Themie Thomai: Përplasjet e mia me Enverin dhe Mehmetin për Bujqësinë

Jul 3, 2011 | 10:24
SHPËRNDAJE

Flet ish-ministria e Bujqësisë në qeverinë e Enver Hoxhës. Si erdhi nga Këmishtaj e Lushnjës në Tiranë. Drejtimi për 13 vjet i një prej dikastereve më jetikë për kohën. Përplasjet me pushtetin qendror dhe marrëdhënia me zonjat e ish-Bllokut. Vdekja e Mehmet Shehut dhe goditjet e “grupeve armiqësore”

Fizionomisë së saj duket se nuk i kishte ndryshuar as presja. E njëjta grimasë, i njëjti model flokësh dhe një imazh i kuruar, i nevojshëm për të përcjellë dikur një ish-ministre të njohur të pushtetit komunist dhe sot të një zonje të respektuar, të bashkëshortes, nënës dhe gjyshes së tri nipërve (më i madhi 14 vjeç). Duket të jetë kryelartë për atë çka ka përjetuar dje dhe kjo dëshmohet qartë në notat e zërit, me të cilin shpreh çdo mendim apo ndjesi të jetuar. Për Themie Thomain, 13 vite në krye të një ministre janë një kapitull i konsiderueshëm i jetës, përpos vështirësive dhe menaxhimit të situatave shpeshherë edhe konfliktuale, për momente kur ajo nuk tentonte të ishte palë me sistemin politik për të cilin punonte. Ish-ministrja e Bujqësisë në vitet ’75-’88, rrëfehet për eksperiencën e gjatë si zyrtare e lartë e pushtetit komunist, si pjesë e ish-Komitetit Qendror, raportet me të parin e vendit, Enver Hoxhën, përplasjet e ashpra me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, marrëdhënia me gratë e ish- Bllokut dhe nostalgjia e paevitueshme për një periudhë të jetuar, me të cilën shumëkush e identifikon sot!
Znj. Themie, ju keni drejtuar për 13 vjet Ministrinë e Bujqësisë gjatë viteve ’75-’88. Si është jeta sot e një ish-ministreje?

Themie Thomai, duke folur në një seminar shkencor

13 vite ministre është një kohë e gjatë për të pasur një përvojë, shumë kujtime të mira ose jo, të gëzueshme ose e kundërta. Në këtë hark kohor është një luftë e vërtetë që të bën të rritesh bashkë me të, forcohesh, piqesh, shton këndvështrimin për probleme të caktuara. Kam shumë gjëra për të thënë apo për të kujtuar nga ajo kohë. Është një jetë e tërë gati. Kjo kohë tashmë ka kaluar dhe ajo mbetet e arkivuar në kujtesën time, dhe pse jo të bashkëkohësve të mi. Ndonëse tanimë nuk zhvilloj më takime me specialistë, këshilla shkencore etj., vazhdoj t’i ndjek problemet e bujqësisë. Shoh përmes mjeteve mediatike probleme të bujqësisë, të cilat nuk i shkojnë për shtat kësaj dege të rëndësishme për vendin tonë. Shoh që në këto toka të begatuara me miliarda investime nga shqiptarët, shpërdorohet, ndërtohet, përmbytet dhe kjo do të thotë se ekosistemi është i tronditur fort, për të mos thënë që është prishur.
Ishit vetëm 21 vjeç kur u bëtë kryetare e ish-kooperativës në zonën e Këmishtajt të Lushnjës, për të mbërritur më pas në postin e ministres së Bujqësisë, si i përjetuat këto lëvizje radikale në jetën tuaj?
Si kryetare e kooperativës u emërova në ’67-n dhe isha rreth 21 vjeçe në atë kohë. Nuk mund ta fshihja dot rëndësinë e pozicionit dhe të vështirësisë së punës, sepse ishte një përballje e drejtpërdrejtë me njerëzit, me kooperativistët e prodhimin. Puna duhej bërë që të realizoheshin të ardhurat dhe natyrisht që nuk kam hezituar për këtë. Duke pasur këmbënguljen dhe vullnetin e punës, sigurisht edhe bashkëpunimin me specialistët, arrita që këtë ekonomi ta radhis ndër më të mirat e vendit. Në vitin 1976 më kërkuan në Komitetin Qendror dhe aty më komunikuan që isha emëruar ministre. Ishte gjithçka kaq e papritur dhe e paparashikuar. Nuk e kishim të ushqyer në shpirt çështjen e karrierës, plus që isha vetëm 31 vjeçe. Kjo detyrë ishte akoma më e vështirë, megjithatë më urdhëruan që duhej ta bëja. Ja njihja vështirësitë punës, e sidomos bujqësisë. Vija nga një eksperiencë në miniaturë e mandej ishte një ansambël më i madh dhe përgjegjësi e madhe.
Hezituat në fillim?
Patjetër që po. Kisha shumë arsye për të mos pranuar. E para ishte mosha e re, fakti i të qenit grua. Por, kur përballesh me gjëra të vështira gjen forca edhe për t’ia dalë mbanë. Më vonë mësova që ishte marrë vendimi nga zyrtarët e lartë të shtetit për të më pozicionuar mua atje.
Thatë që emërimi juaj ishte urdhër, kush mendoni se e propozoi emrin tuaj?
Vendimi ishte i gjithi i beftë. Unë asnjëherë nuk jam munduar të gjëmoj se kush kanë qenë personat apo individi që propozoi emrin tim. Kam punuar në Këmishtaj të Lushnjës, isha larg situatës që zhvillohej në Tiranë dhe, duke qenë në largësi, nuk kisha njohje zyrtarësh. Duke parë rezultatet e ekonomisë dhe arritjet në kooperativën ku punoja, besoj se këto kanë qenë motivet e forta që i kanë shtyrë drejt emërimit tim si ministre.
Kur u emëruat ministre, jetuat në Bllok?
Nuk kam jetuar asnjëherë në Bllok. Është folur shumë asokohe për privilegjet e funksionarëve të lartë të kohës. Është e vërtetë që isha funksionare dhe ministre shteti, por unë dhe ministrat e tjerë të kohës nuk kemi pasur asnjë privilegj. Përveç dhënies së llogarisë për detyrat që kryeja. Isha si gjithë qytetarët e tjerë, në shtëpi me qira, me orenditë e thjeshta dhe një hapësirë e ngjashme me gjithë qytetarët. Furnizimet ushqimore i blija si gjithë të tjerët. Nuk më ka pëlqyer që të jem ndryshe nga të tjerët dhe të diferencohem për shkak të postit që mbaja.
Nuk jetuat në “lagjen e famshme”, megjithatë ju lidhte puna me “gratë e Bllokut”, Nexhmije Hoxhën, Vito Kapon… Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me to?
Kam pasur marrëdhënie normale. Me Vito Kapon kam pasur një lidhje më të afërt, përpos edhe faktit që ka qenë kryetare e Bashkimit të Grave. Ishte një grua inteligjente, korrekte dhe gjithmonë më ka pëlqyer. Kam mësuar nga kjo grua, nga mënyra e komunikimit, e ruajtjes së gjakftohtësisë, korrektësisë. Ndërsa, me Nexhmijen marrëdhënie normale në takime mbledhjesh politike, thjesht marrëdhënie zyrtare.
Si pjesë e qeverisjes së kohës, a ishit e ndërgjegjshme se Shqipëria udhëhiqej nga një diktaturë?
Ka kaluar që nga ai pushtet. Kur kam punuar dhe kam pasur detyrën si ministre Bujqësie ka qenë një tjetër kuadër ligjor, ka qenë mënyra e pronësisë tjetër e për rrjedhojë edhe mendësia ishte tjetër. Nuk më ka shkuar mendja kurrë që të isha disidente e sistemit, por vërejtje dhe kritika për punën kam pasur gjithmonë. S’kam hezituar ta them mendimin tim personal, herë edhe kam kundërshtuar për diçka që nuk isha dakord, pavarësisht se herë është dëgjuar, e herë jo. Natyrisht, nuk mund të isha dakord me të gjitha vendimet që merreshin. Ka pasur shumë vendime asokohe që merreshin nga qeveria dhe që unë i kam kundërshtuar me të madhe.
Na tregoni ndonjë prej tyre..?
Dikur u hodh ideja që të mbilleshin 20 hektar duhan, në mënyrë që kjo depozitë të vihej në dispozicion të eksportit. Kushtet në Shqipëri nuk e favorizonin këtë gjë, sepse në ato lloj duhanesh ne nuk mund të konkurronim si vend, sepse shtetet që na rrethonin, si Greqia, Maqedonia etj. ishin shumë më të përparuar në këtë sipërmarrje. Kemi pasur diskutime të ashpra, të cilat kanë shkuar deri në Byronë Politike, në Komitet Qendror, ku jam thirrur dhe kam paraqitur argumentet e mia si Ministre e Bujqësisë. Mendime të cilat binin shpesh në vesh të shurdhët, por nuk mund të thosha për diçka që nuk bëhej. Ato kundërshti akumuloheshin dhe pasojat ndiheshin te puna ime. Unë me vete mbaja shqetësimin dhe pyetjen se përse nuk dëgjohej fjala ime si ministre, por këto ishin të metat e atij sistemi, pjesë e të cilit isha dhe unë.
Keni drejtuar Ministrinë e Bujqësisë në kohën kur shqiptarët ishin më të varfër se kurrë dhe dyqanet fare të zbrazura. Nuk kishte prodhim apo ishte çështje politikash?
Kam drejtuar një sektor të suksesshëm dhe faktet janë të dokumentuara. Në ato vite ne siguronim 85% të produkteve ushqimore në vend. Por, që nuk është faji i bujqësisë apo i kooperative, mendoj se ishte gabim i atij vendimi të qeverisë që u morr pa dijeninë e Ministrisë që unë drejtoja, për tufëzimin e bagëtive. Kjo shkaktoi një tronditje të madhe të furnizimit të tregut në prodhimet bujqësore dhe blegtorale. Sepse sektori privat përpara tufëzimit, në vitin 1980, siguronte 12 mijë e 500 tonelata mish për popullatën, ndërsa pas tufëzimit prodhohej vetëm 1 mijë e 500 ton. Duke u ngushtuar raporti i pronësisë private dhe duke u zmadhuar ajo shoqërore edhe konkurrenca po fikej. Sepse kooperativat nisën të punonin për llogari të tyre, ato nuk ndanin më të gjitha produktet dhe prodhimi efektivisht u ul. E gjitha kjo shkaktoi një tronditje në treg. Nuk ishte Ministria, por politika që mori këtë vendim. Ky vendim ishte i formës së prerë dhe unë si ministre nuk mund të bëja asgjë për ta ndryshuar. Madje, duke qenë se procesi i tufëzimit kërkonte bazë materiale dhe ne nuk mund ta plotësonim të gjithën, qeveria pretendonte se ne si ministri kishim tendencë kundërshtie, sepse nuk ishim dakord me vendimin. Natyrisht, kishte presione, therje në masë të bagëtive e shumë probleme të tjera.
Ju folët për kritika e vërejtje dhe një prej tyre ka qenë një debat i ashpër me Enver Hoxhën…
Më ishte kërkuar që të paraqisja një raport për pronën që i takonte një kooperativisti, i cili kishte në dispozicion një dynym tokë. Na ishte kërkuar si do të vepronim me kalimin e viteve, fëmijët që do të rriteshin do të merrnin nga 1 dynym tokë apo do të ndahej toka ekzistente. Ne si ministri ishim dakord që me lindjen dhe rritjen e fëmijëve e pjesëtarëve të familjes edhe ata të merrnin nga 1 dynym tokë, sepse kjo do të shtonte prodhimin, fitimet. Qeveria nuk ishte dakord me këtë dhe kemi pasur debat të ashpër në qeveri me Kryeministrin e atëhershëm Mehmet Shehu, debat i cili kishte përfunduar deri në Byronë Politike. (Me ish-kryeministrin Shehu kam pasur shumë herë përplasje për çështje nga më të ndryshmet). Mua m’u shtrua pyetja nga Enveri se pse nuk isha dakord dhe unë thashë argumentet e mësipërme. Përgjigjja e tij ishte: “Nuk të ka lënë ty partia të zgjidhësh këto halle”. U kundërpërgjigja duke thënë se isha vetëm një person dhe kisha mendimin tim.
Thatë se keni pasur përplasje me Mehmet Shehun… na tregoni, si e mësuat vdekjen e tij dhe çfarë atmosfere u krijua në aparatin qeveritar?
Lajmi erdhi krejt papritur dhe unë e mora vesh si gjithë shqiptarët, kur u transmetua në televizion. Ishte diçka e çuditshme. Mirëpo, kishim mësuar se dy ditë më përpara ishte bërë një mbledhje e ashpër për qëndrimin që kishte mbajtur Kryeministri ndaj fejesës së të birit me një familje të deklasuar, e cilësuar kësisoj. Na mblodhën të gjithë zyrtarët e na komunikuan që ishte vetëvrarë Mehmet Shehu, pastaj argumentet që dolën ishin nga më të ndryshmet, siç vazhdojnë edhe sot. Nuk mund të them nëse është vrarë apo vetëvrarë, di vetëm versionin zyrtar. Personalisht e kisha ndjerë distancimin e tij nga qeveria, njëfarësoj sepse ai ishte njeri i ashpër, i rreptë dhe tepër kompetentë në punën që bënte.
Ndërkohë, ju ishit anëtare e Komitetit Qendror, si i përjetonit situatat e dënimeve të shumë personaliteteve shqiptare, kur ju duhej të jepnit sigurisht mendimin tuaj?
Kam qenë e pranishme në mbledhjet që janë bërë kur u dënua Kadri Hazbiu e Mehmet Shehu për veprimtarinë e dyshimtë për të cilën u përfol. Natyrisht, në kohën që ne punonim e dinim që ata ishin më të mirët dhe nga diskutimet aty dolën që ata ishin të implikuar. Unë për vete nuk kam folur në ato mbledhje, madje në mënyrë të heshtur nuk i kam besuar shumë. Por, për sa kohë që diskutohej çështja, vendimi ishte marrë me kohë…
Si rezistuat 13 vjet si ministre?
Nuk kisha arsye që të mendoja se do të isha ministre, nuk kisha as arsye që të mendoja se do të rrija vite në atë post edhe në momentin kur u ula në atë karrige. Aq e vërtetë ishte sa në kohën dhe hapësirën që më ishte lejuar, nuk kam qenë asnjëherë konformiste. Mendimin e kam thënë ashtu siç e mendoja unë, siç e kuptoja dhe siç e gjykoja unë nga terreni i prekshëm. Natyrisht për këtë kam pasur edhe përplasje dhe shqetësimi im bëhej akoma më i madh dhe i trishtë. Unë e kisha ndryshe mendimin. Nuk isha dakord me një bujqësi arkaike, primitive, isha për një bujqësi që i përgjigjej kërkesave të kohës për të prodhuar. Por, me sa dukej nuk ishin kushtet dhe investimet dhe kjo çonte shpesh në përplasje. Kishte diversitet në mendime dhe shpesh pasoja.
Si i keni ndjerë ju këto pasoja?
Pasoja të tipit, që vit pas viti shihja një ftohtësi, kur duhej të më lajmëronin apo të më delegonin diçka e bënin përmes të të tretëve, dhe jo nëpërmjet meje. Ishte një ftohtësi që nuhatej dhe e pashmangshme.
Ç’keni sakrifikuar?
Sakrifica ishte e pashmangshme, sepse, përpos detyrës, duhet të jepja shembullin tim vetjak në sytë e të tjerëve. Të besuarit e një posti politik nuk ishte vetëm një privilegj, njëherësh ishte edhe sakrificë. 10 vjet kryetare kooperative dhe 13 vjet ministre, ishin 23 vite sakrificë. Ikja në mëngjes herët nga shtëpia dhe vija në darkë vonë. Fëmijët e mi, bashkëshorti im nuk kanë qenë si gjithë të tjerët, që do të dilnin për shëtitje ose ndonjë xhiro qoftë me fëmijët apo me tim shoq. Këto gjëra ishin të munguara për kohën dhe për të gjithë pjesëtarët e familjes ishte sakrificë. Ata të gjithë kanë qenë të malluar për mua, edhe e kam konsideruar si deficit.
Cila është familja jote znj. Themie?
Unë kam dy fëmijë, një vajzë dhe djalë, që quhen Lindita dhe Ilir. Jam bërë tri herë gjyshe dhe unë nipërit e mbesat i dua shumë. Kur kam ndonjë festë apo ditëlindje, ata gjejnë fjalët më të bukura për të më uruar, përveç dhuratave e luleve. Atë që nuk kam mundur ta bëj dot me fëmijët e mi mendoj se po e shlyej me nipërit e mbesat e mia. Im shoq është mjek stomatolog, është kirurg. Ai është një mjek me emër dhe shumë i kualifikuar. Asnjëherë nuk ka përfituar ta marrë nga unë pozicionin që ka, edhe atëherë kur isha ministre. Ai nuk ka përfituar nga emri im, përkundrazi, afirmimi i tij më ka shtuar vlerat. I ka takuar atij të merret më shumë me rritjen e fëmijëve, më ka mbështetur duke më lehtësuar me pjesën e angazhimeve familjare, sepse detyra si ministre kërkonte shumë sakrifica.
Jeni ndër të paktat figura të atij regjimi që nuk jeni përfolur… Si ka qenë kapërcimi i periudhave në komunizëm në demokraci?
Në punën time jam udhëhequr nga parimet e ndershmërisë, dijes, korrektesës e respektit për njerëzit. Duke pasur këto parime në jetë, njeriu mund të gabojë pak ose aspak. Nuk kam qenë pasionante apo kokëfortë për diçka që e mendoja se ishte si thosha unë. Vlerat e kokëfortësisë janë të dëmshme për njeriun, sepse ushqejnë mendjemadhësinë e të bëjnë të dalësh nga vetja. Jam përpjekur të ngelem Themia… Isha në një sistem politik të vështirë dhe sërish i kam bërë gjërat ashtu siç i mendoja. Është gjë e bukur të flasësh për demokracinë. Je i lirë të thuash atë që mendon, të veprosh ashtu siç mendon në përputhje me rregullat dhe ligjet e shtetit. S’kam asnjë kundërshtim. Ai i mëparshmi ishte një sistem, ai ra, erdhi një sistem tjetër dhe njerëzit janë të detyruar të punojnë sipas ligjeve të tanishme. Askush nuk është i përjetshëm në një karrige.
Pas rënies së diktaturës, ju janë përplasur dyer në fytyrë, keni marrë vështrime të vëngërta?
Me thënë të drejtën, nuk jam ndierë ndonjëherë ngushtë. Por, diçka e kam ndierë e më ka ardhur keq. Kur u miratua ligji 24/1, mbeta pa punë. Unë isha agronome e lartë e diplomuar dhe doja të punoja në profesionin tim. Pse duhej ky lloj shpërblimi për të qenë pa punë? Gjithçka ishte pasojë e të kaluarës me ngjyrime politike. Sot ndihem e barabartë midis të barabartëve. Kjo është vlera më e madhe që më mbush shpirtërisht, pasi në vlera materiale nuk kam trashëguar asgjë.

 

ERMIRA ISUAFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura