Rama me skemë të re drejtimi: PS, me dy kryetarë, burrë e grua. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë. Duhet kuptuar se…

Oct 23, 2019 | 16:40
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Partia Socialiste do të drejtohet në të gjitha nivelet e saj nga një burrë dhe një grua. 

rama1

Nisma, e cila u diskutua dy ditë më parë në Kryesinë e PSsë, u linçua dje nga Kryeministri si nisma “Edhe një”, e cila ka në fokus gratë e vajzat dhe integrimin e tyre në politikë dhe jo vetëm. Kryeministri, duke folur në linçimin e rrjetit, tha se gratë dhe vajzat duhet të jenë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes.

“PS-ja është partia më e votuar nga gratë e vajzat dhe këtë e tregojnë të gjitha anketimet që ne kemi bërë prej disa vitesh, e konfirmojnë proceset zgjedhore. Nëse në Shqipëri do të votonin vetëm gratë e vajzat, PS-ja do merrte 85 deputete. Po të votonin vetëm burrat, do të ishim rrotë më rrotë, ose pak nën rrotë. Ajo që duhet kuptuar është që ne kemi një potencial shumë të madh, ende të paçliruar, jo thjesht në funksion elektoral, edhe pse ky funksion është i patjetërsueshëm, pasi duhet të fitosh zgjedhjet që të bësh gjërat që merr përsipër, një potencial shumë të madh për t’i dhënë më shumë frymë, më shumë ajër të pastër, më shumë seriozitet, më shumë eficiencë të gjitha organizimeve tona në komunitet”, deklaroi Rama.

rama

Kryeministri tha se është shumë e rëndësishme të arrihet bashkëkryesimi në të gjitha organizatat socialiste mes grave dhe burrave.

“Ajo që është e rëndësishme lidhet me faktin çfarë duhet të bëjnë përtej përfaqësimit në këshillat bashkiakë në seancat e komisioneve apo të mbledhjeve të këshillit gratë dhe vajzat shqiptare. Çfarë duhet të bëjmë përtej të gjithë punës voluminoze që bëjnë gratë deputetë, qoftë në Parlament, qoftë në territor dhe çfarë duhet të bëjmë të gjithë së bashku. Duhet të bëjmë realitet atë që kemi dakordësuar dje. Duhet të realizojmë bashkë kryesimin në të gjithë organizatat socialiste me gra dhe burra e për këtë duhet një punë e veçantë. Nuk ka për të ndodhur nëse gratë që janë në drejtim, gratë që janë në këto shtresa të lidershipit nuk marrin përsipër ta udhëheqin këtë proces duke shkuar e duke prekur çdo plagë të territorit, sepse është i mbushur me plagë territori në aspektin e diskriminimit dhe të refuzimit apo indiferencës ndaj faktorit grua”, tha Rama.

Nikolla: Gruaja të respektohet në shoqëri, ajo sjell jetë

Këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste u mblodhën dje në kuadër të nismës “Edhe një”, e cila ka në fokus të saj të drejtat e grave dhe respektimin e tyre në shoqëri.

“Ky rrjet do të punojë në mënyrë sistematike, duke adresuar shumë probleme të grave dhe vajzave në komunitet me ambicie, por dhe me ftesën e sinqertë që shumë të tjera gra dhe vajza të na bashkohen neve si pjesë e Partisë Socialiste”, deklaroi sekretarja për Burimet Njerëzore, Lindita Nikolla, gjatë takimit me këshilltaret bashkiakë në kuadër të rrjetit “Edhe një” të Sekretariatit të Burimeve Njerëzore në Partinë Socialiste.

“Do kemi pjesën e rrjetit në 61 bashki, në 12 qarqe dhe 9 nga ju 3 për secilin rajon për Shqipërinë e Veriut, e Mesme dhe atë të Jugut do të përbëjnë bordin e drejtimit të këtij rrjeti, që do të marrë detyra dhe do të raportojë në Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe ky i fundit ka detyrën dhe përgjegjësinë për t’ju trajnuar, mbështetur dhe mundësuar që ne t’ia dalim mbanë ambicies sonë për të bashkuar edhe më shumë gra dhe vajza në rrugën tonë të ndryshimit të Shqipërisë. Rezultati i parë do jetë takimi ynë i radhës, kur edhe 559 gra dhe vajza të tjera do jenë anëtaret e reja të Partisë Socialiste dhe kjo do ndodhë para Kongresit të janarit të Partisë Socialiste”, theksoi Nikolla.

Ajo shtoi se, “puna e rrjetit dhe ambicia jonë do të shkojë në çdo komunitet, por kemi zgjedhur të fillojmë tek ato komunitete ku gratë dhe vajzat janë të nënpërfaqësuara në organizatat tona socialiste”. PANORAMA.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura