EKSKLUZIVE/ “Gorea s’ka vënë asnjë tullë për sallën”, replikon Gjoza: Nuk bëri asgjë kur drejtonte bashkinë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2023 | 22:15

EKSKLUZIVE/ “Gorea s’ka vënë asnjë tullë për sallën”, replikon Gjoza: Nuk bëri asgjë kur drejtonte bashkinë (E PLOTË)

Pas akuzave të Arqile Goreas, presidentit të Teutës së basketbollit, në drejtim të Elez Gjozës, për bllokimin dhe shkatërrimin sipas tij të pallatit të sportit në Durrës nga aktivitetet e shtangës, ka ardhur menjëherë edhe reagimi i numrit një të federatës së peshëngritjes.

ELEZ GJOZA 1

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza mohon kategorikisht që të jenë bërë dëme në pallatin e sportit “Ramazan Njala”, përkundrazi ai bën të ditur se federata ka kontribuuar për ta rregulluar ambientin, ndërsa i ka mundësuar skuadrës së Teutës edhe sallën “Feti Borova” për t’i zhvilluar aty ndeshjet.

Gjoza kundërpërgjigjet ndaj deklaratave të Goreas, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk ka vendosur asnjë tullë dhe se nuk ka bërë asgjë për ta rikonstruktuar këtë pallat sporti gjatë kohës kur ka qenë në krye të Bashkisë së Durrësit.

ZGJIDHJA – Teksa bën të ditur se u ka ofruar salla alternative gjatë kohës se bllokimit të sallës në Durrës, Gjoza e nis me replikë të fortë ndaj presidentit të Teutës:

“Një ish-kryetar bashkie, i cili nuk vendosi asnjë tullë në riparimin e pallatit të sportit ‘Ramazan Njala’, akuzon federatën e peshëngritjes për dëmtim të pallatit. Pallati i sportit në Durrës nuk është pronë e presidentit privat të ekipit të basketbollit Teuta, ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit. Ajo është një pronë shtetërore që varet nga bashkia dhe qeveria shqiptare”, thotë Gjoza, i cili më pas zbulon se u ka ofruar zgjidhje gjatë kohës kur salla do të jetë e bllokuar:

“Në rast se për 10 ditë ekipi i Teutës ka dy ndeshje brenda, unë me iniciativën time pas bisedimeve me drejtoreshën e sallës ‘Feti Borova’ u kam ofruar që skuadra t’i zhvillojë ndeshjet në Tiranë, që të luajë në kushte më të mira dhe të prodhojë rezultate pozitive. Ndeshjet nuk do t’i bëjnë as në Serbi as në Greqi, por në Shqipëri”, shprehet kreu i FSHP-së, duke vijuar më pas: “Ndërsa për sa i përket kampionatit të parë botëror që organizohet në vendin tonë, është një nder i madh për Shqipërinë, për qytetin e Durrësit, është një nder i madh për mua dhe federatën e peshëngritjes. Ne kemi zhvilluar disa kampionate te ‘Feti Borova’, ashtu sikurse edhe në Durrës”.

“ASNJË DËMTIM” – Më tej, Gjoza deklaron se aktivitetet e shtangës nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, përkundrazi, sipas tij, federata ka investuar për sallën: “Unë do t’i them z.Arqile Gorea që akoma pallati i sportit në Durrës është me perdet, të cilat i ka vendosur federata e peshëngritjes. Edhe sot ai pallat sporti është i lyer te të gjitha shkallët nga FSHP-ja. Në asnjë moment nuk kemi pasur asnjë reklamim nga drejtori i pallatit për dëme të parketit.

Kjo nuk ka ndodhur as në Durrës dhe as te ‘Feti Borova’, ku parketi është akoma më delikat. Parketi është absolutisht siç ka qenë, pasi ne kemi marrë të gjitha masat që të mos dëmtohet. Unë nuk kam asgjë më të, por dua të theksoj se ka pasur gjithçka në dorë kur ka qenë kryetar bashkie, meqë qenka kaq tifoz i madh për sportin dhe i digjet kaq shumë barku për basketbollin. Le të bënte një pallat të ri sporti, apo ta rikonstruktonte. Por sot kemi një pallat sporti, të cilit ne i vendosim ‘buzëkuq’ që të bëjmë aktivitete ndërkombëtare”, deklaron Gjoza.

EVENT QË ISHËRBEN DURRËSIT – Gjoza shton se një eveniment i tillë si Botërori i të rinjve i shërben të gjithë qytetit bregdetar: “Ne i sjellim Durrësit jo vetëm sportistë duke nxitur lëvizjen sportive në këtë qytet me 1000 sportistë dhe zyrtarë, por i ofrojmë akreditim dhe akomodim te bizneset e Durrësit. Këtë federata nuk e bën për efekte përfitimi financiar, pasi për zhvillimin e një kampionati botëror apo Europian, nuk vendos federata shqiptare”.

“PESHËNGRITJA KA MË SHUMË INTELEKTUALË SE BASKETBOLLI” – “Po shkel sportet e intelektualëve”, deklaroi ndër të tjera Gorea për Gjozën, ndërsa presidenti i shtangës i kundërpërgjigjet: “Zotëria që thotë se basketbolli është sport intelektualësh e ka gabim, pasi po të shikojmë sa basketbollistë ka me shkollë të lartë, rezulton që ka më shumë peshëngritja. Nuk i takon atij që të fyejë sportistët dhe zyrtarët e peshëngritjes. Ne nuk mund t’i pranojmë këto fyerje, por me sa duket ai është i revoltuar dhe i ngacmuar në problemet e veta gjë që ne nuk na shqetëson fare. Ne do të realizojmë një kampionat botëror shembullor, pasi tashmë federata botërore e ka kthyer Shqipërinë në epiqendrën dhe zyrën e peshëngritjes botërore. Ky është një sukses me të cilin edhe z.Gorea duhet të mburret me shtangën”.

KRAHASIMI – Më tej Gjoza evidenton diferencat në rezultate mes sporteve, duke theksuar se peshëngritje i përket një tjetër kategorie: “Nga 44 medalje ndërkombëtare që kanë ardhur në Shqipëri, 24 i ka fituar peshëngritja, ndërsa z.Gorea nuk matet dot as me Kosovën apo Malin e Zi, pasi nuk fiton dot asnjë ndeshje, jo më të përballet në Europë apo në botë. Ai duhet ta kërkojë te vetja dhe të arrijë rezultate, sepse e ka në dispozicion të gjithë Shqipërinë, duke nisur me ‘Feti Borovën’, Shijakun, Durrësin, Sukthin, Tropojën e deri në Korçë. I them zotërisë në fjalë që të ecë përpara me basketbollin, pastaj të merret me peshëngritjen”.

“5 MLN EURO PËR NJË SPORT NËN NIVELIN ZERO” – Presidenti i FSHPsë përmend edhe projektin e qeverisë për lojërat me dorë: “Unë jam shumë i lumtur që basketbolli përfitoi edhe 5 milionë euro nga projekti i dhënë nga qeveria shqiptare. Një sport që duhet të ishte diku tjetër, por është nën nivelin zero për sa u përket rezultateve.

Unë kam shumë respekt për të gjithë zyrtarët e basketbollit, duke nisur nga presidenti apo sekretari i federatës, të cilët janë njerëz shumë të komunikueshëm e bashkëpunues dhe nuk e kuptoj z.Gorea nga i vjen gjithë ky mllef për të ofenduar federatën e peshëngritjes, duke fyer Shqipërinë dhe flamurin. Pra, duhet të jetë shumë i kujdesshëm, pasi ne jemi për një qëllim të përbashkët, si Arqile Gorea te basketbolli ashtu edhe unë te peshëngritja”.

“E DOJA NË TIRANË” – Drejtuesi më i lartë i shtangës deklaron se do të kishte preferuar Tiranën për garat, por kjo nuk ishte në dorën e tij: “Dëshira ime është që ta bëj kampionatin te ‘Feti Borova’, siç bëra edhe në vitin e kaluar me Europianin. Nuk doja të shpenzoja lekë për të rregulluar pallatin e sportit që të shkojë dhe të bëjë ndeshjet Arqile Gorea, duke e kthyer në një ambient të këndshëm dhe mos t’i vijë era qen dhe qelbësirë, por t’i vijë era sport dhe pallat.

Këtë e kemi bërë ne, e kemi pastruar për 15 ditë pallatin e sportit. Një terren sportiv që edhe sot ka flamujt tanë, ka perdet, të cilat i kemi vendosur ne, akoma ka lyerjen që i kemi bërë ne, apo erën e ilaçeve pastruese që i kemi bërë ne parketit. Përpara interesave personale duhet të vëmë interesat e Shqipërisë dhe federata e peshëngritjes mbi të gjitha vendos interesat e vendit”.

CEREMONIA E HAPJES – Gjoza gjithashtu jep versionin e tij pse u zgjodh Tirana për ceremoninë e hapjes së aktivitetit: “Ceremonia e hapjes është shpenzim shumë i madh që të bëhet në Tiranë me garat, të cilat do të mbahen në Durrës, por ne e bëjmë këtë sepse Tirana është ‘Kryeqyteti i Europës për Sportin’, jo për peshëngritjen. Ne si federatë kemi menduar që të bëjmë më të mirën e mundshme që Shqipëria të marrë ato vlera, të cilat i takojnë.

Unë i bëj një apel, pasi unë absolutisht sërish do të ndërhyj në pallatin e sportit të Durrësit, pasi i di vështirësitë e bashkisë dhe nuk u kam kërkuar ndërhyrje financiare prej tyre, pasi këto do t’i bëjë vetë FSHP me ndihmën e federatës botërore. Të gjithën këtë e bëjmë në mënyrë që ta maskojmë sadopak që ai pallat të dalë sa më mirë dhe aktiviteti të jetë shembull, pasi jemi edhe pretendentë kryesorë për të pritur edhe kampionatin botëror për të rritur”.

“ASNJË FATURË DËMESH” – Në fund, Elez Gjoza bën të ditur se në drejtim të federatës nuk ka ardhur asnjë faturë dëmesh nga pallati i sportit “Ramazan Njala”: “Zotëria ka qenë kryetar bashkie për 4 vite dhe nuk ka menduar as që ta lyejë pallatin e sportit, kështu që nuk mundet të na akuzojë. Ne nuk kemi pasur asnjë faturë dëmesh dhe asnjë vërejtje nga drejtuesit e pallatit të sportit apo nga bashkia. Në rast se ne bëjmë dëme në pallatin e sportit, jemi të detyruar sipas kontratës që kemi pallatin, që të dëmshpërblejmë gjithçka.

Në për çdo ditë paguajmë aq sa është qiraja e pallatit të sportit dhe nuk kemi asnjë lloj problemi as me bashkinë, dhe me këtë rast dua të falënderoj kryebashkiaken për bashkëpunimin konkret dhe korrekt që ka me federatën”, përfundon prononcimin e tij presidenti i FSHP-së.

LEXO EDHE: EKSKLUZIVE/ “Gjoza po masakron lojërat me dorë në Durrës”, presidenti Gorea akuzon: Boll me pehlivanllëqe

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"