Përse përsëri Ilir Meta?

Oct 2, 2015 | 12:11
SHPËRNDAJE

LUAN RAMAluan rama

    Pa dashur të hyj në arsyetime konspirative, pa dashur as të abstragoj mbi akuza që përgjithësisht mund t’i artikulojnë njerëz me formim të mangët, a më keq akoma, me deformime karakteropatike, po përpiqem që përmes kësaj qasjeje të bëj një sprovë paanësie në vështrim të fenomenit, ashtu siç do të duhej ta bënte një vëzhgues politik të paktën, i cili merr përsipër t’i drejtohet publikut, qoftë ky lexues i vëmendshëm apo krejt indiferent ndaj asaj se çfarë ndodh me politikën apo me protagonistët e saj.
Për të arsyetuar drejt e për t’u fokusuar në thelbin e problemit, lejohem të nënvizoj, pikë së pari, se sulmet dhe akuzat ndaj Ilir Metës nuk përbëjnë më ndonjë çudi.

Sistemi dypartiak që u vendos në Shqipëri, pas përmbysjes së komunizmit, sa herë ka dashur të testojë nëse është i vetëmjaftueshëm, ka provuar të shkatërrojë faktorët e tjerë politikë. E kur këtë e ka parë të pamundur, atëherë ka tentuar të kundërtën; t’i afrojë, t’i bëjë për vete, t’i joshë, t’i përdorë e pastaj t’i hedhë tutje. E gjithë periudha postkomuniste është karakterizuar nga bjerrja e sistemit pluripartiak e konsolidimi i bipartizmit nën petkun e pluralizmit politik.
Shumëkush mund të pyesë me të drejtë se përse në Shqipëri ka kaq shumë baltë dhe destabilitet, përse tranzicioni nuk ka fund. Dhe një nga arsyet, në vlerësimin tim e qenësishme, është se bipartizmi ka synuar dhe ka tentuar të asgjësojë qendrën politike, për të mos lënë mundësinë e një alternative tjetër. Sepse bipartizmi preferon alternimin dhe jo konkurrimin.

Formalisht në regjistrat e gjykatës gjenden disa dhjetëra parti të quajtura politike. Por realisht ato janë asgjë, sepse askush nuk i zgjedh, askush nuk i voton, madje edhe askush nuk i njeh. E pra, faktorizimi politik bëhet vetëm përmes votës në demokracitë funksionale. Ndaj edhe shumë parti liberale e socialdemokrate, të majta, të djathta, të qendrës apo të periferisë së spektrit politik, kanë hyrë e kanë dalë nga jeta politike si të mos kishin qenë, pa lënë asnjë gjurmë gjëkundi, e sot mbahen vetëm pas disa kryetarësh që shfaqen si dekor festiv nëpër butaforitë kur kryetarët e partive të mëdha i thërrasin në ceremonitë e nënshkrimit të marrëveshjeve parazgjedhore. Dhe ata, kryetarët e këtyre partive që nuk janë, buzëqeshin e ikin për të pritur zgjedhjet e radhës që të rikthehen sërish në të njëjtën tavolinë, në të njëjtën ceremoni, në të njëjtën butafori groteske, edhe pse gjithaq e dinë se, pas përfundimit të zgjedhjeve, askush nuk do të kujtohet më për ta.

Në Shqipëri është modë e konsiderohet sukses të eliminosh apo të asgjësosh tjetrin. Në Europë ndodh e kundërta. Toto Cutugno mburret në një nga këngët e tij se jeton në një vend con un partiggiano come presidente. Në Shqipërinë tonë nuk ka veteranë. Ndaj, duke iu rikthyer auditorit politik të periudhës pas përmbysjes së komunizmit, vërejmë se nuk ka mbetur kush tjetër në politikë prej protagonistëve të vijës së parë si faktor përcaktues, përveç Ilir Metës. Lideri historik i së majtës, Fatos Nano, në përpjekje për të jetësuar institucionin e dorëheqjes si sjellje politike në shoqëritë demokratike, u largua nga jeta publike aktive, me iluzionin se baza e partisë do ta kërkonte siç kish ndodhur më parë për ta konsideruar emrin dhe kontributin e tij edhe më tej. Ndërsa lideri historik i së djathtës, Sali Berisha, u detyrua të largohet nga roli i protagonistit të radhës së parë, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, ani pse rreket të shfaqet herë pas here të enjten e Kuvendit a në ndonjë takim me gazetarët si për të dëshmuar se ende është aty.

Pra, nga të tre faktorët përcaktues të zhvillimeve politike e qeverisëse (Nano, Berisha, Meta), Ilir Meta, i vënë prej muajsh në qendër të goditjes, dikush duke e sulmuar, dikush duke spekuluar, dikush duke heshtur, është i vetmi që vazhdon të ndajë fituesin nga humbësi, qeverisjen nga opozita. Por, ndërsa Nano e Berisha u bënë faktorë, sepse drejtonin, i pari, të majtën dhe, i dyti, të djathtën, Ilir Meta u bë faktor prej ndikimit politik si individ me personalitet të spikatur ndër gjithë të tjerët, pa pasur pas forcën e një partie, sepse LSI-ja u krijua më 2004-ën, kur Ilir Meta ishte bërë ndërkaq ai që është në realitetin politik shqiptar.

Atëherë, pse pikërisht Ilir Meta?
Me të drejtën e atij që e njeh Ilir Metën prej ditës së parë kur erdhi në Partinë Socialiste, 24 vjet më parë, kur ishte vetëm 22 vjeç, di të them se Ilir Metën nuk e futi njeri në politikë. Por hyri vetë me vokacionin e një brezi të rreshtuar majtas, por jo me të vjetrën, në ato kohë të vështira që, kur nëse të shihnin të hyje në korridoret e Partisë Socialiste, të gjuanin me gurë e të kërcënonin me varje nëpër shtyllat e tensionit. Prandaj edhe zgjodhi përcaktimin e eurosocializmit, bashkë me Pandeli Majkon, Monikën, Ilir Zelën e disa të rinj të tjerë. Eurointegrimi që ka si slogan sot lëvizja që ai përfaqëson, është vazhdim koherent i asaj ideje.

Ilir Meta faktorizoi një lëvizje politike që nuk është kontrolluar dhe që nuk mund të kontrollohet nga askush. E kanë tentuar dhe e kanë provuar nga e majta dhe e djathta prej vitit 2004 e deri sot. Iku Nano, iku edhe Berisha, e Ilir Meta është këtu, pengesa më e madhe e bipartizmit abuziv e klientelist shqiptar. Nëse bipartizmi nuk ia ka dalë ende të shndërrohet në sistem qeverisjeje në Shqipëri, kjo nuk ka ndodhur vetëm sepse ekziston dhe rritet e konsolidohet progresivisht një forcë e tretë, ajo që përfaqëson Ilir Meta.

Fatkeqësia e bipartizmit në Shqipëri është se, ndërsa intrigat dhe pabesitë ndaj LSI-së nuk kanë të reshtur, ajo gjithnjë e më shumë zgjeron fuqinë e qendrës së majtë politike duke marrë edhe nga liberalizmi i djathtë e duke u bërë kësisoj kusht qeverisjeje, kusht stabiliteti. Në ç’kuptim? Në kuptimin matematik të fjalës: ka më shumë se një dekadë, qysh prej krijimit të LSI-së që bipartizmi nuk ia del dot vetë me një rivalitet të drejtpërdrejtë.

Në zgjedhjet politike të vitit 2005, e majta i humbi zgjedhjet sepse lidershipi i atëhershëm i PS-së zgjodhi të bënte luftë me Ilir Metën. Edhe në zgjedhjet e radhës, ato të vitit 2009, PS-ja përsëri humbi se zgjodhi të kishte kundër Ilir Metën, pasi nuk ia doli ta asgjësonte atë politikisht edhe me ndryshimet kushtetuese të bëra pikërisht me këtë synim në ortakëri të plotë me Partinë Demokratike. Zgjedhjet e vitit 2013 rikonfirmuan përsëri peshën dhe rolin përcaktues të Ilir Metës, i cili zgjodhi koalicionin me PS-në, çka bëri të mundur një fitore plebishitare të së majtës. Ndaj, nëse një fitore totale i ka munguar edhe njërës, edhe tjetrës, shkaku ka qenë vetëm fuqia politike që përfaqëson lëvizja që kryeson Ilir Meta.

Pikërisht kjo është arsyeja e gjithë kryqëzatave të kohëve të fundit. E djathta e di shumë mirë që nuk mund të rikthehet dot në pushtet e vetme, sepse ajo asnjëherë nuk ka ardhur në pushtet prej vetvetes, pasi nuk ka përbërë dhe nuk përbën shumicë në Shqipëri. Prandaj provokon, akuzon e demonizon duke u rrekur të identifikojë të keqen me Ilir Metën, i cili nuk ishte i tillë (pra, i keq!), kur e ndihmoi të rikthehej në pushtet në vitin 2005 dhe as kur e mbajti në pushtet në 2009-n.

PS-ja ndërkaq e sheh gjithë këtë fushatë si një test; po sikur ta provojmë një herë vetëm? Për më tepër, nuk do të ishte keq që gjithë kostoja e pjesës së keqe të qeverisjes të shkarkohet diku jashtë saj. E nëse kjo nuk artikulohet zyrtarisht, nëpër korridore, jo vetëm me diplomatë të huaj, disa syresh nuk lënë fjalë pa thënë duke përgojuar e fajësuar LSI-në edhe për listat e deputetëve a këshilltarëve problematikë!
LSI-ja është paragjykuar për aleancat e saj duke ia konsideruar pjesëmarrjen në qeverisje si arrivizëm. Po pse nuk shihet më realisht çështja?

Po të kishin mundësi të qeverisnin vetë të dy krahët e bipartizmit në Shqipëri, a do t’i kishin kërkuar aleancë Ilir Metës? Me aq llum sa prodhon çdo ditë makineria e tyre, kurrsesi jo. Atëherë, çfarë mbetet? Ta anatemojmë, ta akuzojmë, ta përbaltim e mundësisht ta zvogëlojmë që të mund të rikthehemi në një kohë të artë pa të tretë. Mirëpo ja që nuk mendojnë kështu shqiptarët; ata duan ekuilibër e eurointegrim, ata duan qendërzim të politikës, prandaj edhe të gjitha farsat e gjeneruara këto kohë kanë vetëm fatin e dështimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura