Shit!

Apr 30, 2017 | 11:50
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Pikësëpari jam i detyruar, moralisht i detyruar, t’i siguroj lexueset e lexuesit e ndershëm të kësaj rubrike të përjavshme gati pesëmbëdhjetëvjeçare, se titulli i saj nuk ka të bëjë fare me fjalën anglo-amerikane “shit” pra ky titull nuk bie asnjë lloj ere organike të pakëndshme. Pra, bëhet thjesht fjalë për foljen shqipe “shes” në mënyrën urdhërore, veta e dytë njëjës, “shit!”, si, për shembull, në togfjalëshit “shit e bli!”, “mos shit mend!”, “mos shit dëngla!” “mos shit por…tokaj me rigon!” e plot të tjerë, që populli ynë i përdor rëndom në jetën e përditshme. Sigurisht, shumëkush mund të pyesë me të drejtë përse sot, pikërisht sot, unë kam zgjedhur foljen “shes” si strumbullar të shkrimit tim. E thjeshtë fare: sepse ka fort të ngjarë, meqë e majta jonë në pushtet nuk pranon, siç i kërkon e djathta jonë në opozitë, të krijojë një qeveri teknike pa Edi Ramën si Kryeministër para se të shkohet në zgjedhje, ndërkohë që ky i fundit kërkon të mbetet Kryeministër qoftë edhe i një qeverie teknike ku të figurojnë disa titullarë të djathtë, ama në ministritë e caktuara prej atij, ka fort të ngjarë, pra, që folja “shes”, e cila në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore jep “shit!”, të riaktivizohet jashtë çdo mase e parashikimi nëse qeveria aktuale e çon vendin në zgjedhje edhe pa pjesëmarrjen e së djathtës. EdmondTupjaKështu ma shpjegoi me pak fjalë situatën e sotme ish-kolegu dhe miku im, Françesk Armadhi. Sipas logjikës së tij, e majta në pushtet do të vërë sërish në funksionim, ashtu si katër vjet më parë, mekanizmin e shitjes së votave nga ana e zgjedhësve, mekanizëm i cili, si kurrë ndonjëherë, është bërë tashmë pjesë e lojës elektorhale në Bursën e politikës shqiptare. (Kështu foli Françesk Armadhi, duke shtuar e shqiptuar me forcë tingullin “h” te fjala “elektorale” e duke i bërë dashur pa dashur jehonë kuptimit negativisht të parfumuar që fjala “shit” ka në gjuhën anglo-amerikane). Gjithsesi, mekanizmi i sapopërmendur është përsosur në mënyrë të tillë që, në funksionoftë me sukses të plotë kësaj here në Shqipërinë tonë tmerrësisht demokratike, gjithë shtetet demokraturiale të kontinentit afrikan, rreth tridhjetë e ca të tilla, do të nxitojnë seriozisht e përzemërsisht të dërgojnë specialistët e tyre në vendin tonë për të përfituar nga përvoja e së majtës sonë mendjendritur në marrjen e, sidomos, në mbajtjen e pushtetit me anë të shit(!)blerjes së votës.

Natyrisht që, gjithmonë sipas hulumtimeve e parashikimeve të Françesk Armadhit, votat do t’u blihen zgjedhësve me art e mjeshtëri në mënyrë që ata të ndihen katërcipërisht aktorë, faktorë e traktorë të Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë mavi deri në mavijosje! Në këtë kontekst, e majta shqiptare po përsos metodat e saj me qëllim që asnjë votë të mos shkojë dëm, prandaj ajo po punon që të gjithë nëpunësit e administratës publike të kryejnë inventarin objektiv e real të votëshitësve në familjet, krushqitë, shoqëritë e miqësitë e tyre dhe që, pa më të voglën vonesë, të bëjnë punë bindëse me ata për t’i lidhur pazgjidhmërisht me shitjen partiake e patriotike të votës, shitje e cila do t’u shpërblehet atyre dobiçmërisht me punësim të garantuar, mirëqenie të siguruar dhe lumturi të lulëzuar. Falë kësaj pune bindëse, Omar Hoçka, koleg i dikurshëm i Françesk Armadhit, i premtoi solemnisht shefit të vet në Ministrinë e Punëve Kutërbuese se gjithë familjarët, kushërinjtë, krushqit, shokët e miqtë e tij do t’i shisnin votat e veta në emër të së ardhmes së tyre mav(r)i, sepse, sipas fjalëve të vetë Omarit, e majta shqiptare, nën drejtimin e çiftit Rameta dhe për të mirën fatlume të mbarë popullit tonë, po përpiqet me partishmërinë më të parfumuar që t’i bëjë gjithë shqiptaret e shqiptarët të ndihen përfundimisht e krenarisht kryelartë ngaqë do të zbatojnë parullën “Votën tënde shit, / O koleg Omar, / Ulu ti dhe prit / Që të mbijë bar!”

Shit! Shit! Shit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura