MARIGLEN KUME/ Pas 8 vjetësh deputet në Vlorë, Kryeministri Edi Rama këtë herë ka zgjedhur të mbajë mandatin e deputetit në Qarkun e Durrësit.
Kryeministri Rama informoi dje Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për vendimin e tij, pasi në zgjedhjet e 25 prillit arriti që të siguronte mandatin e deputetit në të dyja qarqet, Vlorë dhe Durrës. “Në bazë të tabelave përmbledhëse të rezultateve të votimit për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për deputetë në zonat zgjedhore, Qarku Durrës dhe Qarku Vlorë, në zgjedhjet për Kuvendin e datës 25 prill 2021, rezulton se unë, Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, kam fituar mandatin e deputetit në këto dy qarqe. Në zbatim të pikës 3, të nenit 67, të ligjit nr. 10019, datë 29.12. 2008, Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, të ndryshuar me vullnetin tim të lirë zgjedh të mbaj mandatin e deputetit në qarkun e Durrës”, thuhet në përgjigjen e Ramës drejtuar Celibashit.
Me këtë vendim, Rama lë bosh vendin e tij në Vlorë, duke ia pasuar Teuta Ramajt, e cila renditet e 9 në listën shumemërore të kandidatëve të PS për qarkun jugor. Rama rezulton se ka marrë 1738 vota personale. Ajo, në fakt, është me numër të barabartë votash me kandidaten e PS-së e renditur e 12-ta në Vlorë, por duke qenë se asnjëra prej tyre nuk ka thyer herësin, por zëvendëson, mandatin e merr ajo që është në radhë sipas renditjes së partisë.
Në Qarkun e Durrësit kreu i Partisë Socialiste ishte më i votuari me 15 mijë vota, ndërsa në Vlorë mundi që të merrte rreth 11 mijë vota. Gjatë fushatës elektorale, Kryeministri kishte paralajmëruar se ndaj Durrësit kishte një borxh të madh. Ndërkohë, qeveria ka zgjedhur qytetin bregdetar të Durrësit edhe për zbatimin e projekteve madhore, siç është ndërtimi i portit të ri. Ndërkohë, vetë kryesocialisti në rrjetet sociale sqaroi se me vlorën do vazhdojë të ketë marrëdhënie shpirtërore, por arsyeja se përse kishte vendosur të ishte përfaqësues i qytetarëve të Durrësit ishte fakti i projekteve që duhet të zhvillohen në këtë qark. “Vlora ishte, është dhe do jetë deri në fund në zemrën time, kështu që me mandat, pa mandat, unë nga Vlora nuk ndahem as sot, as mot, ndërkohë në mendjen time Durrësi është vendi ku mandati i tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet, po për krejt Shqipërinë 2030”, shkroi kreu i qeverisë.
Ndërkohë, më herët ditën e djeshme informoi kreun e KQZ edhe Monika Kryemadhi se në cilin qark do të pranojë mandatin. Kryemadhi zgjodhi që të përfaqësojë në Parlament qytetarët e Qarkut të Fierit. Në zgjedhjet e 25 prillit, kryetarja e LSI kandidoi në Elbasan, Tiranë edhe Fier, ndërsa fitoi mandatin në Fier dhe në Ti- ranë. Duke qenë se Kodi Zgjedhor parashikon që kryetari i partisë mund të zgjedhë se ku do marrë mandatin, javën e kaluar kreu i KQZ i dërgoi një letër kryetares së LSI-së se cilin qark do përfaqësonte. Kjo e fundit ka zgjedhur Qarkun e Fierit. Në këtë mënyrë, në Parlamentin e ardhshëm nuk do mund të ulet Kejdi Mehmetaj, e cila ishte renditur e dyta në listën e LSI në Fier dhe mori 712 vota në emrin e saj.
Ndërkohë, mandatin që la Kryemadhi në Qarkun e Tiranës e merr Petrit Vasili, i cili në zgjedhjet e 25 prillit mori 362 vota preferenciale. Në listën e LSI në Tiranë, Vasili ishte renditur i 3. Në të gjithë Shqipërinë, LSI fitoi gjithsej 4 mandate: një në Shkodër, dy në Tiranë dhe një në Fier. Ndërkohë, në Parlament shkojnë dy burra dhe dy gra nga LSI.

SHPËRNDARJA E MANDATEVE
Kolegji Zgjedhor mbylli javën që shkoi edhe ankimimet e fundit të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke mos rezervuar asnjë surprizë për ndryshimin e rezultatit. Ndërkohë tashmë duket se edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është gati që të bëj…7 shpërndarjen e mandateve. Gazeta “Panorama” mëson se Komisioneri Celibashi do të nisë shpërndarjen e mandateve nga dita e mërkurë. Gjithashtu, mësohet përmes burimeve se kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili në kongresin e PS-së deklaroi se do të tërhiqet nga politika, nuk ka dorëzuar dorëheqjen për të mos marrë mandatin. Mësohet se Ruçi do të marrë mandatin, por nuk do të bëjë betimin dhe më pas do të vazhdojë procedura e zëvendësimit të mandatit të tij.
© Panorama.al











