Perversiteti te mbrojtja e krimit

Oct 31, 2016 | 12:45
SHPËRNDAJE

baci agimAGIM BAÇI

Këmbëngulja për të mbrojtur figurën e M. Shehut edhe pas daljes në dritë të fakteve në këto 25 vite për vrasje makabre, për dhunime, për shkatërrime ka vetëm pak shpjegime- ose injorancë e thellë, ose pajtim i plotë me krimin. E di që për shumë lexues duket e vështirë të shohësh injorancë te figura të tilla si Brokaj. Por, më së paku, duhej të pyesnim:

Ku e ka zemrën ky kardiolog kur sheh te një vrasës burrin e shtetit? Aq më e habitshme bëhet kjo mbrojtje kur dihet tashmë se argumentimi i vrasjeve është bërë nga vetë M-ja, është konfirmuar me dokumente, është aprovuar edhe nga vetë i biri, Bashkimi, që për hir të së vërtetës, është nga të paktët që ka mundur të artikulojë diçka serioze për të shkuarën kriminale të babait të tij.

Por del që në fakt, si baba, shpirtërisht e paskan pasur të tjerë, të cilët tashmë dalin hapur në favor të krimit e perversitetit të një pushteti që shkallmoi çdo gjë njerëzore. Në këtë histori, e vetmja gjë e mirë e Brokajt dhe të gjithë atyre që nuk e fshehin adhurimin për racën kriminale, është se për to nuk ka më dilema se cilës pjesë të mendimit i përkasin. Ata janë pak më pozitivë se shumë e shumë të tjerë, të cilët mund të kenë vepruar si adhurues të M-së dhe të Esë dhe të kenë folur për demokracinë apo për vlerat njerëzore.

Por Brokaj është edhe i kuptueshëm, sepse më shumë se për zemrën e tij ka menduar për atë të udhëheqësve të dikurshëm që pas vrasjeve, pas dhunimeve, pas internimeve, pas talljes me bashkëqytetarët e tyre, kërkonin pak ilaçe apo masazhe, që të bëheshin gati për krimet e ditës tjetër. Ne thjesht duhet të na vijë keq që në këto vite ai ka qenë ligjvënës, ministër, e ndoshta edhe i shumëpushtetshëm që adhurues të tjerë t’i mbajë e t’i mbështesë, duke vijuar që ai helm i gatuar për 50 vite të vijojë t’u serviret shqiptarëve, pavarësisht hollimit me ngjyra partish.

Natyrisht, pas 25 vitesh, ne jemi vonë për të thënë shumë gjëra. Por të paktën, jemi në kohë që të fusim sa më parë në programe shkollash atë që ka ndodhur në 50 vite çnjerëzore, sepse fëmijët tanë mund të mbeten dëgjues të tipave si Brokaj, që në çdo përvjetor apo ditëlindje të M-ve kërkojnë të na bindin për mirësitë e tyre.

Filozofi belg Shantal Muf (Chantal Mouffe) e ka shpjeguar prej kohësh se mbrojtësit e ideologjisë nuk nisen nga asnjë premisë shkencore, nga asnjë përgjegjësi faktike, kur marrin përsipër të mbrojnë ideologjinë. Ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për të vërtetën që është, por për atë që u nevojitet atyre. Kështu që Brokaj është thjesht pjesë e atij frymëzimi me të cilin është rritur, e që, për fatin tonë të keq, mbeti në fuqi edhe në këto 25-26 vite, pasi politikanët e ardhur nga ish-diktatura nuk u kujdesën për asnjë çast për dekomunistizimin e shoqërisë.

Dhe si Brokaj ka edhe shumë të tjerë që, përmes bindjes së tyre, duan të mbrojnë një realitet që vetë e kanë krijuar, bashkë me histografinë e dikurshme që shpiku gjithë figurat heroike. Po kështu, disa javë më parë, N. Jorgaqi, në emër të asaj që ka mbrojtur gjatë gjithë jetës së tij, rrëmoi të gjente se çfarë nuk shkonte në të shkuarën e At Gjergj Fishtës, ndërkohë që në jetën e tij nuk ka asgjë që mund t’i afrohet atdhetarizmës së tij, e jo më moral-intelektit të tij.

Por kjo tashmë është një praktikë, duke na ndëshkuar ne të gjithëve që në këto vite u treguam të pafuqishëm për të kuptuar botën e errët nga ata vinin. Problemi i sotëm është se verbimin e tyre duan të na e shesin për dritë, duke kërkuar kështu që edhe e ardhmja e këtij vendi ta kalojë në qorrsokak, duke besuar verbërisht se në atë të shkuar ka se çfarë të kërkojmë.

Në këto 25 vite kemi rrëmuar më së koti nga ato institucione shkencore apo studimore që trashëguam që të bënte korrigjimin e së shkuarës, që të hidhte dritë. Por ka qenë një kërkim i kotë, pasi ata kanë mbetur në verbërinë e tyre dhe çdo përpjekje për të besuar se kanë ndryshuar është një gënjeshtër që vijojmë ta hamë çdo ditë.

Mjafton të shohim se si reagohet kur flitet për heronjtë që kanë ngritur, për të kuptuar sadopak thellësinë e pambarimtë e errësirës mes Brokajve me shokë, të cilët kërkojnë ende të thurin histori të mira pikërisht me ata që kanë vetëm një emër: Legjenda e së Keqes! “Asnjë e ardhme nuk ka dritë pa leximin e së shkuarës”, thonë filozofët. Dhe ne vijojmë ta jetojmë këtë thënie me gjithë kuptimin e saj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura