Qukës-Qafë Plloçë, firmoset kredia e fundit për rrugën

Feb 19, 2014 | 12:32
SHPËRNDAJE

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes
Qeveria ka nënshkruar marrëveshjen për 25 milionë dollarët e fundit që mbyllin paketën e financimit për projektin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë. Në një ceremoni të organizuar dje firmosën ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Mohammed bin Sulaiman Al Arifi, drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Projekteve në Fondin Saudit për Zhvillim. Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe zëvendëskryeministri Niko Peleshi. “Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ndërtimi i rrugës Qukës – Qafë Plloçë pritet të nisë shumë shpejt. Ky investim është një frymëmarrje për një rajon, por dhe për gjithë Shqipërinë, sepse lidh fushën e rajonit të Korçës, por edhe portet në shtetin fqinj me kryeqytetin dhe tregun shqiptar”, tha Peleshi, duke e vënë theksin në impaktin që do të ketë ky projekt për zonat ku kalon.
Financimi
Rruga Qukës – Qafë Plloçë, e cila ka një kosto mbi 150 milionë dollarë, u lakua nga qeveria “Berisha” si një projekt i rëndësishëm dhe vetëm dy muaj para zgjedhjeve u siguruan 125 milionë dollarë nga Banka Islamike për Zhvillim. Më pas faza e post-zgjedhjeve do të ngrinte një sërë dilemash mbi mënyrën se si do të veprohej me projektin. Qeveria e re fillimisht hezitoi që ta ndërtonte dhe kërkoi devijimin e përdorimit të fondeve pranë Bankës Islamike për Zhvillim, duke pasur si argument nivelin e lartë të borxheve të prapambetura. Gjithsesi, në fund u vendos që projekti të vijojë sikundër ishte parashikuar dhe marrëveshja e djeshme siguroi edhe paketën e fundit prej 25 milionë dollarësh për projektin. Kredia e marrë nga Fondi Saudit ka një afat maturimi prej 25 vjetësh, përfshirë 5 vite pa pagesë principali dhe me interes 2 për qind. Nga totali i gjithë financimit një pjesë e vogël është nga të ardhurat e qeverisë shqiptare, të cilat janë përdorur për të ndërtuar 2.9 kilometrat e parë të rrugës.
Rruga
Projekti i rrugës Qukës – Qafë Plloçë parashikon ndërtimin e një segmenti rrugor 43.4 kilometra, i cili do të kalojë përmes qarkut të Elbasanit dhe atij të Korçës, dhe si vazhdim i segmentit Tiranë – Elbasan. Rëndësia e këtij aksi bëhet edhe më i madh po të shohim lehtësitë që ofron edhe për itineraret rajonale, duke qenë pjesë e Korridorit VIII. Nisur nga fakti që do të ndërtohet në një teren të vështirë, projekti parashikon edhe një numër të konsiderueshëm muresh mbajtës, më shumë se 20 ura dhe viadukte, si dhe një tunel 375 metra të gjatë. Gjerësia e rrugës do të jetë 12 metra, me dy korsi me gjerësi 3.75 metra secila, 2 bankina të asfaltuara me gjerësi 1.5 metra secila dhe 2 bankina të paasfaltuara me gjerësi një metër secila.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura