“Si vijon këshillimi në distancë i punonjëseve të seksit?!”-  Hylviu: Të prekurit nga HIV nuk e përçojnë COVID 19, më shumë se…

Dec 2, 2020 | 11:07
SHPËRNDAJE

Bruna HylviuShqipëria ka pasur tregues pozitivë të kontrollit të epidemisë së HIV përpara Covid-19; gjatë karantinës dhe më pas janë marrë të gjitha masat e duhura që të kryhet furnizimi me antiretroviralë të të prekurve me HIV/AIDS, por ende ka rrugë për t’u bërë në sensibilizimin e popullatës kundër stigmës së shfaqur ndaj kësaj kategorie.

Kështu shprehet Bruna Hylviu, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, e cila ofron këshillime, asistencë psikologjike e testime të shpejta për HIV, për një nga kategoritë më të ekspozuara ndaj HIV/AIDS: punonjëset e seksit.

Në një intervistë për Gazetën “Panorama” ajo tregon për situatën e vështirë të krijuar nga COVID 19; si është mbajtur komunikimi me komunitetet në risk, në kuadri e distancimit social; roli i shtetit dhe i organizatave të mbështetura nga Global Found, në parandalimin, trajtimin dhe ruajtjen e një shifrave të ulëta të të infektuarve me HIV/AIDS. Si e gjeti Shqipërinë 2020, Dita Botërore e AIDS.

Znj. Hylviu, si e gjeti Shqipërinë Dita Botërore e AIDS?

Shqipëria ka pasur tregues pozitiv të kontrollit të epidemisë së HIV përpara Covid-19. Kjo përqasje duhet të vazhdojë dhe e drejta për shëndet të përmbushet. Puna për të plotësuar nevojat e grupeve më të rrezikuara nga HIV, duhet të vazhdojë: duke siguruar trajtim për disa muaj, duke siguruar furnizimin me medikamente në shtëpi, strehim dhe ushqim. Qeveria dhe aktivistët e HIV duhet t’i çojnë përpara këto arritje dhe pse në kohë mjaft të vështira.

Shqipëria ka ruajtur një lloj stabiliteti në shifra, ndonëse këto vitet e fundit ka pasur një rritje. Kujt i dedikohet ky lloj “stabiliteti”?

Është e vërtetë që Shqipëria raporton shifra të ulëta të infeksionit HIV -1298 raste deri në fund të 2019. Ndër faktorët kryesorë që kanë kontribuar në këto shifra janë pa dyshim përpjekjet e shtetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mbështetjen e Fondit Global për të mbajtur epideminë e HIV në një nivel të kontrolluar. Por që kjo situatë të mbetet e tillë duhen gjetur zgjidhje të mëtejshme të financimit të shërbimeve për popullatat më të rrezikuara pas largimit të Fondit Global(2022), me qëllimin që të mos ketë shpërthime të epidemisë tek këto grupe si në rastin e Malit të Zi, Serbisë dhe disa vende të tjera të Evropës Juglindore.

Një nga kategoritë më në rrezik janë punonjëset e seksit. A ka një rritje ndërgjegjësimi mes tyre, krahasur me vitet e shkuara?

Sipas një studimi të mbështetur nga Fondi Global, janë rreth 2200 punonjëse seksi në të gjithë Shqipërinë. Por akoma puna e seksit është e kriminalizuar në Shqipëri dhe punonjëset e seksit “stigmatizohen”/”damkosen”. Kryesisht programet dhe materialet e ndërgjegjësimit, të informimit, dhe fushatat ofrohen/organizohen nga organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në këtë fushë, por për arsye të stigmës dhe të pandemisë është e vështirë të arrihen me informacion të drejtëpërdrejtë tashmë këto grupe. Fushatat online, telefonatat po përdoren gjërësisht për të informuar këtë popullatë për mënyrat dhe rëndësinë e mbrojtjes në kushtet e pandemisë.

Një sërë shoqatash operojnë në fushën e këshillimit, të mbështetura nga Global Fund, sa i rëndësishëm ka qenë roli i tyre në parandalimin e përhapjes së HIV-AIDS?

Pandemia e Covid-19, rrit rrezikun për shëndetin dhe mirëqënien e tyre në krahasim me pjesën tjetër të popullatës. Organizatat e shoqërisë civile, si Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ofron teste të shpejta të HIV, këshillim dhe informacion përmes klinikës së saj në Tiranë, punës në komunitet, por edhe përmes telefonit për punonjëset e seksit. Sfida është e madhe, por duke respektuar protokollin e sigurisë, të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me situatën e shkaktuar nga pandemia COVID-19 me qëllim që të respektohen masat mbrojtëse, distancimi fizik dhe higjena për të parandaluar rrezikun nga infektimi po u ofrohen shërbime jetësore kësaj popullate.

Ashtu siç e përendët edhe ju, ky vit ishte shumë i vështirë jo vetëm për Shqipërinë, për shkak të pandemisë Covid 19, çfarë ndikimi ka pasur në trajtimin e të sëmurëve me AIDS? A janë hasur problematika?

Njerëzit që jetojnë me HIV janë njësoj të rrezikuar nga Covid-19, sikurse edhe njerëzit të cilët nuk janë të infektuar me HIV. Më të rrezikuar ndër ta janë:

  • Të sëmurët me HIV, të cilët kanë një nivel të ulët të qelizave CD4 apo qelizave T, të cilat janë qeliza të bardha të gjakut që luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin imunitar të trupit.
  • Apo personat me HIV, të cilët nuk trajtohen me terapinë antiretrovirale.

Njerëzit që jetojnë me HIV duhet të marrin çdo ditë masat parandaluese për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Fatmirësisht gjatë karantinës dhe më pas janë marrë të gjitha masat e duhura që të kryhet furnizimi me antiretroviralë për këtë popullatë.

A është zvogëluar stigma ndaj të sëmurëve me HIV-AIDS?

Nëse citojmë studimin e kryer nga Shoqata Shqiptare e Pesonave që Jetojnë me HIV/AIDS, Personat që jetojnë me HIV të intervistuar, raportuan përvoja të stigmës dhe diskriminimit lidhur me statusin e tyre HIV pozitiv në një sërë fushash: diskriminim social, punësim, kujdes shëndetësor. Eshtë e nevojshme të ndërmerren politika të mëtejshme për të zvogëluar stigmën/damkosjen e kësaj popullate si nxitja e një jetese të shëndetshme duke ofruar shërbime psiko-sociale, mbështjetje socio-ekonomike, informacion dhe shërbime cilësore si  edhe mundësi për të trajnuar personat që jetojnë me HIV për  tematikat e  edukimit bashkëmoshatar, ndërtimin e rrjeteve, lidhur me të drejtat e tyre etj. Adresimi i këtyre sfidave do të ofronte mundësi për të rritur cilësinë e jetesës së personave që jetojnë me HIV në Shqipëri.

Nëse do ta lidhim me pandeminë e Covid-19, asnjë grup personash nuk ka të ngjarë të përhapë infeksionin Covid-19 më shumë sesa një grup tjetër. Ky është një informacion që duhet brendësuar nga të gjithë njerëzit me qëllimin që të mos ekzistojnë mite, të cilat nxisin stigmën dhe diskriminimin ndaj grupeve të caktuar dhe mund të pengojnë aksesin në shërbimet jetësore shëndetësore dhe ato të përkujdesit social dhe ekonomik.

A ka një mesazh në Ditën Botërore të HIV-AIDS?

Të drejtat e grave dhe vajzave, të grupeve më të rrezikuar nga HIV duhen respektuar; kriminalizimi dhe margjinalizimi i tyre që çon në barriera në marrjen e shërbimeve jetësore themelore duhet të marrë fund. Aksesi universal shëndetësor nuk mund të arrihet pa akesin në shërbime të HIV dhe shëndetit seksual dhe riprodhues për këto popullata!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura