Rama mbyll takimin informal me ministrat në Vlorë, nga kafja me Ruçin dhe Ballën tek strategjia dhe vendimi për Veliajn (detajet)

Aug 26, 2018 | 8:22
SHPËRNDAJE

FATION BINJAKU/ Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar kanë mbyllur dje punimet e mbledhjes informale të zhvilluar në Vlorë, në godinat e vilave qeveritare.

Në takimin e zhvilluar pa praninë e mediave, ministrat e qeverisë kanë raportuar para Kryeministrit realizimin e pikave të caktuara si prioritet në 300 ditët e para të qeverisjes. Po ashtu, ministrat kanë paraqitur para Kryeministrit dhe prioritetet që do të ndjekin në muajt në vijim dhe strategjitë e zbatimit të tyre.

balla-rama

Burime bënë të ditur se Kryeministri Rama ka folur pas çdo raportimi të ministrave, duke kërkuar angazhim maksimal në muajt në vijim për të gjithë sektorët, nga ekonomia, financat, shëndetësia, rendi, diplomacia etj.. Burime të “Panorama” theksuan se gjatë takimit, Kryeministri nuk ka folur rreth ndryshimeve të mundshme të kabinetit qeveritar, por nuk përjashtohet mundësia që këtë vendim ta marrë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.

MBLEDHJA E DYTË

Gjatë ditës së dytë të mbledhjes informale të qeverisë Rama në Vlorë ditën e shtunë, mësohet se gjatë takimit informal, veç ministrave kanë qenë të pranishëm, kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi, kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Blendi Çuçi.

Në këtë takim është vendosur dhe data 7 shtator kur do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare Socialiste. Ndërkohë që forumi më i rëndësishëm i socialistëve do të paraprihet nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, e vendosur të mblidhet më datë 3 shtator. Mbledhja u zhvillua nën masa të shumta sigurie, ku efektivët e Gardës së Republikës ishin prezent në të gjithë perimetrin e rezidencave qeveritare në Vlorë.

STRATEGJIA

Takimi informal i ministrave është shoqëruar më një tjetër mbledhje, po kësaj radhe të krerëve të lartë të partisë. Pas largimit të ministrave, Kryeministri Rama ka konsumuar një kafe me kreun e Parlamentit, Gramoz Ruçi dhe me kreun e Grupit të Socialistëve, Taulant Balla, ku mësohet se është diskutuar rreth strategjisë që do të ndjekin socialistët gjatë zgjedhjeve të ardhshme vendore. Më herët në këtë takim kanë qëndruar për disa minuta dhe ministrat, Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati, si dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Të pranishmit në këtë tryezë janë caktuar të jenë pjesë e grupit strategjik të zgjedhjeve. Burime pranë takimit bënë të ditur se Veliaj po shkon drejt konfirmimit për një mandat të dytë për Bashkinë e Tiranës. Në mbledhje gjithashtu u diskutua hartimi i një plani 1-vjeçar pune ku do të përcaktohen objektivat e qeverisë dhe performanca e saj.

Gjithashtu pjesë e kësaj strategjie politike do të jetë dhe komunikimi me publikun. Mësohet se instrumenti matës i punës së çdo ministri, përveç realizimit të objektivave të programit të 300 ditëve të para, do të jetë edhe platforma e bashkëqeverisjes “shqipëriaqëduam.al”, në të cilën qytetarët shprehin ankesat dhe problematikat që ndeshin në zyrat e administratës.

Sipas raportit të publikuar nga vetë Kryeministri Rama, në 10 muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve, që deri dje mbeteshin sirtarëve të zyrave të shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura