Shqiptarët përcjellin Arbën Xhaferin

Aug 17, 2012 | 14:39
SHPËRNDAJE

Arbën Xhaferi

Nga i dërguari ynë në Tetovë, ARISTIR LUMEZI

-Tetova ishte e populluar dje si asnjëherë më parë. Qindra shqiptarë nga të gjitha trevat, kudo që jetojnë, Presheva dhe Bujanovci, Prishtina, Ulqini por dhe Tirana, kishin ardhur për t’i dhënë përshëndetjen e fundit njeriut të urtë, Arbën Xhaferi.

Dje në Tetovë, temperatura shënonte +38 gradë celsius, por kjo nuk i pengoi njerëzit të prisnin në diell derisa selia e PDSH-së, në sheshin kryesor të qytetit, të hapte dyert e saj për të gjithë qytetarët që donin t’i jepnin lamtumirën “babait të tyre shpirtëror”, siç u shprehën disa të rinj. Në orën 12:30 njerëz të thjeshtë, fshatarë, politikanë, biznesmenë që zbrisnin nga makina luksoze qindra-mijëra euro, deputetë, tregtarë të vegjël, ngjisnin shkallët për të shkuar në zyrën ku deri më 6 gusht punonte çdo ditë Arbën Xhaferi, në heshtje, në qetësi, por me mençuri dhe argument plot se si punët e kombit shqiptar mund të shkojnë më mirë. Në katin e dytë të godinës së selisë së PDSH-së, një foto gjigante e udhëheqësit që tashmë ishte ndarë nga jeta me nënshkrimin “In memoriam 1948- 2012”, me të cilën shkëmbenin shikimet të gjithë ata që ishin aty për homazhe. Në zyrën e Arbën Xhaferit, një foto me shirit të zi dhe disa karrige ku rrinin familjarët dhe drejtues të partisë. Ishte dje në homazhet e fundit edhe kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i Grupit Parlamentar të PDsë, Astrit Patozi, deputeti dhe ish- kryeministër i Shqipërisë, Pandeli Majko, por dhe kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetë të kësaj partie. Nuk munguan në homazhe deputetë të të dy partive kryesore maqedonase VMRO-DPMNE, por as Kryeministri dhe Presidenti i Maqedonisë. Ra në sy dje, në ceremoninë e varrimit të shqiptarit të urtë, mungesa e Ali Ahmetit, kundërshtarit politik të PDSH, i cili është në qeverisje me partitë maqedonase. Në sy ra gjithashtu dje dhe mungesa e drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar. Mungonte Presidenti i Republikës Bujar Nishani, Kryeministri Berisha, por dhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Meqë kishim të bënim me një rast mortor, kjo mungesë u komentua nën zë edhe nga shumë anëtarë të PDSh-së, bashkëpunëtorë të Xhaferit, njohës të mirë të marrëdhënieve të tij me krerët e së djathtës shqiptare. Në orën 13:00 homazhet u mbyllën për t’ia lënë vendin më pas përcjelljes popullore për në varrezat e qytetit. Nga selia e PDSH-së arkivoli doli i mbajtur nga kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi dhe familjarë të Xhaferit, për t’ua lënë vendin më pas dhe shumë miqve dhe politikanëve të tjerë. Nga sheshi kryesor e deri në varreza, në një distancë prej 1 kilometri, qytetarët me kurora dhe lule në duar kanë shoqëruar në heshtje automjetin që mbante arkivolin e Arbën Xhaferit, i zbukuruar sipas rregullit mysliman. Qyteti në heshtje shoqëronte kortezhin e gjatë me mijëra qytetarë, ndërsa trafiku u ndal për disa minuta deri në përcjelljen e qytetarit që, edhe pse e nisi karrierën e tij në Prishtinë, e mbylli atë vetëm pak metra larg shtëpisë ku lindi, në qytetin e tij Tetovë.

JETA PRISHTINË-TETOVË

Arbën Xhaferi ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë, Vlorën dhe Ilirin. Pas mbarimit të studimeve dhe nisjes së punës si gazetar i Televizionit të Prishtinës, Arbën Xhaferi e kishte ndërtuar jetën e tij mes Prishtinës dhe Tetovës. Në Prishtinë kishte familjen, ndërsa në Tetovë jetën e tij politike, shoqërore dhe njerëzore, me vëllezërit, miqtë dhe partinë që ai vetë krijoi dhe udhëhoqi. Nga e hëna në të premte, Xhaferi qëndronte në Tetovë dhe fundjavat shkonte në Prishtinë, ku kishte dhe bashkëshorten.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura