“Për një ridimensionim të Samitit të BRNO-BRIONIT” në kuadër të Procesit të Berlinit”

Dec 3, 2022 | 8:04
SHPËRNDAJE

ardit-gjinali

ARDIT GJINALI

Samiti i “BRNO-BRIONIT” është më shumë se një nismë e përbashkët “Lubjanë-Zagreb”, në kuadër të inkurajimit të dialogut dhe besimit të ndërsjellë mes shteteve të Rajonit në një periudhë ku dialogu ishte vështirësisht i realizueshëm… Samiti u krijua në një kohë kur entuziazmi europian i zgjerimit po goditej dhe skepticizmi po uzurponte hapësirat politike të mendimit dhe veprimit në Brukselin politik të kohës, gjithashtu. Nisma mbetet e qëndrueshme në kohë dhe plotësisht e pranuar politikisht nga secili vend, pavarësisht realiteteve të ndryshueshme politike përkatëse… gjithëpërfshirja është thelbi që ka mbetur i pacenuar në secilën periudhë të rrugëtimit politik të samitit.

Samiti i “BRNO-BRIONIT” vijon të jetë një moment takimi politik i përvitshëm i shteteve të Rajonit të Ballkanit në nivel përfaqësimi të Kryetarëve të Shteteve përkatëse me një përfaqësim të barabartë protokollar. Gjithashtu, Samiti është krijuar si një dëshmi e vullnetit të përbashkët të Zagrebit dhe Lubjanës zyrtare për inkurajimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve dhe inkurajimin e përmbushjes së hapave të Procesit Euro-Integrues.

Samiti i “BRNO-BRIONIT” mbetet një vlerë vazhdimisht pozitive që dëshmon përpjekjen e pandalur për ruajtjen e drejtimit Euro-Perëndimor të Rajonit në aspiratë dhe përpjekje integruese dhe zvogëlimin e hendekut politik mes shteteve të ndryshme të rajonit, gjithashtu.

Në takimin e 11-të të Samitit, i mbajtur në shtator 2022 në Slloveni, u miratuan përkatësisht gjashtë përfundime në formën e apel-kërkesës të parashtruara nga Presidenti Slloven PAHOR të tillat që mund të citohen si vijon – “Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, zgjerimi është më shumë se kurrë gjeopolitikë; – Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim; -Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat Bosnje dhe Hercegovinës deri në fund të vitit 2022; -Ne bëjmë thirrje për një regjim pa viza për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022 ; -bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekonomike dhe energjetike dhe – Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet në rajon”.

Të gjitha pikat e parashtruara më lart mbeten dëshmi e një vullneti pozitiv të shprehur përmes qëndrimeve të Lubjanës dhe Zagrebit… dëshmi e një vullneti të konsoliduar vit pas viti në koherencë me zhvillimin e përvitshëm të samitit, gjithashtu. Platforma gjashtëpikëshe është një thirrje e rëndësishme drejtuar Unionit, përkatësisht nga dy pjesëtarë të familjes politike europiane përkatësisht Lubjana dhe Zagrebi, por dekada e fundit imponon pozitivisht një reflektim të ri kundrejt angazhimeve të shprehura, nismave të ndërmarra dhe vullneteve të afirmuara në vazhdimësi… vullneti është i rëndësishëm, por i tilli mbetet i përmbushur pjesërisht në mungesë të akteve të qenësishme, që mund dhe duhet të tejkalojnë të njëjtin.

Zhvillimet e reja gjeopolitike që burojnë nga konflikti në Ukrainë si pasojë e qëllimeve territorialisht zgjeruese të Kremlinit kërkojnë një zë politik të lartë dhe veprim pro aktiv që tejkalon vullnetin e shprehur përmes qëndrimeve të përsëritura në kohë politike të ndryshme-koha thërret për një tejkalim të zakonshmërisë përsëritëse politike në rajon dhe një përfshirje intensive të Lubjanës dhe Zagrebit si zëshprehësit politikë të qëndrimit të Unionit.

Një vit më parë, Presidenti Slloven PAHOR do të deklaronte që nisma si “Procesi i Berlinit” e gjejnë zanafillën e krijimit nga përvoja pozitive e samitit të “BRDO-BRIONIT”… dialogu pa kushte dhe gjithëpërfshirja mbeten vlerat themelore që kanë garantuar qëndrueshmërinë e procesit në vetvete.

Dinamika pozitive aktuale e inkurajuar përmes ripërtëritjes së angazhimeve europiane mbi Procesin e Berlinit fton për të menduar një ridimensionim të nismave rajonale në kuadër të inkurajimit të arritjes së rezultateve të prekshme në Procesin e Integrimit Europian- një ridimensionim i samitit të “BRDO-BRIONIT” mbetet një domosdoshmëri, e tilla në koherencë me rritjen e përfshirjes së Lubjanës në Procesin e Berlinit, që mbetet i një rëndësie të veçantë strategjike… i njëjti mbetet thelbësisht origjina politike e akteve që jetësojnë vullnetin gjashtëpikësh të shprehur nga Presidenti Slloven…. Procesi i Berlinit është fillimi dhe vazhdimi i rrugës europiane të rajonit dhe realizimi i qëllimeve të tij strategjike mund të arrihet përmes një procesi shumëpërfshirës të aktorëve si Lubjana apo dhe të aktorëve politikë tradicionalë në sferën perëndimore me lidhje thelbësore me Rajonin e Ballkanit si Vjena zyrtare, gjithashtu.

Tri marrëveshjet e firmosura në Berlin në kuadër të Procesit të Berlinit së bashku me objektivat në vazhdim kërkojnë implementim dhe miratim nga secili shtet apo tejkalim i ngërçeve që burojnë nga mosmarrëveshjet historike kërkojnë një ndërhyrje pozitive të aktorëve rajonalë si Zagrebi, Lubjana apo aktori perëndimor si Vjena… realizimi i qëllimeve të Procesit të Berlinit kërkon jo vetëm shumë-përfshirje, por gjithashtu kërkon dhe një dialog me frymë eurointegruese me qëllim final të arritjes së një rezultati pozitiv të Integrimit… dialog me kushtin për secilin shtet që i tilli të sjellë rezultate të prekshme në ecurinë e secilit shtet. Ridimensionimi i Samitit të “BRDO -BRIONIT” do të thotë një rol i dimensionuar aktivisht ku përtej dialogut kërkohet veprim dhe Koha për veprim për fillimin e jetësimit të Procesit të Berlinit është tani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura