonat me më shumë trafik të vendit, sidomos në verë. Tashmë tenderi është zhvilluar dhe është shpallur edhe fituesi, i cili do ta bëjë këtë tunel me dy kalime nga një që është aktualisht. Fondi limit që Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve kishte vendosur në dispozicion të rikonstruksionit të rrugës dhe zgjerimit të tunelit të Ujit të ftohtë në Vlorë ishte 710 mijë dollarë, ndërkohë që kompania që ka fituar tenderin ka bërë ofertën 620 mijë dollarë, pra 90 mijë dollarë më pak. Zgjerimi i tunelit të Ujit të Ftohtë në Vlorë do të ndikojë direkt në trafikun që krijohet në sezonin e verës në rrugën që të çon drejt Jugut. Fakti që ky tunel është vetëm një kalimësh, krijon trafik të rënduar, i cili në disa raste shkon me kilometra të tërë, për shkak të dyndjes së makinave dhe pushuesve në bregdet. Aksi nga Vlora te tuneli dhe më gjerë prej vitesh është problematik, pasi qytetarët mund të kalojnë me orë të tëra të mbetur në trafik. Zgjerimi i tunelit është një nga zgjidhjet që do të ndikojë direkt në përmirësimin e trafikut që hyn dhe që del nga qyteti i Vlorës. Kompania fituese e tenderit tashmë do të nënshkruajë kontratën dhe do të fillojë menjëherë me rikonstruksionin e rrugës dhe zgjerimin e tunelit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura