Premton si kryeministër: Do hap 300 mijë vende pune

May 4, 2011 | 9:55
SHPËRNDAJE
RAMA DJE ME 12 KANDID ATET PER KRYETAR BASHKIE, DUKE SHPALLUR PAKTIN QYTETAR

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nënshkroi dje një pakt qytetar të Aleancës për të Ardhmen, për katër vitet e ardhshme.Pakti u lexua dhe u firmos fillimisht nga Edi Rama e pritet që firmat të hidhen nga të gjithë kandidatët socialistë në këto zgjedhje për bashki dhe komuna. Përmes një aktiviteti të organizuar në Pallatin e Kongreseve, në prani të të gjithë kandidatëve të koalicionit, Rama detajoi se çfarë ka bërë Bashkia e Tiranës në këto 10 vjet dhe çfarë premton të bëjë në mandatin e ardhshëm. Pakti është konceptuar si një angazhim programor në tri pika: punësim, familje dhe e ardhmja. Ndër premtimet kryesore të paktit ishin krijimi i 300 mijë vendeve të punës. Kreu socialist sqaroi se ky premtim nuk ka të bëjë vetëm me Bashkinë e Tiranës, por me të gjithë vendin ku do të drejtojnë të zgjedhurit socialistë. Kandidatët e majtë angazhohen për lehtësira të forta fiskale për çdo biznes, mbështetje financiare për hapjen e bizneseve të vogla, të drejta të garantuara për çdo nëpunës, heqjen e taksave për të gjitha kategoritë në nevojë, përgjysmim të TVSH-së, 50% e qirasë ose kredi të buta për të pastrehët, qendra sociale për pensionistët dhe gratë në nevojë, çeku i bebes dhe një pemë e re për çdo fëmijë që lind, bursë bashkiake për çdo nxënës të shkëlqyer, 100% rrugë të shtruara dhe transport publik i standardeve europiane, plan të integruar zhvillimi urban dhe zgjidhje të çështjes së pronësisë mbi tokën. “Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për të Ardhmen angazhohem që t’i përmbush këto pika brenda katër viteve të ardhshme, jo thjesht si kryetar i Bashkisë, as i PS-së, por si një shqiptar që e dua të ardhmen e këtij vendi”, tha Rama, duke folur në takimin me kandidatët për kryetar bashkie dhe komune në Pallatin e Kongreseve. Kryetari i PS-së ka vënë theksin te taksat e larta që qytetarët dhe biznesi i paguajnë qeverisë, të cilat janë 70 herë më të larta në krahasim me tri taksat që i janë paguar Bashkisë së Tiranës. “Qytetarët paguajnë vetëm 550 lekë në muaj për të gjitha punët e mëdha, ndërkohë që një pensionist paguan vetëm 8.3 lekë në muaj, një familje në ndihmë ekonomike vetëm 8.3 lekë në muaj, ndërsa invalidët dhe të verbrit 0 taksa. Nga ana tjetër, çfarë u paguajnë qytetarët e Tiranës atyre që bëjnë sikur u qajnë hallin, por përditë i detyrojnë me taksa e detyrime? Një familje e zakonshme i paguan qeverisë 35 mijë lekë  në muaj. Pra 70 herë më shumë për qeverinë, sesa për Bashkinë. Ndërsa me taksat e Bashkisë ndërtohet përditë qyteti, me taksat e qeverisë bëhemi gjithnjë e më të varfër dhe ta papunë, të mbërthyer nga pasiguria”, u shpreh Rama. Kreu socialist premtoi se me të ardhur e majta në pushtet do të hiqet çdo taksë abuzive e vendosur në emër të Bashkisë nga qeveria aktuale. “Në fund do ta mbyll me një lajm: çdo taksë që qeveria e Saliut i ka shtuar biznesit të vogël duke e dezinformuar sikur e ka vënë Bashkia, ne do ta heqim në sekondën e parë kur të vijmë në qeveri”, u shpreh kreu i PS-së.
“Vota është vendimtare për të ndarë këto dy rrugë dhe dy vizione të ndryshme, se çfarë është vendi ynë dhe se si mund të zhvillohet ai. Më 8 maj të gjithë do ta kenë të qartë se ende sot, pas gjithë këtyre ditëve, Saliu nuk është në gjendje të na tregojë një qytet, një komunë, të na thotë ky është modeli ynë, shikojeni”, theksoi Rama. Kryesocialisti, gjatë fjalës së tij, është munduar hap pas hapi të hedhë poshtë premtimet e kundërshtarit të tij në këtë garë, Lulzim Basha, lidhur me heqjen e taksave, përmirësimin e transportit, gjendjen e shkollave, por dhe administrimin dhe transparencën e fondeve të Bashkisë.

Pakti Qytetar i Aleancës për të Ardhmen

.    Punësim dhe luftë papunësisë

.    300 mijë vende të reja pune.

.    Lehtësira të forta fiskale për çdo biznes prodhues.

.    Mbështetje financiare për formimin profesional të të rinjve dhe kreditim për hapjen e bizneseve të vogla të tyre.

.    Heqja e të gjitha tatimeve të qeverisë mbi biznesin e vogël dhe liri të paprekshme për çdo sipërmarrës.

.    Administratë publike transparente dhe të drejta të garantuara për çdo nëpunës.

.    Familja, kujdes, përkrahje dhe mbrojtje

Asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë.

.    Të paktën përgjysmim të TVSH për ushqimin bazë dhe zero TVSH për ilaçet.

.    50% të qirasë ose kredi të buta për të pastrehët.

.    Qendra sociale për pensionistët, gratë dhe fëmijët në nevojë.

.    Mësues të vlerësuar sipas meritës dhe të çliruar nga çdo presion politik.

.    E ardhmja, ëndrrat që bëhen realitet

.    Ceku i bebes dhe një pemë të re për çdo fëmijë që lind.

.    Bursë bashkiake për çdo nxënës të shkëlqyer.

.    Shkolla europiane dhe qendra komunitare për të rinjtë.

.    100% rrugë të shtruara, pastrim shembullor në gjithë territorin dhe transport publik sipas standardeve evropiane.

.    Plan i integruar zhvillimi urban, ekonomik e social në çdo njësi dhe qark, duke i dhënë fund kaosit territorial në vend, duke mbrojtur natyrën, pasurinë publike dhe zgjidhur çështjen e pronësisë mbi tokën.

Anila Bisha: Premtimet e Ramës, si ato të 2007

Pas fjalës së Ramës reagoi dhe shtabi elektoral i kandidati demokrat, Lulzim Basha. Anila Bisha, zëdhënëse e fushatës së Bashës, tha dje se Rama bëri të njëjtat premtime si në 2007-n. “Të gjitha këto premtime i kemi dëgjuar edhe më parë. Premtimet e Edi Ramës sot nuk përmbajnë asgjë më shumë se sa të njëjtat premtime elektorale të zgjedhjeve të vitit 2007. Rama premtoi të ndërtonte rrugë të reja për të rregulluar trafikun. Të gjithë e dimë se si është trafiku sot në Tiranë. Ai premtoi 10 shkolla të reja, që jo vetëm nuk u ndërtuan kurrë, por edhe aktualet nuk janë të sigurta për fëmijët tanë. Premtoi Internet falas për të gjithë të rinjtë, ai premtoi të ndërtonte 400 terrene sportive, si dhe premtoi ta shndërronte Tiranën në qytetin më të pastër”, u shpreh Bisha.

Dako: Kemi rigjallëruar qytetin
Kreu i Bashkisë Durrës tha se në këto katër vjet ky qytet ka nisur të rivitalizohet. “Katër vjet më parë, në Durrës nisëm një epokë të re urbane me rikthimin e hapësirave dhe shesheve publike qytetarëve. Me këtë nismë kemi synuar t’i japim jetë vëmendjes kushtuar qytetit historik dhe zonës qendrore të tij, pas shumë vitesh zhvillimi kaotik, me programin ‘Rikualifikimi urban i qytetit’, kemi pasur në qendër të vëmendjes trajektoren e re turistike, me rivitalizimin e sheshit ‘Demokracia’, bulevardit ‘Dyrrah’, rivitalizimin e sheshit ‘Iliria’ dhe projektin ‘Vija e kaltër’, e emërtuar si vizioni ynë i së ardhmes”, u shpreh Dako.

Sejdini: Ëndrra për Elbasanin vazhdon
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Qazim Sejdini, tregoi dje transformimet e bëra në këto katër vjet në këtë qytet. “Katër vjet më parë, kur qytetarët e Elbasanit më besuan votat e tyre, besuan në programin tim, qyteti im ishte një qytet i harruar, me një infrastrukturë të dobët. Janë përfunduar të gjitha investimet e planifikuara nga Bashkia, janë  shtruar 185 mijë m2 rrugë dhe rrugica, janë sistemuar me sistem ngrohje 18 kopshte, janë meremetuar 70 fasada pallatesh. Të rinjtë elbasanas dëshirojnë të jetojnë sot në qytetin e tyre. Por ky qytet meriton edhe më shumë. Pas 8 majit ne do të vazhdojmë punën dhe projektin tonë për ta shndërruar Elbasanin në një qytet europian. 100% e rrugëve do të jenë të asfaltuara, 100% e fasadave do të jenë të riparuara. Do të përfundojë sistemi i ngrohjes në shkolla dhe kopshte”, u shpreh Sejdini në fjalën e tij.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura