Rama në Kroaci: Duhet të bëhemi bashkë. “Unaza e Medheut”, domosdoshmëri për integrimin

Aug 26, 2014 | 17:47
SHPËRNDAJE

Rama gjate takimit ne Kroaci

UPDATE- Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit që pati një ditë më parë me Kryeministrat e Kroacisë, Zoran Milanoviç, të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe të Bosnjës, Vjekoslav Bevanda, që u mbajt në Kroaci nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të asaj që ai e quajti “Unaza e Medheut”.

“Sot jemi këtu, të gjithë sëbashku, me Kryeministrin e Kroacisë, të Malit të Zi dhe të Bosnjës, për të pasur një pozicion të përbashkët në Konferencën e Berlinit, lidhur me një projekt madhor, që është projekti i ”Korridorit të Kaltër” apo autostradës që do të lidhë pjesën tjetër të Mesdheut, veriun e Kroacisë me pjesën jugore të Kroacisë, me Malin e Zi, me Shqipërinë dhe më poshtë me Greqinë, për të krijuar përfundimisht “Unazën e Mesdheut,” – u shpreh Kryeministri Rama.

Ndërsa garantoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për këtë projekt dhe çdo projekt zhvillimi rajonal, Rama theksoi se bashkëpunimi i qëndrueshëm në rajon është një domosdoshmëri për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për të çuar përpara procesin europian të integrimit. 

“Sigurisht që kjo nuk është e vetmja temë, por kjo është kryefjala e këtij pozicioni të përbashkët dhe Kroacia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria dhe Kosova do të mbështesin fort këtë projekt, sepse ne e shikojmë si një domosdoshmëri për të bërë një hap të fortë përpara, drejt integrimit të të gjithë rajonit dhe atij zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe atij bashkëpunimi të qëndrueshëm rajonal që ne e kemi të gjithë sëbashku nevojë. Ndjehemi realisht shumë mirë, sepse kemi edhe fatin edhe mundësinë që Kroacia flet edhe për ne në gjirin e Bashkimit Europian, ndërkohë që ne nga jashtë Bashkimit Europian do të flasim më shumë gjuhën e Ballkanit, për ta bindur Bashkimin Europian që të jetë më shumë prezent në rajon,” – u shpreh Kryeministri.

Edhe Kryeministri kroat Zoran Milanoviç shprehu mbështetjen e Kroacisë për realizimin e këtij projekti, duke e quajtur atë një “trase që ndërlidh rajonin.”

“Ky projekt ende nuk është realizuar, ndonëse është i rëndësishëm edhe për Kroacinë, si një vazhdimësi e trasesë rrugore që e ndërlidh rajonin dhe kuptohet se ka rëndësi edhe për Malin e Zi, për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, e cila natyrisht vjen menjëherë pas Kroacisë.  Por do të thosha se është e rëndësishme edhe për Kosovën në këtë moment, ndonëse këtu nuk ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës. Kjo  ka qenë tema kryesore për të cilën kemi biseduar dhe ky është një qëllim që së bashku duam ta arrijmë,” – u shpreh Kryeministri Milanoviç.

Kryeministrin malazez Milo Gjukanoviç nënvizoi se ky takim është tregues i një pjekurie dhe përgjegjësie të të gjitha vendeve të rajonit. Ndërsa e sheh zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe energjetike si një parakusht për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të rajonit.

“Përpiqemi që të rikuptimësojmë skenarin se si të zëvendësohet ajo kohë shumë e gjatë, kur shtetet tona kishin ngecje në krahasim me atë që është niveli europian i zhvillimit. Për këtë arsye jemi të fokusuar në atë që besojmë se përfaqëson hapin e parë, ose parakushtin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe demokratik. Për Malin e Zi nuk ka asnjë mëdyshje se ky parakusht është zhvillimi i infrastrukturës rrugore e energjetike dhe në këtë kontekst, autostrada Joni-Adreatiku vërtet ka qenë në vëmendjen e veçantë gjatë bisedës sonë. Më vjen mirë që absolutisht jemi të një mendimin se ky është një korridor dhe objekt i rëndësishëm, i cili do të duhej të ofronte mundësitë e konsumimit e të gjitha atyre të arriturave dhe standardeve europiane për të gjithë qytetarët e shteteve tona,” – u shpreh Kryeministri Gjukanoviç.

Mbështetje të plotë për realizimin e këtij projekti shprehu edhe Kryeministri i Bosnjës Vjekoslav Bevanda.

“Shikoni hartën gjeografike dhe do të kuptoni të gjitha, se sa është esencial ky Korridor dhe sa të mira do të na sjellë. Ne kemi biseduar hapur edhe për tema tjera, por është krejt normale që pas prezantimit në Berlin do të mund t’ju themi se a kemi hasur në mirëkuptim dhe a kemi marrë përkrahje për idetë tona,” – u shpreh Kryeministri Bevanda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura