Prova e protestës

Feb 19, 2017 | 16:34
SHPËRNDAJE

EdmondTupjaEDMOND TUPJA

Dje, në shëtitoren “Dësh morët e Kombit”, opozita kishte ftuar jo thjesht për një shëtitje të tipit show, por për një protestë masive gjithëpërfshirëse të pakënaqurit e “rilindjes” tragjikomike të Shqipërisë sonë tmerrësisht demokratike, e cila, pas tre vjetësh të zymtë, sidomos në rrafshin socialekonomik, po përjeton njëkohësisht një krizë të thellë morale, që po shfaqet  si një ajsberg i dalë i tëri në sipërfaqe, si një ajsberg i cili jo vetëm nuk po shkrin, por po ia ngrin shpirtin dhe të ardhmen popullit të mardhur shqiptar.

Dje, në masën kompakte të protestuesve, pashë fytyra qytetarësh të papunë apo të keqpaguar, me sy të venitur e shpresëvrarë, me halle e brenga të përbashkëta, por që ecnin me hap të vendosur, midis tyre me siguri që kishte edhe socialistë të ndershëm, por thellësisht të zhgënjyer nga realiteti i vrazhdë që po përjetojnë çdo ditë. Rreth e rrotull, pra, kisha njerëz të të gjitha moshave, formimeve, bindjeve e shijeve, gra e burra, të reja e të rinj, të cilët m’u duk sikur i njihja prej kohësh, sikur i kisha të afërm, shumë të afërm, ndonëse të panjohur.

Dje, në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, ndjeva të rrihte një zemër e madhe, gjigante, zemrën e popullit tim i cili, që prej shembjes së diktaturës hoxhiste, nuk po arrin të mbushet me frymë ashtu siç e pati ëndërruar atë ditë kur rrëzoi shtatoren e urryer të diktatorit gjakatar. Dhe, për një çast m’u krijua përshtypja se tërë ajo masë protestuesish po shkonte të varroste kufomën e “rilindjes” së premtuar nga e majta e mahisur në pushtet. Dhe për një çast, më shkoi mendja te populli rumun që e detyroi Kryeministrin e vendit të tij ta tërhiqte vendimin për zbutjen e ligjit antikorrupsion.

Dhe ëndërrova sikur masa e protestuesve ku isha përfshirë të dilte vazhdimisht për t’i treguar paqësisht, por vendosmërisht qeverisë se kupa e korrupsionit, e keqqeverisjes dhe e shkeljeve të të drejtave të më të pambrojturve po mbushet, siç u mbush e u derdh furishëm në Rumani, me siguri që ata qindra apo mijëra shqiptarë të diasporës të cilët, me gjithë shpirt, u thanë rumunëve “Ju lumtë!”, do t’u thoshin atyre pa më të voglin ngurrim: “Ju lumtë, o bashkatdhetarë!” Dje, në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, me siguri do të ketë pasur edhe provokatorë, por masa e protestuesve tregoi edukatën e saj dhe vullnetin e organizatorëve për t’i ridhënë kuptim demokracisë së dhunuar shqiptare dhe për t’i çliruar shqiptarët nga frika apo tulatja kur bëhet fjalë për të mbrojtur të drejtën e tyre për punë e siguri në jetë, për një të tashme ndryshe e për një të ardhme shpresëdhënëse për fëmijët e tyre larg korrupsionit, papunësisë, drogës e kriminalitetit.

Dje, në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, pashë të regëtinte një shkëndijë shprese. Shpresoj, uroj dhe përpiqem të besoj se opozita, pasi të ketë pastruar rrënjësisht vetveten nga gabimet e bëra kur ishte në pushtet, do të dijë t’i fryjë në mënyrë konstruktive kësaj shkëndije jo për ta shuar, as për ta instrumentalizuar, por për të ndezur me atë zjarrin e dobishëm të ndërgjegjësimit të nevojshëm kombëtar në mënyrë që beteja e nisur me mjete demokratike të vazhdojë në të mirë të të gjithë shqiptarëve pa dallim idesh apo përkatësie partiake, pa kompromise të nëndheshme e të paparimta, pa lëshime koniunkturore. Në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”, edhe nesër e pasnesër, do të bënim shumë mirë sikur të dilnim të gjithë si dje, edhe më të shumtë, edhe më të vendosur se dje, që pranvera të vijë me diell…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura