Të pathënat e 51 piktorëve shqiptarë, zbulohet koleksioni

Nov 24, 2016 | 11:34
SHPËRNDAJE

Aty përmblidhet një histori e tërë. Vite të gjata pune, pasion, ngjyra, dritë… Kjo është e bukura e librave dhe katalogëve, që mund të ndryjnë brenda vetes vite e shekuj… “51 piktorë shqiptarë- Koleksioni Shehaj në historinë e pikturës shqiptare” është një nga veprat e rëndësishme në lëmë të artit pamor, botuar pak kohë më parë, si një kërkim shumëvjeçar i studiueses Suzana Varvarica Kuka, mbështetur në koleksionin privat të pikturave të koleksionistit Namik Shehaj.

Suzana Varvarica Kuka
Suzana Varvarica Kuka

Edhe pse mbështetet në veprat e një koleksioni privat, i cili ngrihet mbi shije personale, vepra në fjalë nuk është thjesht një katalogim i qindra veprave që ndër vite ka arritur të mbledhë Shehaj. Autorja e librit, Suzana Varvarica Kuka, i ka dhënë formën e një historie arti, duke e pajisur atë me një informacion të bollshëm rreth periudhave që karakterizojnë zhvillimin e artit pamor shqiptar dhe mbi jetën e veprën e çdo artisti të përfshirë në katalog.

“Nudo”, 2013, Zef Shoshi
“Nudo”, 2013, Zef Shoshi

Libri është i mbushur me detaje e kuriozitete me karakter biografik e artistik, që vijnë si rezultat i hulumtimit të studiueses, për subjektet në fjalë, por edhe mendime të studiuesve, kritikëve, artistëve, gazetarëve, shqiptarë e të huaj mbi veprën e piktorëve.

“Skënderbeu”, 1890, Kolë Idromeno
“Skënderbeu”, 1890, Kolë Idromeno

Duke kaluar nga njëri autor te tjetri (përveç atyre të periudhës së parë, Idromeno dhe Mio) mund të mësosh më shumë jo vetëm rreth portreteve të tyre artistike, por të kuptosh edhe raportin që artisti kishte me diktaturën komuniste, si ka ndikuar ajo shumë herë në drejtimin që ka marrë jeta dhe krijimtaria e tyre, se si janë kritikuar, si u janë anuluar ekspozita, ca edhe janë dënuar, të tjerë janë izoluar apo vetizoluar, e kanë orientuar krijimtarinë e tyre në atë drejtim që të mos kishin “punë” me politikën.

KOLEKSIONI NË PERIUDHA

Libri është ndërtuar mbi një renditje kronologjike dhe jo për nga rëndësia e numri i punëve që artistët kanë në koleksionin e Shehajt. Libri hapet me periudhën e parë “Arti në Shqipërinë feudale në kapërcyell të shekullit XX”, periudhë që përfaqësohet nga një vepër e Kolë Idromenos e vitit 1890, që paraqet një portret të Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, që, sipas Varvaricës, është një nga veprat më të mira, kushtuar heroit, si dhe një e Vangjush Mios.

“Peizazh”, 2001, Alush Shima
“Peizazh”, 2001, Alush Shima

Bëhet fjalë për tablonë “Rrugica” të vitit 1940 (vaj mbi kompensatë), ikonografia e së cilës, sipas studiueses, “është shumë e rrallë dhe dallon nga tërësia e krijimtarisë së Mios”. Periudha e dytë titullohet: “Piktura, veprimtari drejt Perëndimit”, dhe përfshin vepra të piktorëve që studiuan në shkollat e huaja, në Perëndim, por edhe Lindje. Janë pikërisht Abdurrahim Buza, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Foto Stamo, Aristotel Papa, Guri Madhi etj.

“Buka e duarve tona”, bocet, 1976, Skënder Kamberi
“Buka e duarve tona”, bocet, 1976, Skënder Kamberi

Një kapitull më vete autorja ua ka kushtuar tre artistëve, që është e pamundur t’i gruposh me të tjerë piktorë shqiptarë: “Tre artistë figurativë të ndryshëm në të njëjtën kohë: rebeli, ekspresivi dhe konceptuali”. Janë pikërisht piktorët Ibrahim Kodra, Lin Delija dhe Lekë Tasi. Dy të parët e ushtruan aktivitetin e tyre në shtetin fqinj, Itali, ndërsa krijimtaria e Tasit u shënjua nga një tjetër fat, para dhe pas diktaturës komuniste. Periudha e tretë përfshin “Vitet ’60-’90, realizmi në art bëhet pjesë e socializmit në politikë”, ku gjejmë emra si Vilson Kilica, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Ismail Lulani, Jakup Keraj, Danish Jukniu, Skënder Kamberi, Zef Shoshi, Agim Faja etj. “Piktura, përpjekjet, vështirësitë dhe mbijetesa e saj në epokën e lirisë” përbën periudhën e fundit dhe përfshin autorë si Alush Shima, Nestor Jonuzi, Gazmend Leka, Aleksandër Filipi, Anastas Kostandini, Pashk Përvathi, Edi Hila etj.

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Interesantja e këtij katalogu është që në krah të piktorëve me emër janë edhe disa më pak të njohur, të izoluar në një kontekst më lokal apo të harruar nga koha, për arsye nga më të ndryshmet, mes të cilave edhe ato politike.

Ndër ta mund të përmendim piktorë si Vladimir Jani, Rafael Dembo, Zef Vorfi, Myzafer Diko, Petrit Ceno, Koço Ristani etj. Për nga numri i veprave, është e thjeshtë të kuptosh preferencat e koleksionistit Shehaj. Ndër të preferuarit e tij janë Zef Shoshi, Skënder Kamberi, Alush Shima, Mustafa Arapi, Nestor Jonuzi, apo Adrian Çene.

NAMIK SHEHAJ, PASIONI I NJË KOLEKSIONISTI

Pasioni për pikturën e çoi Namik Shehajn drejt koleksionimit. Nëse para viteve ’90 ai vetëm mund ta admironte atë, me ndërrimin e sistemeve dhe me krijimin e kushteve ekonomike, iu dha mundësia të kishte të tijat vepra të autorëve të tij të preferuar, derisa numri i veprave dhe autorëve krijoi një koleksion të plotë, me një rëndësi të veçantë për historinë e artit shqiptar.

5

Duke koleksionuar vepra të piktorëve shqiptarë, që nga Idromeno – fundi i shek. XIX, deri në ditët e sotme, Shehaj ruan të gjallë një pjesë të historisë së arteve pamore shqiptare. Në koleksionin e tij ka dhe vepra të rralla, me një rëndësi shumë të madhe, në dokumentimin e krijimtarisë së artistëve të caktuar dhe të artit shqiptar, në tërësi.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura