Tirana, “mbretëresha” e Kupës

May 18, 2012 | 14:43
SHPËRNDAJE

Tirana dje pas fitores së Kupës

Skënderbeu humbet edhe finalen e katërt, vendos një gol i sulmuesit shkodran Bekim Bala.

Bardheblutë fitojnë trofeun e 15 duke iu bashkangjitur Partizanit.

Tirana fiton Kupën e Shqipërisë falë një goli të Bekim Balës shënuar në shtesën e dytë në përballjen e djeshme me Skënderbeun. Ky ishte edhe trofeu i 15-të i bardhebluve në historikun e këtij kompeticioni.
Nuk mjaftuan 90 minuta lojë për të nxjerrë fituesin e Kupës edhe këtë sezon, sikundër vjet. Por, në minutën e dytë të shtesës së dytë ishte “koka” e Balës ajo që devijoi për në rrjetë një kros të Takut, i ardhur nga krahu i djathtë i sulmit bardheblu. Kaq u desh që Tirana e Rubios të mundte kampionët në fuqi, duke bërë kështu të vetin trofeun e dytë më të rëndësishëm në kampionatin shqiptar. Pjesa e parë e finales së kupës ka qenë me dy tablo. Në minutat e para kanë qenë më kërkues e të qartë taktikisht lojtarët e Skënderbeut, të cilët rrezikuan disa herë portën e Ilion Likës. Plaku ishte tepër i lëvizshëm, Muzaka merrte lehtësisht krahun, ashtu sikundër edhe Allmuça, çka u jepte mundësi korçarëve që të spostoheshin në gjysmëfushën e bardhebluve. Nga ana tjetër, mundohet të bëjë diçka Cikalleshi, një lojtar mjaft aktiv në veprimet individuale, por që mbeti i pashkrirë me lojën e skuadrës, disi larg mbështetjes edhe nga Bekim Bala. Por kalimi i minutës së 30-të solli një pamje tjetër në fushën e lojës. Tashmë janë bardheblutë, ata që marrin iniciativën, kontrollojnë e qarkullojnë më me saktësi e qartësi topin. Mesa duket ndryshimi në modulin e lojës dhe spostimi i lojtarëve në role të tjera, si pasojë e zëvendësimit të kapitenit Sina, i dëmtuar, kanë shërbyer për mirë. Karabeci është një fantazist në rritje graduale, që e përpunon me mjeshtëri topin, e mban sa duhet atë, për ta dhënë pastaj në formë të pasimeve të përpikta drejt dy sulmuesve, Bala dhe Cikalleshi. Si për ta vështirësuar lojën e korçarëve vjen edhe dëmtimi i Muzakës dhe nga ai moment kampionët shihen gjithnjë e më pak te zona e Likës. E njëjta pamje edhe në pjesën e dytë, ku Tirana krijon një volum të madh loje, por nuk ka rrezikshmërinë e duhur, ndërsa Skënderbeu i falet më së shumti goditjeve standarde me të cilat mundohet të “zgjojë” Likën. Në dy raste, me Xhafajn dhe më pas me Radasin, korçarët provuan nga jashtë zonës, por portieri i bardhebluve, i vëmendshëm, priti sferën. Ndërkohë, i pafat edhe Bratiç, i cili u dëmtua në tendinë njëlloj si Muzaka dhe në minutën e 60-të u zëvendësua nga Biskup. Kështu, tri zëvendësime të detyruara dje: 2 për korçarët dhe një për Tiranën, të cilat natyrisht reflektuan në lojën e të dyja skuadrave. Ndërkohë, Tirana me minutat që shkojnë drejt 90-s mundohet që të shikojë më shumë nga porta e Shehit, ku katalizator në thuajse të gjitha aksionet behët dyshja e mesfushës Taku-Karabeci. Bardheblutë kanë dy raste të bukura, fillimisht me Cikalleshin dhe më pas me Takun, por që të dyja goditjen neutralizohen nga portieri Orges Shehi. Madje bardheblutë shënojnë edhe një gol me Ferrajn, por më parë arbitri kishte vërshëllyer për pozicion jashtë loje të lojtarit të Tiranës, i cili dje luajti në rolin tipik të Gilman Likës (mungoi për shkak dëmtimi). Pas barazimit në lojë të rregullt, shkohet në shtesë dhe aty vjen dhe goli i Balës, i cili i dha trofeun e 15-të bardhebluve. Tanimë Tirana barazon Partizanin për sa u përket trofeve të kupës, të vetmet këto skuadra që kanë fituar kaq shumë.

Skeda
Tirana-Skënderbeu 1-0

Shënues: Bala 106’
Kartonë të verdhë: Ahmataj, I.Lika, Kalari, Pisha, Tushe, Bala/ Arapi, Allmuça, Kërçiku, Radas
Stadiumi: “Qemal Stafa”
Gjyqtarë: Lorenc Jemini/ D.Rexha dhe E.Barushi
Tirana: I.Lika, Sina (Tushe 25’, Dabulla 113’), Pisha, Dushku, Ahmataj (Duro 103’), Taku, Karabeci, Kalari, Ferraj, Cikalleshi, Bala. Trajner: Hulian Rubio
Skënderbeu: Shehi, Fagu, Radas, Gvozdenoviç, Arapi, Muzaka (Bratiç 39’, Biskup 60’), Shkëmbi (Kërçiku 91’), Orelesi, Allmuça, Plaku, Xhafaj. Trajner: Stanislav Levi

Basha: Fitoni dhe merrni 100 mijë euro!
Tirana nuk ka fituar dje vetëm trofeun e kupës, por edhe një shumë prej 100 mijë eurosh, të cilën e pat premtuar që më përpara kryebashkiaku Lulzim Basha. Ky i fundit nuk ka nguruar që të përsërisë dje para takimit me skuadrën të njëjtin premtim. “Ju kam thënë se do jap 100 mijë euro premio në fund të sezonit, mirë, atëherë fitoni këtë trofe dhe 100 mijë euro do jenë në xhepat tuaj”, mësohet t’u ketë thënë futbollistëve kryebashkiaku i Tiranës, njëkohësisht edhe presidenti i KF Tirana. Kështu, përveç 50 milionë lekëve që merren nga FSHF-ja (i merr klubi), lojtarët do marrin edhe shumën marramendëse.

Julian Ahmataj: Fitoi ndershmëria
Edhe pas fitores së djeshme të Kupës së Shqipërisë, Julian Ahmataj nuk ka kursyer thumbimet ndaj Skënderbeut. Sipas tij, kupën e fitoi skuadra që luajti më ndershëm gjatë gjithë kampionatit dhe ndoshta duhej të kishte marrë edhe titullin. “Mendoj se për atë që kemi dhënë këtë sezon në kampionat i meritonim që të dyja, si titullin kampion, edhe kupën. Kemi qenë një nga skuadrat që ka luajtur ndershëm dhe pa kompromise. Nëse të gjitha do kishin luajtur si ne, me gjasa Tirana do kishte marrë edhe titullin kampion. Gjithsesi, jam i gëzuar që të paktën sonte (dje) kurorëzuam një sezon mjaft të mirë”, tha Ahmataj.

Bala: I lumtur për golin e kupën
Sulmuesi i Tiranës, Bekim Bala, e pat premtuar që një ditë më parë se do të ishte ai që do të vendoste edhe sfidën e Kupës. Kështu edhe këtë herë, si vitin e shkuar në finalen e Superkupës në Korçë, një gol i Balës vulosi gjithë ndeshjen. “Jam shumë i lumtur që jo vetëm fituam kupën, por edhe shënova. Doja me patjetër që të ndihmoja skuadrën në këtë finale mjaft të rëndësishme për ne dhe më vjen mirë që arrita ta bëj një gjë të tillë. E ardhmja? Unë jam pjesë e Tiranës dhe do qëndroj te kjo skuadër edhe sezonin tjetër, për të ngritur trofeun e titullit kampion”, tha Bala.

Rubio: E merituam, tani dua një kontratë
Trajneri i Tiranës, Hulain Rubio, ka theksuar se skuadra e tij e meritoi trofeun e kupës. “Jam i sigurt se me atë që dhamë në fushë e merituam më shumë këtë trofe sesa Skënderbeu. Them se kjo skuadër ka dhënë më shumë nga ç’parashikohej këtë sezon, ndaj duhen lavdëruar të gjithë lojtarët. Rinovimi? Nuk e di, pasi nuk është totalisht në dorën time. Unë do dëshiroja që të qëndroja në këtë skuadër, por natyrisht dua që të kem pikë së pari garanci financiare dhe jo të njëjtat probleme që patëm këtë sezon. Them se vetëm kështu mundet që të qëndroj për të bërë një skuadër që vitin tjetër të mund të fitojë titullin kampion”, tha Rubio.

Shkëmbi: Gabuam, Tirana luajti më mirë
Kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, ka qenë i sinqertë në përfundim të takimit teksa ka vlerësuar lojën e kundërshtarit dhe për rrjedhojë edhe fitimin e titullit nga ky i fundit. “Duhet ta pranoj se Tirana luajti më mirë se ne. Pati më shumë raste për shënim dhe në pjesën e dytë na krijoi shumë probleme. Gjykoj se e meritoi më shumë se ne këtë titull, pasi Skënderbeu, në gjykimin tim, duhej të ishte treguar më kërkues. Të them të drejtën, në pjesën e parë patëm disa raste, por nuk i konkretizuam si duhet dhe kjo më pas na ndikoi në lojën tonë. Urime Tiranës, do kisha pasur dëshirë ta fitoja edhe kupën”, tha Shkëmbi.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura