EKSKLUZIVE/ “Të mos bëjë pronarin te ne”, Gorea replikon: Gjoza na e bëri sallën si lufta në Ukrainë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2023 | 21:00

EKSKLUZIVE/ “Të mos bëjë pronarin te ne”, Gorea replikon: Gjoza na e bëri sallën si lufta në Ukrainë (E PLOTË)

Vijojnë replikat e forta ndërmjet presidentit të Teutës së basketbollit, Arqile Gorea, dhe kreut të federatës së peshëngritjes, Elez Gjoza. Mollë sherri është bërë pallati i sportit, me shtangën që për herë të dytë brenda sezonit zbarkon në “Ramazan Njala”, ku pas Europianit për të rinj në tetor, tashmë në mars, FSHP pret të zhvillojë aty edhe Botërorin për të rinj.

gorea gjoza

Një situatë që nuk pranohet nga Teuta, e cila ka ndeshje shumë të rëndësishme në këtë periudhë, e në këtë mënyrë do t’i luante jashtë fushës së saj. Gorea akuzoi drejtpërdrejt Gjozën për këtë çështje, duke deklaruar se kreu i FSHP-së e ka sjellë aktivitetin në Durrës për përfitime personale financiare.

Ndërkohë, e menjëhershme ishte edhe replika e Gjozës, i cili mohoi kategorikisht që eventet e shtangës të kenë shkaktuar dëme në pallatin e sportit në Durrës.

Përkundrazi, Gjoza u shpreh se FSHP ka kontribuar për ta rregulluar ambientin, ndërsa iu kundërpërgjigj me një lumë akuzash pretendimeve të Goreas. Por polemikat nuk mbyllen këtu, pasi tashmë është presidenti i Teutës që replikon.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gorea i shton edhe më tepër dozat e akuzave ndaj drejtuesit të shtangës.

URIMI PËR PESHËNGRITËSIT – “Unë në radhë të parë, pasi lexova te gazeta juaj që ka aktivitet peshëngritja sot (dje), do t’u uroja shumë sukses atyre vajza dhe djemve të mrekullueshëm që kanë arritur rezultate në shtangë dhe na kanë bërë të ndihemi krenarë. Këtë e kam thënë edhe në intervistën e mëparshme, pjesë të cilën me sa duket z.Gjoza nuk e ka lexuar. Më vjen keq që e ka kthyer personale, pasi unë po ngre një problem dhe shqetësim të klubit Teuta, të krijuar nga federata që ai drejton”, deklaron fillimisht Arqile Gorea.

“NË DURRËS PËR PËRFITIME FINANCIARE” – Më tej, presidenti i Teutës konfirmon edhe një herë se sjellja e Botërorit të shtangës në Durrës, sipas tij, është bërë për interesat personale të Elez Gjozës:

“Unë kam folur thjesht dhe në mënyrë të kuptueshme që nuk duhet ngatërruar pasioni për sportin me aritmetikën. Me minimumin e mendjevrarjes duhet të kishte kuptuar që këtu flitet për një ekonomi, e cila tashmë me plot gojën po e them që është përfitimi. Sepse e para e punës kalkulohen distancat dhe çmimet e hoteleve, ndërsa e dyta është se ngatërrohet i zoti i shtëpisë me qiraxhiun. Unë jam shprehur qartë dhe pastër që ky njeri nuk ka paguar asnjë lek për pallatin e sportit dhe prisja të jepte ndonjë përgjigje ose të tregonte faturat që sa lekë ka paguar për aktivitetet në Durrës, sa ka paguar në Tiranë dhe cila është arsyeja që ai vjen në qytetin e Durrësit?”

AUDIT FINANCIAR – Gorea kërkon gjithashtu që të bëhet audit financiar për aktivitetin ekonomik të federatës së peshëngritjes: “Të mos harrojmë që unë harxhoj para nga buxheti im familjar për të kontribuar për sportin, kurse z.Gjoza le të ftojë një audit nga kontrolli i lartë i shtetit ose nga KOKSH—i për t’i kontrolluar aktivitetin ekonomik nëse ka kurajën. Madje, le ta sjellë edhe tek unë për të kontrolluar”.

“SI GODINAT E BOMBARDUARA NË UKRAINË” – Duke u rikthyer te pallati i sportit “Ramzan Njala”, presidenti i Teutës i përgjigjet Gjozës, me këtë të fundit që ishte shprehur se FSHP s’ka bërë asnjë dëm në Durrës. “Thotë që nuk e ka dëmtuar pallatin e sportit, nuk e di, mbase është pozicioni i shtangës që ul kokën poshtë, por po të ngrejë kokën lart tavani i pallatit të sportit është bërë nga z.Gjoza sikur të jetë tavani i ndonjë pallati sporti në Ukrainë, i shpartalluar me armë të rënda, pasi as ma kallashnikov nuk mund të bëhen të tilla dëme. Ai ka arritur deri aty sa të ofendojë edhe kafshët. Si mund të thuash vjen era qen në pallatin e sportit? Ne kemi qen që janë raca shumë të mira dhe kushtojnë shumë, që përhapin edhe erë të mirë kur kalojnë rrugës. Ai duhet t’i dallojë qentë e rrugëve nga qentë e zotërinjve”, shprehet Gorea, duke mos i kursyer as notat e ironisë.

BLLOKIMI I PALLATIT TË SPORTIT – Kreu i Teutës nuk pajtohet kurrsesi me bllokimin e sallës nga eventi i peshëngritjes: “Shqetësimi im ka qenë dhe mbetet që ekipi të jetë i respektuar për sakrificat dhe përpjekjet që bën për të arritur destinacionin, pra të shkojë drejt titullit kampion. Duke u nisur nga ajo që përmenda edhe në intervistën e mëparshme, që në tetor na e bllokoi 15 ditë, tani kërkon të na e bllokojë përsëri. Sillet si pronari i pallatit të sportit dhe thotë se ka negociuar me pallate të tjera. Kush është ky njeri që na tregon ne se ku duhet të luajmë…?”

“S’KA KONTRIBUUAR PËR SPORTIN” – Pas deklaratës së Gjozës, i cili tha se Gorea nuk ka vënë asnjë tullë në pallatin e sportit dhe se nuk ka bërë asgjë për sportin kur ka qenë në krye të Bashkisë së Durrësit, presidenti i Teutës përgjigjet: “Nuk më vjen fare mirë që e kthen në personale, por dua që t’i bëj vetëm një pyetje të thjeshtë në kohën kur unë kam qenë kryetar bashkie, me cilën parti ka qenë z.Gjoza…?! Sepse te gazeta juaj kam lexuar kundërshtarët e tij që e akuzojnë se ka ndërruar disa parti. Duhet të matet shumë para se të flasë, sepse unë vërtetë kam qenë kryetar bashkie dhe thotë një të vërtetë të madhe që nuk kam mundur të vendos asnjë tullë, por nuk duhet të harrojë se unë kam qenë kryetar bashkie në vitet 1996-2000, që ndoshta ka qenë mandat i varfër, por heroik për çdo kryetar bashkie”, shprehet Gorea, teksa më pas vijon: “Kemi kaluar periudhat më të vështira gjatë asaj periudhe që nga viti 1997 deri te lufta në Kosovë. Unë si kryetar bashkie kam merituar respektin, jo vetëm të qytetarëve të mi, të cilët më kanë zgjedhur me shumicë absolute votash, por edhe të gjithë shqiptarëve që e shikonin Durrësin si një oazë qetësie, edhe të huajve gjithashtu. Nuk kam pasur kohë unë të mendoj për përfitime, as për tulla e llaç, por shqetësimi kryesor ka qenë për jetën, qetësinë dhe akomodimin e njerëzve dhe këtë e kam bërë shumë mirë. Po të jetë për ato medalje dhe dekorata që ai pretendon, kam me shumicë, por ia dedikoj mjedisit ku kam kontribuuar dhe kontributeve që kam dhënë”, shprehet Gorea, duke iu rikthyer kohës kur drejtonte Bashkinë e Durrësit.

“INTELEKTUALËT NË SHTANGË” – Pasi Gorea deklaroi se Gjoza po shkel lojërat me dorë që janë sporte intelektualësh, kreu i peshëngritjes u përgjigj duke thënë se në shtangë ka më tepër intelektualë se në basketboll. Ndërkohë, nuk ka vonuar as kundërpërgjigjja e presidentit durrsak: “Flet gjithashtu çudira duke deklaruar se shtanga ka më shumë intelektualë se basketbolli. Shumë mirë le t’i ketë, pasi mesataren intelektuale të Shqipërisë ngrenë. Ne gëzohemi për këtë, por z.Gjoza duhet të na lërë rehat të ushtrojmë aktivitetin në pallatin e sportit. Harbutëria e këtij njeriu shkon deri aty sa të mohojë rezultatet dhe historinë e basketbollit shqiptar, që ka arritur edhe në majat e Europës, pavarësisht nga momenti i vështirë”.

“GJOZA PA MERITË” – Ndërkohë, duke u ndalur te rezultatet e peshëngritjes, sipas Goreas, nuk ka asnjë meritë nga Elez Gjoza për arritjet, pasi gjithçka u takon sportistëve: “Për sa u përket rezultateve të shtangës, edhe një herë në respektin maksimal për ata djem dhe vajza, po i them z.Gjoza që nuk është kontributi i tij, por është pasioni i atyre njerëzve. Kontributi i Gjozës mund të jetë aritmetika, të cilën nuk e ka mësuar tamam, por pasioni dhe rezultatet sportive janë pronë dhe u përkasin atyre djemve dhe vajzave të mrekullueshme, të cilët i përfaqëson gabimisht z.Gjoza”.

THIRRJA – Në fund Arqile Gorea e mbyll me një apel për presidentin e shtangës: “Unë një këshillë i dhashë z.Gjoza, që të mos ngatërrojë aritmetikën me pasionin dhe të mos sillet si pronar i pallatit të sportit në Durrës. Mos shiko perdet, por shiko parketin dhe tavanin. Nuk mund të shikosh ‘buzëkuqin’ kur nuk ke ‘të brendshmet’. Për këtë m’u kujtua një shprehje e Hygoit që thotë: ‘Për të painformuarin nuk ka gjë më të mirë se heshtja’, dhe po ta dinte z.Gjoza këtë nuk do të fliste, por do të heshtte. Një njeri që vjen dhe të nxjerr nga shtëpia e të thotë të kam gjetur një shtëpi tjetër në Sukth apo në Laprakë. Kush është ky njeri dhe imagjinoni ku arrin marrëzia e tij. Kështu që edhe këtë radhë po i jap një këshillë, që para se të flasë këto budallallëqe që thotë në gazetë, le t’i konservojë në një nga ato arkivolet e përdorura që ka zhdoganuar gjatë kohës kur ka qenë doganier…”, përfundon Arqile Gorea.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ “Gorea s’ka vënë asnjë tullë për sallën”, replikon Gjoza: Nuk bëri asgjë kur drejtonte bashkinë (E PLOTË)

EKSKLUZIVE/ “Gjoza po masakron lojërat me dorë në Durrës”, presidenti Gorea akuzon: Boll me pehlivanllëqe

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"