Revolta e Kuçovës 30 vjet më parë, rrëfehet Bozhiqi: Babai më tha të mos luaja!

Jun 7, 2018 | 19:00
SHPËRNDAJE

E konsideron ndeshjen më të vështirë dhe më delikate të karrierës, kur atë ditë ka qenë i detyruar të luajë kundër ish-skuadrës, popullit e qytetit që e kishte rritur. Kuçovari Ilir Bozhiqi, sot zv/ trajner i Kombëtares dhe i Skënderbeut rrëfen me detaje për “Panorama Sport” se si e përjetoi revoltën e qytetit të tij.

ilir bozhiqi

Ilir, çfarë ndodhi me Dinamon dhe pse qëndruat në Berat para ndeshjes?

Kjo ndodhi për t’iu shmangur atmosferës. Dinamo udhëtoi një ditë para duke u sistemuar në hotelin “10 Korriku”, aneks i Turizmit në Berat. Atë ditë erdhi babai im gjatë orëve të paradites edhe më pyeti: “Do luash?” – “Po i them”, pasi kisha marrë edhe besimin nga trajneri Birçe.

Si reagoi ai?

Ishte hera e dytë që pas 85-ës, që me Dinamon do të luaja në vendlindje. “Mos luaj, – më tha, – sot të gjithë Kuçovën do e kesh kundër, sepse janë të irrituar dhe të sigurt që do të dalin në të parën”. “Do luaj, – iu përgjigja, – pasi te Dinamo ka vlonjatë, shkodranë dhe i bie që ata të mos luajnë kundër qyteteve të tyre…”. Por, ai kishte problemin tim se mos përplasesha me tifozët.

Dhe si shkoi ndeshja…

Më shanin në kor gjatë gjithë takimit: “Vdekje tradhtarëve, Bozhiqi i shitur te Dinamo”. Asnjë shqetësim nuk pata me futbollistët në fushë, sepse kishim raporte të mira. Shpesh si kuçovar ndërhyja për të qetësuar situatat. Ndonëse e kishin me arbitrin, i thosha se “po të donin të favorizonin Dinamon, e kishin bërë në Tiranë ndeshjen e dytë”.

Në dhomat e zhveshjes, a është e vërtetë që ju erdhi familja?

Nuk mund të dilja, edhe prindërit e shqetësuar nuk erdhën, sepse ishte e pamundur. Vetëm një komshi i imi solli dy bukë të mëdha, djathë e domate. Kujtoj se na prenë edhe energjinë elektrike. Pastaj në mesnatë na ndihmuan të largoheshim të shoqëruar edhe nga Drejtori i Policisë, Fadil Cani.

Kur u kthyet në Kuçovë?

Pas katër ditësh. Të premten luajtëm me rumunët e Corvinul (1-1), për Kupën Ballkanike, pas së cilës jam kthyer në Kuçovë. Ndonëse situata ishte më e qetë, mamaja më thoshte: “Bëj kujdes, janë të acaruar”. Por, asnjë reagim, madje tifozët më takonin duke më thënë “Bozhiq, Naftëtari nuk ka gjë me ty, nuk na nxore ti nga kategoria”.

Nga UVIL ZAJMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura