Publikohen letrat e Martin Camajt: Ismail Kadare, penë nervoze dhe e lirë për kushtet

Jun 6, 2018 | 11:55
SHPËRNDAJE

ALMA MILE

“Unë jam i juaj, e ju jeni të mitë!”. Kështu do të shprehej dikur Martin Camaj, ndonëse edhe sot e kësaj dite ka një droje për ta konsideruar tërësisht “tonin” shkrimtarin, poetin, kritikun e gjuhëtarin, këtë figurë poliedrike, që u bën nder letrave shqipe. Por, pavarësisht mohimit të Shqipërisë komuniste, mungesës së komunikimit me të vetët e më tej një lloj ngurrimi për ta njohur, Martin Camaj ka pasur gjithnjë uri për të komunikuar, për të mësuar dhe për të dhënë mendimet e veta rreth asaj që ndodhte në Shqipëri.

Këtë e tregojnë jo vetëm studimet dhe kritikat e tij të botuara në revistën “Shejzat”, por edhe një letërkëmbim i mbajtur me studiuesin nga Kosova, akademik Anton Nikë Berisha, gjatë vitit 1979. Në këtë tufë letrash që botohet për herë të parë në revistën “Pasqyra e t’rrëfyemit” (Nr. 6-7), nën kujdesin e vetë Berishës duket qartë interesi i Camajt për zhvillimet letrare në Shqipëri e Kosovë.

Kopertina e revistës
Kopertina e revistës

Ai flet për çështje të ndryshme letrare, për veprat e veta, por edhe për vepra të shkrimtarëve e poetëve nga Shqipëria e Kosova si Anton Pashku, Ismail Kadare, Jakov Xoxa etj. Në një nga letrat e këmbyera, ai vlerëson romanin “Lumi i vdekur” të Xoxës. “..ndeshja e dy elementeve njerëzore që ngërthejnë në vete popullin tanë: simbioza toskë+gegë! Trajtimi i këtij problemi edhe si të jetë vetëm ky e ngreh Xoxën mbi të gjithë”, i shkruan ai Berishës.

Po ashtu ndalet te “Kronikë në gur” e Ismail Kadaresë, për të cilën thotë se ky i fundit “ka arritë kulmin e zotësisë së vet, përvojën e shkrimtarit të pjekun”. Në një tjetër letër, ai diskuton sërish për veprat e Kadaresë, por kësaj here për “Ura me tri harqe”, për të cilën ka rezervat e veta. “Ai duket se ka lexue shumë mbi rapsoditë e folklorë, historinë e kulturës sonë: të gjitha i ban lamsh, lesh e li, natyrisht shpesh dhe invencion të qëlluem. Mue, në fillin e parë më irritojnë këto përciptësi sepse jam i dashunuem në të kaluemen e popullit tanë, ndonëse as vetë s’përpiqem kurrë ta hymnyzoj të shkuemen: ai më këta elementa sillet, si i thonë gjermanët ‘lieblos’, pa dhimbje. Shi për këtë nuk më pëlqen disa herë as Migjeni, i cili shkruen mbi mizeren tonë si misionar kristian mbi vorfninë e mizeren e dheasve të Afrikës.

Si të mos ndieja kështu, nuk do të shkrueja ashtu si shkruej”, shkruan Camaj, që gjithsesi vazhdon ta pëlqejë Kadarenë, madje shpreh habinë e tij se si ka mundësi që ai të mund të shprehet aq lirshëm në kushte të një diktature. “Penë nervoze kjo e Kadaresë dhe në ato kushte fort e lirë!”, i shkruan ai Berishës. Një temë tjetër është ajo e trajtimit të figurës së femrës në letërsinë shqipe.

Sipas tij, vetëm në letërsinë gojore femra paraqitet me gjithë bukurinë e vet, në të tjera raste ajo është “qyqane”, sipas tij. “Pasqyra e t’rrëfyemit” Letrat që Camaj ka shkëmbyer me Anton Nikë Berishën janë vetëm një kapitull i revistës “Pasqyra e t’rrëfyemit” (Nr. 6-7), botim i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”. Këto dy numra i janë kushtuar tërësish figurës së Martin Camajt, duke botuar materialet e konferencës shkencore me temë “Vlerat gjuhë- sore dhe letrare të veprës së Martin Camajt”. “Me Martin Camajn, me veprën shkrimore, fati ka qenë i dyzuar dhe me jo pak ndërlikime.

Madje, edhe tani, kur formalisht janë hapur portat e komunikimit, trashëgimia e tij shkrimore, më tepër është një prani e papranishme, në kuptimin e hipotekës që meriton të jetë pjesë thelbë- sore e arealit të shqipes bashkëkohore. Fati i shkrimtarit, në gjallje dhe në amshim ka qenë lodërtar dhe mbrapshtë, sepse Camaj e përjetonte në thellësitë e vetëdijes, por ndërkaq e tha me sublimitet: Unë jam i juaj, e ju jeni të mitë!

Margimi i gjatë nuk e zbehu aspak aspiratën e autorit për të qenë pjesë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Po ne, bashkëkombësit e shkrimtarit, lexuesit e veprës letrare e gjuhësore, a ia kemi mbërritur momentit me po atë klithmë dashnie, që poeti e la vjerrë në çastin që e pranuan në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës?!”, shprehet studiuesi Behar Gjoka. Pikërisht një lloj shprehjeje dashurie ishte edhe konferenca kushtuar Camajt, dhe ky botim kushtuar atij, ku gjenden kumtesa të studiuesve në lëmë të gjuhësisë e letërsisë, si Valter Memishaj, Anton Nikë Berisha, Viola Isufaj, Agron Tufa, Erenestina Halili, Behar Gjoka, Vebi Bexheti, Primo Shllaku, Lisandri Kola, etj.

anton nike berisha

LETRAT

Lenggries, 11. 5. ‘79

I dashuni Anton,

të falënderoj fort e fort për letër! Si je? A je i kënaqun me punë dhe ndeje në Göttigen? Adaptimi zgjat… e mandej vjen koha me u nisë. Në lidhje me pikat kryesore të letrës: pasthanja e përrallave më ka kushtue tepër kohë e më pati lodhë aq sa nuk e kam kapë ma në dorë. Pra, s’di se shka kanë thanë recensentët e shka kam thanë unë! Kanë dalë nja 300 recensione gjithsej mbi përrallat (ishte edhe puna se ky ishte bleni i parë i përrallave shqipe në këtë formë… ose me të vërtetë folklora jonë asht e pakapërcyeshme), po ky i Lüthi më ka ba përshtypje. Në japonisht kanë dalë një herë vetëm gjysma e përrallave të blenit bashkë me blenin “Përralla ballkanike”, së dyti kanë dalë të gjitha (edicioni i dytë “Përralla shqipe e kroate” në një vëllim).

Kam lexue shumë nga veprat që më prune: Pashkun krejt, Kronikën, fare dhe një pjesë të Lumit të Xoxës. Xoxën e Kadarenë i kam lexue në revistën “Nëndori”, d.m.th. variantet e para; këtu qenkan të përpunuem e të stërpunuem, sa mos me u njoftë ma! Pajtohem fare me mendimin tand: Kadare në Kronikën ka arritë kulmin e zotësisë së vet, përvojën e shkrimtarit të pjekun. Mandej shkruen mbi qytetin e vet nga zemra e kjo don me thanë shumë. Nuk di nëse kjo vepër asht e përkthyeme në shumë gjuhë si Gjenerali:kjo do të kishte shumë sukses edhe jashtë.

Përkundra, “Lumi i vdekur” më fascinoi përsëri: mjaft motto-t në fillim të kapitujve, ndeshja e dy elementeve njerëzor që ngërthejnë në vete popullin tanë: simbioza toskë+gegë! Trajtimi i këtij problemi edhe si të jetë vetëm ky e ngreh Xoxën mbi të gjithë: shpresoj se më kupton se ku e kam fjalën, tek origjinaliteti i shkrimtarit tanë. Pashku më ka ba prapë përshtypje ma fort mbas kuvendit tanë. Po këto shkrime i kam lexue edhe maparë sepse e kam librin, po kushdi se në çfarë Stiramung paskam qenë maparë që nuk më ka impresionue kaq.

Pashku asht shkrimtar prozator, jo vetëm me vokacion, por i mbaruar i mbërrimë. Edhe unë jam njeri me pasione, simpati e antipati, prandej gëzohem për suksesin e Pashkut tejet. Unë dhe shoqja mirë, por po lodhem tepër, si thotë Buzuku tue shërbye në dy krih. Kam pasë edhe një deluzion të vogël; përkthimi i “Rrathë” ec tepër vështirë dhe nuk asht tue ma mbushë menden! Ndoshta e këpus apo lyp ta këpusin punën e përkthimit. Ashtu si e kuvendëm po i kuroj relacionet me Rilindjen e njerëzit e Prishtinës. Një propozim: unë ty po të them Ti, përse nuk po e përdor edhe Ti këtë trajtë më mue? Nga ana tjetër, ban ashtu si të bie ma përshtat. Mbesim në kontakt.

Me përshëndetje të përzemërta,

Martini

Ismail Kadare në të vetmin përurim ku ka marrë pjesë gjatë diktaturës, kur Pallatit të Kulturës në Pogradec i vunë emrin “Lasgush Poradeci”
Ismail Kadare

***

München, 9. 7. ‘79

I dashun Anton,

mora letrën tande dhe një pjesë të “Ura me tri harqe”. E lexova ndoshta pakëz përciptazi, po langun ia nxora. Përshtypjet po t’i qes në letër, ashtu si më vjen mbas leximit. Sigurisht se Kadare ka një penë shumë të zhdërvjelltë dhe – si i thonë në popull – ai ditën e qet, sidokudo. Për mue asht një shkrim interesant ma tepër si dokumentacion e një gjendje të mbrendshme në Shqipni dhe feksit në ndërgjegjen e autorit. Baj habi të madhe si nuk ia ngrehin veshët atje mbrendë për një kompozicion të tillë. A e di si më duket? E shoh në rolin e atyne dy rapsodëve që këndojnë kundër ngritjes së urës, të paguem; herë pas herë bahet pishman… dhe e hedh ndonjë thimth të lehtë vëreri edhe kundër punëdhënësve të vet.

Të kthejmë te kompozicioni, si i tillë: ky asht qit shpejt e shpejt në letër, ndoshta edhe mbas leximit të romanit tim… Gjej disa reminishenca që më bajnë me dyshue. Ndjese! Në këtë pikë besoj se gjykon ti ma drejt. Ka thimtha edhe kundër shfrytëzimit të legjendës si mjet alegorik apo simbolik. Sidokudo të irriton (ngacmon) sepse ai nuk i ka përblue çështjet, ngjan si pamflet apo reportazhë gazmore, e shkrueme për transmetim në radio. As gjuha nuk asht e përpunueme, po interesante sepse paraqet gjuhën e përditshme, një zhargon.

Për ne që nuk jetojmë ndër ato kushte të vlefshme për t’u ditë: ndoshta kështu flasin toskët intelektualë posaçe nëse rrinë bashkë dhe u zhdërvillohet gjuha nga një gotë venë mbasdarke. Ai duket se ka lexue shumë mbi rapsoditë e folklorë, historinë e kulturës sonë: të gjitha i ban lamsh, lesh e li, natyrisht shpesh dhe invencion të qëlluem. Mue, në fillin e parë më irritojnë këto përciptësi sepse jam i dashunuem në të kaluemen e popullit tanë, ndonëse as vetë s’përpiqem kurrë ta hymnyzoj të shkuemen: ai më këta elementa sillet, si i thonë gjermanët “lieblos”, pa dhimbje.

Shi për këtë nuk më pëlqen disa herë as Migjeni, i cili shkruen mbi mizeren tonë si misionar kristian mbi vorfninë e mizeren e dheasve të Afrikës. Si të mos ndieja kështu, nuk do të shkrueja ashtu si shkruej. Penë nervoze kjo e Kadaresë dhe në ato kushte fort e lirë! Po nervozismi e prish kthjelltësinë e stilit e të gjuhës, gja që nuk e ban në Kronikën në gur. Kjo e fundit mbetet, kjo në fjalë (URA) mund të merret si sintomatike në një fazë të caktueme të tij.

Jam i bindun se edhe unë ia ngacmoj nervat nëse lexon sendet e mia: ndoshta dikund piqemi, po s’di se ku. Mora vesh se për çka më shkruen: po ato ndiesi e mendim ruej në zemër e mend për Ty. Më vjen keq që letërshkembimi ynë për mue fort i frytshëm, ndërprehet. Urime e shëndet, lum vëllau!

Martini

***

Lenggries, 9. 3. ‘79

I dashuni Anton,

të dy letrat i mora dhe të falënderoj shumë! U gëzova fort për kuvendin në telefon. Tue mbetë gjithnjë te romani dhe te tipi i femnes: një grue shqiptare më tha në verë (ishte besoj e para grue që e lexonte këtë vepër) se i paska ba përshtypje “pozicioni i femnes” në shkrimet e mia. Ajo përmendi edhe një tip femne prej një romani tim të vjetër (roman poetik) “DJELLA”.

Mandej ajo kaloi te pyetja tjetër, nëse Agoni feksueka sadopak në përgjithësi autorin. Ishin, pra, dy pyetje lidhun më një dhe kalorësia burrnore e lypte që t’i përgjigjesha, si thonë italianët “a brucia pelo”, dmth ‘troq’ dhe pa i luejtë kuvendit. Gjegja: Tiparet e ndryshme në letërsi janë studime dhe çdo element mblidhet dalëngadalë; gjatë këtij procesi realiteti abstrahohet aq sa as autori s’di ma se çka asht realitet dhe e vërtetë. Po, me siguri s’jam Agoni, i thashë sepse në jetën time s’kam përdhunue asnjë femën! A i përgjegja mirë? Më vjen tepër mirë që e ke vra menden me tiparin e femnës në letërsinë tonë sepse deri tash – përjashtohet letërsia gojore – ajo paraqitet tepër qyqane, së cilës ia ha mica përsheshet dhe s’asht e zoja e vetes.

Autorët që ia kanë qa hallin aq tepër vajzës e grues shqiptare kanë tregue se ata me të vërtetë e nënçmojnë gruen tonë! Harrojnë përrallën popullore ku grueja shtie edhe dreqin në shishe. Të bie ndërmend grueja që shtie në grindje vëllaznit? Legjendë e mrekullueshme! Pa e çue gjatë: ti ke pa edhe në letërsinë gojore se grueja asht një gurë i paçmueshëm me shumë prizme të shkëlqyeshme, këput e mbaro: e mrekullueshme! Tue ardhë te sugjerimi yt mbi thellimin e tipit të femnës. S’del kohë, bre vëlla! Kam gati – i përpunoj me vjete – disa tipe grash në këto vepra: dy novela të gjata apo romanza, dy drama.

Disa pikëpamje i zgjanoj. Në 1980-81 i qes në dritë me atë veshje tipografike dhe janë afër 400 faqe shtypi të bashkangjitun si me “Rrathë” një përmbledhje poezish; në një vëllim po qes edhe krejt shkrimet e botueme poetike maparë (nja 300 faqe). Me kaq i jap fund sepse dy jetë s’i ka askush, mandej jam tepër i zanun me disa punë gjuhësore sepse iau kam ba hysmetin me kohë sidomos në lidhje me kontaktet e shqipes me disa gjuhë kufitare. Qe, u mbush letra pa të thanë atë që pata ndërmend. Me të fala prej zemre, Me të fala prej zemre,

Martini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura