Tjetër pabesi e Besës dhe e Ramës për studentët

Mar 1, 2020 | 13:19
SHPËRNDAJE

Luçiano Boçi

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

Nuk kanë fund vendimet arbitrare e mashtrimet e Ramës dhe të Besës ndaj studentëve, ndërsa propaganda fryhet çdo ditë. Sipas VKM 160, 19. 02. 2020 për fondin e ekselencës, asnjë student i shkëlqyer shqiptar nuk do të mbështetet më nga shteti i tij, në ciklin e parë të studimeve, bachelor, edhe nëse fiton të drejtën e studimit në një nga 15 universitetet më të mira të botës.

VKM 483, 16. 07. 2014 që i jepte këtë drejtë studentëve rrëzohet. Kjo do të thotë që maturantët që aplikojnë sivjet në këto universitetete, duhet të heqin dorë nga ëndrra e tyre për mbështetje financiare nga qeveria. Asnjë prej tyre nuk mund të shkojë më në Oksford, Harvard apo diku ku spikatja e shqiptarëve ka qenë shembullore.

Fondit qesharak për ekselentët i shtohet dhe ky përjashtim. Rama dhe Besa nuk duan. Fobia e tyre për elitat është e tmerrshme. Pallavrat e Paktit për Universitetin e pakteve të tjera, janë thjesht mashtrime. Investimi disavjeçar i studentëve dhe familjeve, talenti i tyre përçmohet dhe zhvlerësohet kështu sa hap e mbyll sytë, me një të rënë të lapsit, duke i mohuar studentëve një të drejtë kushtetuese.

Në pamundësi financiare, tani ata do detyrohen të zgjedhin universitete të dorës së dytë, ose diploma shqiptare që i nxisin të degdisen më pas jashtë vendit përgjithmonë.
Ekselenca e tyre zhbëhet. Talenti i tyre shuhet përgjithmonë. Investimi i tyre zerohet.

Ne shdërrohemi në vendin ekzemplar vrasës serial të elitave. Rama largon përgjithmonë ata që diplomohen këtu. Rama nxit të braktiset ky vend nga të rinjtë e të gjitha profesioneve. Rama përze pa kthim më të mirët, duke i mohuar mbështetjen. Rama dhe qeverisja e tij po e vrasin çdo ditë këtë vend. Shqipëria po fiket… Largimi i regjimit të pabesëve dhe kushtetutshkelësve është kryefjala e ditës!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura