Shqipëria mund të mësojë shumë nga vendi me kryeqytetin me ajrin më të pastër në botë

Oct 10, 2017 | 8:00
SHPËRNDAJE

edvin pacaraEDVIN PACARA

Bëhet fjalë për Republikën e Estonisë, një shtet pjesë e BE-së që në 2004, ku në 2003-shin lindi Skype-i. M’u dha mundësia të jetoja në Estoni në vitet 2011-2016, ku dhe jam rezident e ku mësova gjuhën estoneze, një gjuhë sa interesante, aq dhe melodioze.  Do të duhej një shkrim shumë i gjatë për të paraqitur mësimet që Shqipëria mund të nxjerrë nga Estonia. Sepse kemi një histori aq të ngjashme, sa dhe e kemi të ndryshëm nivelin e zhvillimit e përparimit.

Estonia është i vetmi vend në botë që është i tëri me qeverisje elektronike e ku të gjitha shërbimet shtetërore janë online.
E gjitha filloi me vullnetin e qeverive të ndryshme estoneze për të lehtësuar jetesën e estonezëve, për të ulur kostot e për të krijuar një klimë ndihmuese në përparimin e vendit dhe biznesit. Hapi i parë u bë në 1996-ën me futjen e shërbimeve bankare me anë të internetit, gjë që u pasua menjëherë më vendimin për ta bërë Estoninë një vend me qeverisje elektronike. U deshën vetëm 3 vjet, që Estonia të ndërtonte dhe të aplikonte sistemin X-Road, që është struktura ku të gjitha agjencitë e strukturat e shtetit komunikojnë në kohë reale në mënyrë elektronike, dhe identifikimi i çdo rezidenti apo shtetasi estonez bëhet me anë të kartës së tij të identitetit. Pra, kur një estonez paguan një taksë të caktuar, ai informacion shpërndahet në të gjitha organet e shtetit në kohë reale, dhe kjo shmang nevojën për kërkim informacioni nga ministri te tjetra apo nevojën për vërtetime e çertifikata. Nëse do që të hapësh një firmë, të duhet vetëm karta e identiteti,  lexuesi i kartës, internet dhe vetëm 5 minuta punë për të plotësuar formularin online.  E njëjta procedurë nëse do të votosh apo të marrësh çfarëdo shërbimi tjetër nga administrata. Mbi 30% e estonezëve zgjodhën të votojnë me anë të internetit në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2015-ës. Nuk ka rëndësi ku ndodhen votuesit estonezë në javën kur votimi me anë të internetit është i hapur – edhe sikur një estonez të ndodhet në stacion hapësinor në hapësirë, mjafton të ketë lidhje me internetin e mund të votojë për kandidatin e partinë që dëshiron.
Sigurisht, që ky sistem kërkon mbrojtje të mirë, gjë që ka bërë që të dhënat të jenë të inkriptuara dhe Estonia të zhvillojë disa nga sistemet më të mira të mbrojtjes kibernetike. Jo më kot Qendra e Ekselencës për Bashkëpunimin në Mbrojtjen Kibernetike e NATO-s (NATO CCDCOE) ndodhet në Talin, kryeqytetin e Estonisë.
Estonia ka shkuar më tej, duke ruajtur të gjithë qeverisjen e saj elektronike në servera në vende të ndryshme të botës. Pra, edhe sikur Estonia të pushtohet e qeveria e popullata e saj të largohen nga vendi, shërbimet e shtetit, shteti, bankat e të gjitha të dhënat e banorëve e subjekteve, janë të ruajtura e vazhdojnë të funksionojnë përsëri.
Duke parë suksesin me qeverisjen elektronike, Estonia ka ndërmarrë hapa që ta përhapë këtë sistem edhe në vende të tjera duke i ofruar këtë zgjidhje (sidomos për votime) edhe Republikës së Shqipërisë, por që fatkeqësisht nuk është pranuar ende nga qeveritë shqiptare.
Tashmë, shërbimet elektronike të Estonisë janë të hapura dhe për shtetasit e huaj, me anë të rezidencës elektronike (e-residency), një rezidencë virtuale që lejon këdo që aplikon për të, që të hapë një firmë, llogari bankare etj., në Estoni, megjithëse ai ndoshta nuk shkel kurrë në atë vend.

Talini, kryeqyteti i Estonisë nga lart. Foto: Edvin Pacara
Talini, kryeqyteti i Estonisë nga lart. Foto: Edvin Pacara

Natyra
Estonia gjendet në jug të Finlandës, nga e cila ndahet nga Gjiri i Finlandës, dhe kufizohet me Rusinë në lindje, Letoninë në jug e detin Baltik në perëndim.Megjithëse me një sipërfaqe prej 45 339 km2, Estonia ka një popullsi prej vetëm 1 315 000 banorësh, duke e bërë një nga vendet me përqindjen më të lartë të sipërfaqes pyjore: 61% e Estonisë është e mbuluar nga pyjet. Është gjë e zakonshme të shohësh dhelpra, lepuj, drerë e nganjëherë edhe arinj në Talin (kryeqyteti i Estonisë), i cili ka 100m2sipërfaqe të gjelbër/frymë dhe sipas OBSH-së ishte kryeqyteti me ajri më të pastër në botë në 2011-2012. Sa për krahasim, Tirana ka vetëm 2-3 m2 sipërfaqe të gjelbër/frymë dhe nëse në Shqipëri arinjtë vriten sapo shihen, në Talin një ari shëtiti i pashqetësuar në mes të kryeqyteti në 2012-ën. Estoniaka rreth 800 arinj por deri më sot nuk ka ndodhur asnjë incident mes arinjve e estonezëve, e me mijëra turistë nga vende të ndryshme, vijnë çdo vit për të parë arinjtë që ecin në pyjet e dendura estoneze.
Estonezët janë tepër krenarë për natyrën e vendit të tyre dhe e mbrojnë atë me fanatizëm. Jo më kot dhe protestat e para për të kërkuar çlirimin nga zgjedha sovjetike, filluan si kundërshtim ndaj vendimit të Moskës për të gërmuar veriun e Estonisë për fosfat. Ndërsa ecën në mijërat e kilometrave të plazheve që ka Estonia, është e vështirë të gjesh ndonjë mbeturinë në rërë apo në pyjet e Estonisë. Prandaj Estonia ishte vendi i parë që shpiku në 2008-ën nismën për pastrimin e vendit në një ditë, nismë që tashmë është bërë botërore. Përveç pyjeve, një veçori e natyrës estoneze janë dhe rreth 2000 ishujt e 1200 liqenet e Estonisë, dhe moçalet karakteristike që vizitohen nga qindra mijëra turistë. Bota shtazore është shumë e pasur, me ujq, arinj, rrëqebuj, drerë brilopatë, derra të egër, foka e deri te ketra fluturues.

Moçali Viru në Parkun Kombëtar Lahemaa. Foto: Edvin Pacara
Moçali Viru në Parkun Kombëtar Lahemaa. Foto: Edvin Pacara

Pak histori
Estonezët janë një popull fino-ugrik dhe gjuha estoneze ka lidhje me gjuhën finlandeze. Që nga pushtimi danez në kohën e kryqëzatave, estonezët kanë kaluar pushtime të ndryshme si ai gjerman, suedez e rus. Shpallën pavarësinë më 24 shkurt 1918 e cila u pasua me luftën estoneze të pavarësisë dhe pas më shumë se një vit luftimesh, estonezët arritën të mundnin forcat ruse, duke bërë që Rusia të ulej në bisedime për paqe e të pranonte pavarësinë e Estonisë. Vendi u arriti zhvillim të mirë nga periudha e çlirimit deri në Luftën e II Botërore. Në 1939-ën, Estonia u pushtua nga forcat sovjetike, të cilat eliminuan elitën estoneze dhe çuan me dhunë me dhjetëra mijëra estonezë në Siberi, ku më shumë se gjysma vdiqën në kushte çnjerëzore. Me gjithë luftimet e ashpra në 1944-ën, forcat gjermane e estoneze nuk arritën t’i bëjnë ballë furisë së Ushtrisë së Kuqe, e cila shkatërroi Talinin e qytetin Narva. Periudha e pushtimit sovjetik ishte një periudhë e zymtë për kombin estonez, megjithëse lëvizjen guerrile në pyjet estoneze kundra ushtrisë sovjetike nuk reshtën deri në vitet ’50. Në 1989-ën, më shumë se 1 milionë banorë të Estonisë, Letonisë e Lituanisë, u kapën dorë për dorë duke formuar zinxhirin njerëzor në shenjë proteste kundra pushtimit sovjetik. Në 1991-shin, Estonia e rifitoi pavarësinë dhe me hapa të shpejtë eci drejt riorientimit të plotë të vendit drejt ekonomive perëndimore, duke rritur nivelin ekonomik e të jetesës e duke u futur pa ndonjë problem në BE, në 2004-ën.

Ekonomia

Estonia ka një sistem ekonomik liberal, i cili i mundëson çdo rezidenti hapjen e një numri të pakufizuar firmash/kompanish. Estonia ka një sistem takse të sheshtë. Tatimi mbi fitimin është vetëm 20%  dhe 0% nëse fitimet riinvestohen. Në një klimë ndihmuese nga shteti, të bësh biznes është e lehtë në Estoni. Me regjistrimin e firmës, nuk ke asnjë detyrim ndaj shtetit nëse nuk ke të ardhura në firmë e nëse nuk do të paguash rroga. Dhe nuk ka kufizim mbi fushat e aktivitetit të firmës. Për shembull, nëse një estonez hap një firmë bërjefaqesh interneti, dhe gjatë gjithë vitit ai bëri 50 000 euro hyrje në llogari bankare të firmës, ai nuk paguan asnjë tatim përveç rastit kur ai dëshiron t’i tërheqë si dividendë apo t’ia paguajë vetes një rrogë.
Shteti estonez është një ndër shtetet me borxhin të vogël, me vetëm 9,5% te PBB-së. Estonia është në eurozonë që prej 1 janarit të 2011-ës, dhe PBB në vitin 2016 ishte $29 312/frymë. Estonia doli e 8-ta në renditjen për liri ekonomike të vitit 2015, dhe e 4-ta në Evropë.
Forbes e ka renditur  Estonisë në vend të 13 në 201-ën, në listën e vendeve më të mira për të bërë biznes. Kjo liri ka bërë që Estonia të jetë një ndër vendet me më shumë startups (nisma biznesi) në botë për frymë banorësh.
Elektronika, produktet ushqimore e veshmbathje, makineri e pajisje, lëndë drusore e ndërtimi janë sektorët kryesorë të ekonomisë.

Qendra e Talinit. Foto: Edvin Pacara
Qendra e Talinit. Foto: Edvin Pacara

Pra, Shqipëria ka kas shumë për të mësuar nga ky komb i vogël, me histori të ngjashme me ne por me drejtim zhvillimi e përparimi të ndryshëm, komb që me vullnet ka arritur gjëra që ne shqiptarët ende i ëndërrojmë. E gjitha kjo falë dashurisë së tyre për atdheun dhe vështrimin drejt të ardhmes. Estonezët nuk presin që të vijë dikush t’i mbrojë e t’ua ndërtojë vendin e tyre, por e mbrojnë dhe e ndërtojnë vetë. Lidhja e Mbrojtjes, një organizatë ushtarake vullnetare ka rreth 25 500 estonezë që vullnetarisht stërviten për të mbrojtur vendin, ndërsa në të gjithë Estonisë ka rreth 1000 policë vullnetarë, të cilët patrullojnë bashkë me forcat e policisë. Dhe e gjitha kjo vullnetarisht.
“Pa pagesë? Si, nuk paguhen këta policët vullnetarë?” më pyeti duke shqyer sytë një shqiptar nga një delegacion zyrtar për të cilët përktheva vjet në Estoni. “Po, vullnetarë do të thotë që e bën për vetveten, për komunitetin tënd, e jo sepse dikush të paguan.” ia ktheva. Zyrtari tundi kokën me habi. Kush e di se çfarë mendonte. Se në Shqipëri është e habitshme që dikush të punojë për veten, për komunitetin e kombin… E pra, shtetet nuk bëhen me pagesë, por me vullnet e punë vullnetare.

Universiteti i Tartuit i hapur që në vitin 1632. Tartu, Estoni. Foto: Edvin Pacara
Universiteti i Tartuit i hapur që në vitin 1632. Tartu, Estoni. Foto: Edvin Pacara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura