Takimet e Enverit me oficerin gjerman e Mid’hat Frashërit me Zervën, studiuesi Uran Butka: Ku gabojnë Milo e Xhufi në rishkrimin e historisë

May 27, 2021 | 12:03

uran butka

URAN BUTKA

PAPËRGJEGJSHMËRI HISTORIKE

Në paraqitjen përpara mediave të projektit të Akademisë së Shkencave, “Historia e re e shqiptarëve”, drejtues dhe anëtarë të komisionit hartues u shprehën për përmasat, kriteret dhe vlerat e këtij projekti të ri. Ka disa vite që shqiptarët e interesuar për historinë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe studiues, historianë, njerëz të kulturës etj., kërkojnë rishkrimin apo korrigjimin e historisë, për shkak të një historie të deritanishme ende të politizuar, të deformuar dhe të njëanshme, por edhe për shkak se gjatë këtyre tri dekadave të demokracisë kanë dalë në dritë mjaft dokumente të reja, që kërkojnë doemos rishikimin e historisë.

Personalisht e kam parashtruar me kohë nevojën e këtij rishkrimi, prandaj edhe lajmin e përgatitjes së një historie të re të shqiptarëve e prita me pozitivitet. Mirëpo, në këto dy javë të paraqitjes në media të projektit nga Akademia e Shkencave, u zhgënjeva, dhe jo vetëm unë. Në daljen e parë të komisionit hartues, profesor Paskal Milo tha se ka boll fakte të reja që do të përfshihen në tekstin e ri.

Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Ky i ashtuquajturi “fakt historik”, përbën një “zbulim” dhe një “lajm” për Paskal Milon, ndërkohë që sipas mendimit tim, është një tendencë politike e tij, sipas tipologjisë së propagandës së dikurshme komuniste, që paradamkoste personalitete historike për t’i njollosur dhe asgjësuar mandej.

Përse duhej të trumbetonte me aq ngutje këtë paragjykim personal, kur për një periudhë prej dy vjetësh studimi, anëtarët e komisionit hartues do të ballafaqoheshin me dokumentet e faktet historike dhe do të konkludonin objektivisht? Përse deklaron se “do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me një fakt të panjohur që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin? Në ç’dokument është mbështetur Paskal Milo për të nxjerrë me përparësi këtë “fakt historik të ri”?

Në të vërtetë, nuk është një dëshmi e panjohur. Filip Liço, autor i librit “Probleme të marrëdhënieve grekoshqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 2009, përfshin në këtë botim edhe një fragment kujtimesh të sekretarit të Napolon Zervës, kolonel Th. Sarandis, mbi një takim, sipas tij, mes Napoleon Zervës me një grup të nacionalistëve shqiptarë, mes tyre edhe Mid’hat Frashëri, në fshatin Voskop të Korçës nga 1-3 maj 1944. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë dokument apo fakt historik, por me një kujtim të një ushtaraku grek të Zervës. Nuk mund të konsiderohen kujtimet si dokumente apo fakte historike të mirëfillta. Vetë prof. Paskal Milo dhe prof. Pëllumb Xhufi kanë theksuar disa herë se historia nuk bëhet me kujtimet, ngaqë ato përmbajnë subjektivizma apo interesa.

Mirëpo, kur u intereson atyre, i marrin dhe i paraqesin kujtimet si fakte të vërteta, si në këtë rast. Mendoj që politikanë shqiptarë apo të huaj, në kohë të ndryshme, kanë bërë takime, madje edhe marrëveshje edhe me kundërshtarët politikë apo armiqtë, në kushte e kontekste të caktuara historike. Përse nuk flet Paskal Milo për një takim të Enver Hoxhës me një oficer gjerman në kohën e Luftës? Unë e kam lexuar atë dokument dhe them se E. Hoxha u takua, por nuk bëri marrëveshje me oficerin gjerman. Kjo është e vërteta. Unë kam dijeni gjithashtu për takime të së djathtës shqiptare me të djathtën greke për marrëveshje gjatë luftës, megjithëse ato nuk janë realizuar.

Di edhe që PKSH ka bërë takime, marrëveshje dhe bashkëpunime me lëvizjen komuniste Greke (EAMElas). Sipas një raporti britanik “Një marrëveshje mes Frontit NÇ të Shqipërisë dhe EAM-it” (Lëvizja Komuniste Greke), mendohet se është firmosur midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë Frontit NÇ të Shqipërisë janë raportuar të kenë qenë: Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarak) dhe Kristoferos Prinos. Një marrëveshje ushtarake mes Frontit NÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Një takim i mëvonshëm midis Frontit NÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944″.

Këto çështje duhen analizuar me objektivitet, pa qenë nevoja për akuza politike. Mirëpo, Paskal Milo nxjerr konkluzione eklektike të qëllimshme: “Mid’hat Frashëri, më 1-3 maj 1944, ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Së pari, sipas Th. Sarandis, N. Zerva u takua me një grup nacionalistësh si: Midhat Frashëri, Xhafer Dibra, Ali Këlcyra, Suat Asllani, Tane Malishova, Ali Nivica, Shukli Zakomeri, Qazim Prodani, Thoma Orollogai etj. dhe jo vetëm me kryetarin e Ballit Kombëtar, M. Frashërin.

Së dyti, takimi mes tyre, gjithnjë sipas Sarandis, u bë me 1-3 maj 1944, kur dihet që operacioni zervist kundër popullsisë çame nuk kishte nisur ende, ai filloi në 27 qershor 1944 dhe nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet enkas Mid’hat Frashëri, mbrojtësi më i madh i çështjes çame, kur ishte ambasador në Greqi apo në forumet ndërkombëtare, si edhe në veprën e tij tanimë të botuar.

Së treti, as Th. Sarandis nuk thotë se u bë një marrëveshje, por një takim. Madje, nuk e citon fare Mid’hat Frasherin, por vetëm fjalët e Suat Asllanit, i cili nuk ishte pjesë e Ballit Kombëtar.

Së katërti, vetë autori i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, Filip Liço, argumenton: “Mendojmë se të dhënat e paraqitura nga mbledhja në Voskop të Korçës nga Th. Sarandis janë shumë të cunguara. Nga pohimet e tij që Greqia “të bashkohen me çfarë do mënyrë me Shqipërinë”, apo “do t’ia transmetojmë (Zervës) pikëpamjet tuaja”, del se në atë mbledhje u shfaqen mendime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin shqiptaro-grek”, por nuk u bë ndonjë marrëveshje. Takim nuk do të thotë marrëveshje apo bashkëpunim.

Paskal Milo dhe Pëllumb xhufi e lidhin enkas “takimin” me Zervën, “shfarosësi i popullsisë çame”, duke ia shtuar qëllimisht për efekt këtë bisht. Dihet se kush ishte N. Zervasi, që kreu gjenocid kundër popullsisë çame të Greqisë, por takimi me M. Frashërin dhe përfaqësuesit e së djathtës shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me këtë gjenocid.

Dr. Ermal Frashëri, i diplomuar në Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, del kundër këtyre insinuatave: “Milo krijon sensacion me Mithat Frashërin. Ai foli për Mithat Frashërin e Zervën pa dhënë kontekstin. Duke folur për një takim, pa dhënë arsyet dhe rrethanat, Milo krijoi insinuata për Mithat Frashërin”.

Duke u nisur nga ky fakt, por edhe nga daljet në media të drejtuesve të Komisionit të Historisë, mendoj që projekti i Akademisë së Shkencave për Historinë e re, është i tejkaluar, një model zyrtar tashmë i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin, si edhe përzgjedhjen e historianëve pjesëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkurruese. Ndonëse thuhet publikisht se nuk është një projekt zyrtar, e nxjerrin vetë në shesh të kundërtën. Historiani Paskal Milo pohon: “Projekti udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave”, ndërsa historiani Marenglen Kasmi e thotë më troç: “Duhet të ketë një version zyrtar të historisë dhe nuk e bëjnë më mirë këtë gjë, sesa institucionet shtetërore!”.

Siç shihet qartë, një koncept totalitar për historinë. Është provuar tanimë se të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë” kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht, sepse janë udhëhequr e krijuar nga ky parim.

Drejtues dhe historianë të projektit, prof. Paskal Milo dhe sidomos prof. Pëllumb Xhufi etj., kanë dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave një politizim të dukshëm e të dëmshëm në trajtimin sidomos të ngjarjeve të periudhës së Pavarësisë, të Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës. “Si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik”, thekson Ermal Frashëri. Por edhe gjatë këtyre ditëve të prezantimit të projektit të Akademisë, këtë gjë kanë demonstruar, duke diktuar pikëpamjet dhe mendësitë e tyre, pra, duke u përpjekur t’i paravënë pikat mbi i-të mbi ngjarje e personalitete historike.

Dr. Ermal Frashëri, i përfshirë në këtë debat, jep argumentet pse teksti i ri “nuk do të prodhojë asgjë të re. Do të jetë një histori zyrtare, që ka ngjyrim mentaliteti totalitar… Vetë zyrtarizmi i punimit shkencor është antitezë e shkencës. Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë. Qasje e gabuar dhe organizim i mbrapshtë”.

Në debatin televiziv në “ABC-News”, dt. 13. 5.2021, moderatori Endri Xhafo i pyet prezantuesit e projektit: A ka pasur luftë civile në vitet 1943-44?

Skënder Gjinushi: Nuk ka pasur lufte civile.

Pra, kryetari i Akademisë së Shkencave, pronari i këtij projekti, i vuri vulën këtij fenomeni kaq të debatueshëm, në vend që të thoshte: këtë do ta vendosin historianët e komisionit mbi bazën e dokumenteve. Dihet që në këto 30 vite të demokracisë janë botuar me qindra botime, që dokumentojnë ekzistencën e luftës civile në Shqipëri pas prishjes së njëanshme nga komunistët të Marrëveshjes se Mukjes. Historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë, ka pohuar publikisht ekzistencën e luftës civile dhe pasojat e saj. Le të kujtojmë debatin e tij në Muzeun Kombëtar me Presidentin Moisiu.

Historiania Ana Lalaj, që nuk është pjesë e Komisionit, e kundërshtoi Gjinushin dhe të tjerët, duke thënë se kjo luftë nisi pas vendimit të PKSH-së në Konferencën e Labinotit, shtator 1943, ku u shpall lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar dhe çdo tendence tjetër.

Rrjedhimisht, ka pasur një luftë civile ndërmjet forcave komuniste me ato nacionaliste, e dokumentuar nga dokumentet e Arkivit të Shtetit, Arkivit të Ushtrisë, Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, arkivave të Britanisë, Gjermanisë, SHBA, Jugosllavisë etj. Thuajse gjithë oficerët britanikë që ishin atashuar në Shqipëri gjatë luftës, rreth 150, e kanë pohuar e vërtetuar luftën civile, po ashtu edhe historianët e huaj si R. Bejl, B. Fisher etj. Por mjafton të lexosh raportet ushtarake të komandantëve dhe komisarëve të divizioneve, brigadave e batalioneve të ushtrisë NÇ, si Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi e shumë të tjerë, për të kuptuar vërtetësinë autentike dhe përmasat tragjike të luftës civile në Shqipëri dhe krimet e komunistëve gjatë luftës. Mjafton të përmendim luftën civile në Malësinë e Madhe, dhjetor 1944-shkurt 1945, një luftë frontale civile për një muaj e gjysmë pa ndërprerje, ku merrnin pjesë divizione dhe brigada të ushtrisë NÇ, që sulmuan ushtarakisht me zjarr e me hekur dhe ku u vranë me qindra luftëtarë e malësorë nga të dyja palët, u dogjën 34 shtëpi dhe pushkatuan e burgosën qindra malësorë, u internuar qindra familje në kampet e internimeve të të gjithë Shqipërisëburg.

Historianët enveristë e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot luftën civile, për të ngritur dhe mbrojtur mitin dhe glorifikimin e Luftës NÇ edhe të figurës së Enver Hoxhës, duke mohuar e baltosur luftën e faktorëve të tjerë të luftës antifashiste. Dua t’u kujtoj atyre se luftën kundër italianëve e nisën nacionalistët qysh më 7 prill 1939, që betejën më të madhe kundër tyre, luftën e Gjormit, 1 dhjetor 1942- janar 1943, ku u vra edhe koloneli Klementi, e kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar të Hysni Lepenicës, Skënder Muços dhe Isuf Luzajt, bashkë me çetën e partizane të Neki Ymerajt; që luftën e parë kundër italianëve menjëherë pas Konferencës së Mukjes, 4 gusht 1843, e bënë forcat e bashkuara nacionaliste dhe partizane të komanduara nga Abaz Kupi, ku u vra edhe kapiteni italian Scampa; që betejën e parë kryesore kundër gjermanëve e kanë bërë çetat nacionaliste të Safet Butkës më 13 gusht 1943 në kthesat e Barmashit (sipas marrëveshjes Bill Maklin-Safet Butka, 8 gusht 1943), betejë në të cilën merrte pjesë edhe majori britanik Deivid Smail, ku u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruar mjaft mjete ushtarake (shih D. Smajl, “Me detyrë në Shqipëri”).(Betejë të rëndësishme historianët komunistë e paraqesin luftën në Barmash, korrik 1943, ku forcat e Batalionit “Tomorri” goditën autokolonën gjermane, duke kujtuar se ishte italiane, dhe ikën, duke e lënë gjithë zonën pa mbrojtje dhe gjermanët për hakmarrje dogjën Barmashin, vranë 117 viktima të pafajshme në Borovë etj.). Po ashtu, përmendim betejat e Muharrem Bajraktarit kundër gjermanëve, teksa i binin prapa krahëve komunistët; luftërat e Gani Kryeziut kundër gjermanëve etj. Mirëpo këto dokumente të reja të nxjerra nga arkivat pas përmbysjes së diktaturës komuniste nuk i përmendin historianët Pëllumb Xhufi, Marenglen Kasmi etj., për të treguar se vetëm Nacionalçlirimtarja me në krye E. Hoxhën ka luftuar, ndërsa Balli e Legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

VIJON…

*Titujt janë të redaksisë

Titulli origjinal i autorit është “PAPËRGJEGJSHMËRI HISTORIKE”

© Panorama.al

Te lidhura