Pse Rama po sulmon kaq rëndë Bashën, Kryemadhin dhe Metën

Oct 12, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

FITIM ZEKTHI

fitim zekthi

Ndonëse është përpjekur në mënyrë të pashembullt që prej viteve 1990 të shfaqet si njeri i ditur dhe si njeri i kulturuar, Edi Rama ka qenë gjithnjë një njeri i banales, i vulgares, i perversionit, i plagjiaturave, i dijes së përciptë.

Ndonëse një përpjekje e stërmadhe në media është munduar në këto dekada ta paraqesë atë si njeri të hollë, si artist të rafinuar, si njeri të ideve apo të diskutimeve mbi idetë dhe historinë, Edi Rama ka qenë dhe është vetëm një përsëritës batutash nga filmat, kopjues citimesh autorësh të ndryshëm, njeri që merr kënaqësi nga tallja dhe fyerja e të tjerëve, promovues i së ulëtës, i së padenjës dhe i së pavirtytshmes.

E vërteta ka qenë gjithnjë diçka e sulmuar prej tij, ka qenë gjithnjë diçka e poshtëruar dhe kurrë e kërkuar. Ndonëse i pranishëm në mënyrë ekstreme në media, në komunikim me njerëzit ai kurrë nuk e pa të vërtetën si një kërkim i natyrshëm, përkundrazi është munduar gjithnjë të krijojë një realitet, ku e vërteta ose nuk duket, ose nuk ka kuptim.

Këtë qasje të tijën kohët e fundit, ai e ka çuar në nivele ekstreme, të padëgjuara më parë. Rama po sulmon në mënyrë vulgare kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, gjithë opozitën, kritikët, Presidentin Meta etj. Kur PD dhe Basha paraqiti pak ditë më parë një plan, me anë të të cilit duhet të përballohej kriza e epidemisë së koronavirusit, Rama u shpreh se “.. ai që e quani kandidat për Kryeministër, është shalqi me provë, është i pangrënshëm…”. Këtë metaforë banale e përdorën më pas Taulant Balla dhe Elisa Spiropali.

Këtë metaforë banale Erion Veliaj e çoi edhe më përpara. Erioni filloi të akuzojë Lulzim Bashën, duke folur marrëzira. Ai tha se Lulzim Basha ka përfituar katër shtëpi, se gjatë pandemisë ai u pasurua. Vetë Rama më herët pat thënë se “këta të opozitës janë në rregull se atyre pasuria u shtohet”.

Pak ditë më parë, Rama ishte në Baldushk nën shoqërinë e Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Ai tha, teksa i dha çelësat e shtëpisë së ndërtuar nga tërmeti një familjeje, se “kishte hallin e shtëpive të njerëzve, ndërsa ata të opozitës kishin hallin e vilave të tyre”. Dhe të mendosh se këtë ai e tha në prani të Ahmetajt dhe Veliajt. Sulmet ndaj Bashës i ka vijuar përditë Veliaj.

Spiropali dhe Balla po ashtu, por me tone pak më të ulëta. Veliaj, për shembull, thotë se “…Basha la në rrugë kauzën e zonës së unazës”. Pra, me demek, Veliaj paskësh dashur që Basha ta çonte në fund kauzën dhe të pengonte Veliajn.

Çmenduri e vërtetë! Kulmi i kësaj sjelljeje me sharje, shpifje, banalitet arriti pak ditë më parë në asamblenë e PS-së. Kryeministri Rama foli për dy orë dhe gjatë dy orëve duke sharë Presidentin Meta. Ai tha se Meta jep dekorata për vota, se Meta po tallet me heronjtë, se Meta u ka hipur në kurriz shqiptarëve, se Meta drejton LSI-në, se Meta kërkon të drejtojë opozitën, se ai duhet të zgjidhë problemin me Monikën dhe me Lulin etj., etj.

Këtë llogore banaliteti e përsëriti të nesërmen pikë për presje Erion Veliaj. Këtë llogore e përsëriti jo aq pikë për presje Taulant Balla dhe Elisa Spiropali. Çfarë është e gjitha kjo dhe pse ndodh? Edi Rama, ai Ramë i dashuruar pas vulgares, ai Ramë i lidhur fuqimisht me banalen, ai Ramë në deje të të cilit gjallon fort perversja dhe injorantja, tallja dhe fyerja tashmë ka hyrë në një fazë fundore të pushtetit të vet politik.

Duke qenë kështu, ai, në mënyrë të natyrshme, do të shfaqë të gjithë natyrën e tij dhe do të bëjë gjithçka që të mbajë me shpresë veten se një mandat i ri në krye të qeverisë është i mundshëm. Këto janë shpresa irracionale njerëzish të dëshpëruar, të cilët, pas dështimeve të rënda tetëvjeçare, nuk kanë forcë të kuptojnë se koha mbaroi.

Këto shpresa irracionale Rama i ka mbështetur vetëm te zhdukja e së vërtetës, vetëm te shkatërrimi i kuptimit mbi të vërtetën. Rama e di se askush nuk e beson, Rama e di që askush nuk i ha marrëzitë që ai thotë për Bashën. Rama e di se Meta nuk e drejton LSI-në, Rama e di se opozitën e drejton Lulzim Basha dhe Meta nuk ka asnjë rol dhe madje asnjë aspiratë që të dublojë apo të mendojë se do të marrë rolin e Bashës, Rama e di që Meta dekoratat i ka dhënë gjithnjë si tani, Rama e di që Meta është luftarak dhe nuk u bë i tillë tani, Rama e di që Meta nuk takon banditë skutave etj.

Rama e di që Veliaj është personazhi më qesharak politik jo në Shqipëri, por në Ballkan. Rama e di që Veliaj është një njeri me fjalor 30 fjalë që nuk ka pasur turp të thotë se e ka bërë dasmën në kala me kursimet nga pensioni i nënës, një njeri që ka dërguar emaile nëpër Europë ku shkruante se Berisha ka përdhunuar ish-gruan e kryetarit të Bashkisë Kavajë dhe e detyroi të abortonte… Rama e di që Veliaj është gjëja më e pabesueshme ndër politikanët në Tiranë.

Rama, megjithatë, nuk kërkon që njerëzit të besojnë Ramën dhe Veliajn, Spiropalin dhe Ballën, sepse e di që kjo është e pamundur, por kërkon që të shkatërrojë debatin publik, diskursin, kërkon të krijojë një det me rrena, me shpifje, me pisllëk, me sharje, me fyerje, me tallje, në mënyrë që askush të mos kuptojë se çfarë është e vërteta.

Synimi është që njerëzit të mos marrin në analizë se çfarë ka bërë Rama dhe qeveria, që njerëzit të mos ndryshojnë mendim për të vërtetat që dëgjojnë, por të sillen si qenie të verbra që ndjekin kokëbosh partitë apo liderët politikë. Sabrina Tavernise dhe Aidan Gardiner shkruanin pak kohë më parë në Nju Jork Taijms se një gjuhë dhe sjellje e tillë kërkon që të paktën njerëzit të lodhen aq shumë, të humbin aq shumë besimin sa të mos dëgjojnë asnjërin, as qeverinë dhe as opozitën.

Me këtë që bën Rama, me këtë banalizim të turpshëm të asaj që thotë dhe bën, nuk është se tregon thjesht se çfarë niveli kulturor apo etike politike ka, por ai prodhon atë që Dave Roberts e quan krizë epistemike, sepse baza, themeli që të njihet e vërteta shkatërrohet, bie, prishet.

Pra, çështja është që kërkohet të prodhohet kjo krizë epistemike, kjo krizë njohjeje. Me këtë gjuhë, me këto shpifje dhe sharje, me këtë sjellje, Rama, i cili nuk ka asnjë mundësi t’u tregojë njerëzve një bilanc mbi ekonominë, mbi mirëqenien, mbi qeverisjen e mirë, mbi shtetin e drejtë, mbi punën dhe jetesën e përditshme, kërkon ta bëjë të vërtetën ta panjohshme.

Kjo qasje e sheh popullin, njerëzit, si kundërshtarë. Kjo qasje e sheh edhe median si rrezik. Nëse në media do të ketë diskutime serioze, do të ketë gjuhë normale dhe debate racionale, atëherë ajo kthehet në tmerr për qeveritë si kjo e jona. Kjo qasje, në thelb, nuk synon të dëmtojë opozitën, por të asgjësojë njerëzit, popullin dhe median.

Pra, Basha, Kryemadhi apo Meta në thelb nuk janë fare objekt i sulmeve të Ramës. Objekt i sulmeve të tij, objekt i gjuhës me shpifje dhe sharje janë vetë njerëzit. Që kjo të bëhet plotësisht, që njerëzit të “shuhen” si qenie me mend, që media të kthehet një det me llum dhe pisllëk, duhet që shkalla e banalitetit dhe sharjeve, shkalla e shpifjeve dhe e fjalorit vulgar të jetë sa më e madhe. Kjo taktikë i ka rrënjët në propagandën komuniste sovjetike dhe është quajtur “të përmbysësh zonën me m…”.

Peter Pomerantsev, një studiues i njohur amerikano-rus, ka shkruar një libër mbi këtë teknikë. Ai thotë se regjimet e korruptuara, sidomos në kohë të këqija për to, e ndotin qëllimisht dhe fort të gjithë hapësirën e komunikimit dhe median. Ato qëllimisht e përmbysin me m… të gjithë zonën. Duhet pa dyshim një kapacitet për vulgaren, për banalen dhe për perversen që ta bësh këtë, thotë Pomerantsev, por regjimeve të tilla nuk u mungojnë kapacitete të tilla. Edhe regjimit që ka ngritur, dhe vetë Ramës, nuk i mungon një gjë e tillë.

Në ditët dhe muajt që vijnë, Rama do ta thellojë këtë sjellje sepse edhe nevoja e tij për një gjë të tillë do të bëhet më e madhe. Atij dhe njerëzve të tij nuk u intereson besueshmëria dhe kredibiliteti personal, ata nuk e kanë fare problem pse shfaqen aq vulgarë apo banalë, ata duan vetëm të mos flitet për të vërtetën dhe të mos bëhet diferenca mes tyre dhe opozitës, gjë që është e pamundur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura