MARIGLEN KUME/ Ndonëse në publik nuk u raportua asnjë aktivitet publik, lëvizjet vazhduan në selinë e Partisë Demokratike.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka takuar dje disa prej deputetëve, të cilët në mbledhjen e grupit të dy ditëve më parë, reaguan se lidershipi duhet të mbajë përgjegjësi. Në mesditën e djeshme në selinë blu, në zyrën në katin e dytë të kryedemokratit u ngjit ishnënkryetari tashmë i dorëhequr, Agron Gjekmarkaj, ndërsa nuk bëhen me dije detajet e takimit.
Por Gjekmarkaj nuk ishte i vetëm. Numri dy i PD-së u takua gjithashtu me kryedemokratin Basha, ndërsa më pas edhe me deputetë të qarkut të Elbasanit apo Korçës. Ndërkohë që sot e në ditët në vijim pritet që të ketë si takime të ngushta, por edhe me organet e PD-së.
Kështu, mbledhja e radhës e kryedemokratit pritet që të bëhet me anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike. Në këtë takim pritet që të mbajnë qëndrimet e tyre në lidhje me situatën edhe nënkryetarja e Jorida Tabaku dhe sekretari Gazment Bardhi.
Po ashtu, deri më tani nuk kanë folur edhe shumë anëtarë të kryesisë së PD-së. Pas këtij hapi, takimi i radhës mund të jetë një takim mes grupit parlamentar dhe kolegjit të kryetarëve. Gazeta “Panorama” mësoi se kryetarët e degëve që ishin ditën e martë në mbledhjen që zgjati 6 orë në selinë blu kanë kërkuar që të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët me Bashën dhe deputetët.
Në takimin me Bashën ata u shprehën kritikë me ligjvënësit e djathtë, pasi sipas tyre, kanë shkëputur marrëdhënien me bazën. Ata u ankuan po ashtu se drejtuesit politikë që u deleguan në bashkitë nuk punuan për kandidatët.
Kështu, Ferdinand Saraçi, kandidati i PD-së në Rrogozhinë, që doli forcë e dytë, u shpreh se vetëm deputeti Dashnor Sula i kishte qëndruar në krah, ndërsa shfaqi rezerva për drejtuesen politike Grida Duma. Ndërkohë, kandidati i Durrësit nuk ishte në mbledhje me Bashën, por ai kishte çuar drejtuesin e tij të fushatës, që gjithashtu shprehu pakënaqësi për deputetët që ishin deleguar për të punuar në fushatë. Ndërkohë, në një moment të dytë mund të jetë edhe takimi me Këshillin Kombëtar të PD-së.

ANALIZA
Më datën 7 mars kryedemokrati Lulzim Basha, në një prononcim për mediat, u shpreh se PD do të bëjë një analizë për humbjen e zgjedhjeve të 6 marsit dhe, mbi bazën e analizës, do të marrë vendimet përkatëse.
“Nuk është koha as për t’u ikur përgjegjësive, por as për të bërë sikur jetojmë me një planet tjetër. Jetojmë me një Shqipëri ku janë asgjësuar zgjedhjet me 25 prill dhe, në këto kushte, me një krizë të brendshme të Partisë Demokratike provokuar nga ngjarjet që ju i dini fare mirë, Partia Demokratike është vendosur në një sulm të shumëfishtë për nevoja personale dhe jo për nevoja të qytetarëve. Cila është përgjigjja jonë? Përgjigja jonë është një reformë edhe më e thellë, përshpejtimi i hapave që kemi nisur.
Ju e dini fare mirë se në dhjetor kuvendi i Partisë Demokratike ka vendosur të krijojë dhe instrumente, meqë folëm edhe për procedura, instrumente që edhe ata që s’janë anëtarë të Partisë Demokratike, të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimmarrjes së Partisë Demokratike dhe, në këtë mënyrë, duke hapur hapësira për mendimin e lirë, qoftë anëtarësisë së Partisë Demokratike, qoftë edhe qytetarëve, t’u ofrojmë njerëzve shpresën, një platformë, një vizion për ta nxjerr vendin nga kjo krizë”, tha Basha.
© Panorama.al











