“Punoi për shtetin modern shqiptar”- Albin Kurti mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Bujar Nishanit: Dha mbështetje të pakursyer për Kosovën

May 28, 2022 | 17:36

albinkurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Bujar Nishani.

Kurti shkruan se gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, Nishani me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Po ashtu Kurti shpreh mirënjohjen që i tha shtetësinë shqiptare gjatë mandatit të tij.

“Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo”, shkruan Kurti.

Mesazhi ngushëllues i Kurtit

Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar.

Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo.

I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij.

Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë.

© Panorama.al

Te lidhura