Rudi Erebara fiton Çmimin Europian të Letërsisë

Apr 22, 2017 | 15:52
SHPËRNDAJE

Me një roman për diktaturën, nën titullin “Epika e yjeve të mëngjesit”, shkrimtari Rudi Erebara është një nga fituesit e Çmimit Europian të Letërsisë për vitin 2017.

Ky ishte viti i dytë për Shqipërinë, pas pjesëmarrjes (një herë në tre vjet) në vitin 2014, që shpalli fitues Ben Blushin me romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, që bëhet pjesë e kësaj gare.

Rudi Erebara

Në Çmimin Europian të Letërsisë marrin pjesë gjithsej 36 shtete, të ndara në 3 grupe dhe që përzgjidhen një herë në 3 vjet. Vendet e përzgjedhura për vitin 2017 janë: Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Greqia, Islanda, Letonia, Malta, Mali i Zi, Holanda, Serbia, Turqia dhe Britania e Madhe.

Edhe këtë herë konsorciumi për koordinimin dhe dhënien e këtij çmimi, ashtu si edhe në vitin 2014, përzgjodhi sërish Shoqatën e Botuesve Shqiptarë për të organizuar procesin e këtij çmimi në Shqipëri.

“Viti 2017 ishte viti i dytë dhe juria jonë, në bazë të kritereve të përcaktuar nga Komisioni Europian shqyrtoi rreth 50 tituj veprash letrare që u paraqitën. Juria i lexoi të gjithë librat dhe diskutoi me seriozitet kandidaturat e mundshme”, thotë kryetari i shoqatës, Petrit Ymeri.

Sipas tij, në përfundim të turit të parë u përzgjodhën 4 autorë: Grigor Banushi, me romanin “Mëria e Zanave”; Vera Bekteshi, me romanin “Ora me rërë”; Rudi Erebara, me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit” dhe Romeo Çollaku, me romanin “Mjaltë në ‘teh”. Por në fund u zgjodh Rudi Erebara, poet, shkrimtar e përkthyes (“Fillon Pamja”, “Lëng argjendi”, “Vezët e thëllëzave”, “Epika e yjeve të mëngjesit”).

“Rudi Erebara kishte një roman shumë interesant, me një stil tërheqësh dhe me shumë vërtetësi, realizëm. Personazhe janë të vizatuar në mënyrë bindëse dhe të individualizuar. Libri kishte shumë atmosferë të Shqipërisë së viteve ’70-’80 të shekullit të kaluar. Romani i Rudi Erebarës të emociononte dhe të mbante pezull, sikurse ndodh me librat vërtet të mirë.

Besoj se Rudi Erebara, që është një krijues i ri në moshë, do të ketë të ardhme në letërsi. Këtë na e dëshmon serioziteti dhe vazhdueshmëria në punën e tij të deritanishme, në poezi e në prozë, por edhe në përkthime. Ai është një djalë dinamik edhe në letërsinë e tij, sikurse edhe në jetë. Urojmë të ketë fat, edhe në gjuhët e tjera, sepse emri i tij dhe librat e tij tashmë do të jenë të kërkuar edhe nga botuesit e huaj”, tha Ymeri.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura