Masakra e 26 shkurtit, Topalli: Të kërkohet falje

SHPËRNDAJE

Kryetarja e Kuvendit, Topalli

TIRANË- Ditë për të kërkuar falje e ka quajtur kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli 26 shkurtin, duke kujtuar masakrën e vitit 1951 dhe pushkatimeve që pasuan pas ngjarjes së bombës së Ambasadës Sovjetike.

Gjatë një interviste për Top Channel, Topalli theksoi se Kuvendi i Shqipërisë, këtë ngjarje e ka kujtuar edhe vite të tjera, duke shtuar se masakra e 26 shkurtit 1951 është një ditë që kërkon reflektim.

Ajo i ka bërë ftesë të gjithë atyre që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune, të kërkojnë të falur, pasi vetëm kur të kërkojmë të falur dhe të kemi një reflektim të thellë si shoqëri, ndoshta, do të jetë pak më i lehtë kujtimi i kësaj dite.

“Është një ditë kujtese, është një akuzë por është edhe një ditë ftese, për të kërkuar të falur. Është një ditë e dhimbshme, jo vetëm për familjarët e atyre që u pushkatuan pa ditur përse-në, pa avokat, pa prokuror, pa gjyq, pa vendim, thjeshtë sepse byroja politike kishte vendosur dhe se i duheshin disa të ekzekutuar. Në 100-vjetorin e Pavarësisë, të cilin unë e shikoj edhe si një përvjetor të një reflektimi të madh të shoqërisë shqiptare për të gjithë historinë tonë, kjo merr një vlerë reflektimi edhe më të lartë”- tha Topalli.

Kjo sipas saj, jo vetëm sepse u pushkatuan 22 intelektualë, kur Shqipëria ishte një ndër vendet më analfabete të Europës, jo vetëm se mes tyre u ekzekutua edhe një grua intelektuale, në moshë fare të re, thjeshtë sepse nuk pranonte komunizmin, sistemin e diktaturës, nuk pranonte që vendi jonë të drejtohej nga bandë kriminelësh, por edhe për faktin se, përsa kohë në vendin tonë nuk do të ketë ndjesë, kërkesë për falje, nuk do të ketë reflektim, 26 shkurti, do të mbetet thellë, një ngjarje e dhimbshme për shoqërinë, politikën, për median, për drejtësinë.

Topalli ka theksuar me tej se kjo ngjarje duhet të jetë një ditë kujtese për çdo shqiptar dhe s’ka lidhje me pozicionin e saj si Kryetare e Parlamentit, deputete apo qytetare e thjeshtë. “Natyrisht, nuk është vetëm kjo ngjarje, ne do kujtojmë edhe përvjetorin e pushkatimit të grupit të deputetëve të vitit ’46. Ishin burra që e donin vendin, donin lirinë, donin vlerat e perëndimit. Në këtë 100-vjetor, sigurisht që reflektimi merr një vlerë më të madhe, për këtë ngjarje dhe për shumë ngjarje të tjera. Këtë reflektim, e bëj unë, e bëjnë kolegët e mi, besoj do e bëjë dhe media, dhe të gjithë ata që e duan në thellësi të shpirtit, lirinë dhe vlerat e perëndimit”- tha ajo.

Te lidhura

 

17 KOMENTET

Comments are closed.