19 Shtator, 2023

Vajza e “lotit”, rikthehet në Tiranë për muzikën e vërtetë! Surprizat në koncertin e Elsa Lilës, më 1 nëntor në Tiranë


Elsa Lila kthehet në Tiranë për të organizuar koncertin e madh më 1 nëntor. “Finalmente, Elsa” do të titullohet koncerti që do të na sjellë, në 1 nëntor, në Pallatin e Kongreseve.

elsa lila8

Vetë Elsa Lila njoftoi një rikthim të paharruar në skenë. Këngëtarja ndau në rrjetet sociale lajmin se më 1 nëntor do të mbajë një koncert gjigant në Pallatin e Kongreseve, nga ku ka nisur edhe jetën artistike.

“Finalmente Elsa” do të jetë i gjithë rrugëtimi i saj në muzikë përgjatë viteve. Reagimi në postimin e këngëtares ishte i menjëhershëm si nga fansat, ashtu edhe nga të famshmit që shprehen se “mezi po e presin”.

elsa lila

“Ika me shijen e suksesit të “Evitës” sime në festival, për t’u rikthyer sërish në Tiranë, tani në nëntor. Këtë herë, për herë të parë me një koncert të madh, aty në skenën e Pallatit të Kongreseve, nga ku nisi jeta ime artistike. “Finalmente Elsa” i thotë të gjitha: kohën e gjatë që kam pritur, për të ardhur ky moment; punën e madhe që kam bërë deri më sot, për t’u ndjerë kaq gati, për një koncert si ky, që kërkon jo vetëm përkushtimin, por edhe pjekurinë e repertorin e duhur artistik.

S’do t’ia dilja dot kurrë vetëm, pa bashkëpunëtorët e miqtë e mi artistë, me të cilët kam krijuar, interpretuar e realizuar në gjithë këto vite, projekte unike, interesante e me muzikë të vërtetë. Këtë do të bëjmë edhe në koncertin e 1 nëntorit, në Tiranë. Ju mirëpres që të më jepni zemrën dhe duartrokitjet tuaja, siç keni bërë gjithmonë, ndërsa unë ju kam dhënë zërin e shpirtin tim”, shkruan Elsa.

elsa lila6

Në Pallatin e Kongreseve do të këndojë ajo vajza e “lotit”, pas së cilës një herë e një kohë u marros i madh e i vogël, këngëtarja që na bëri të ndjeheshim krenarë ndërsa prezantohej si e para shqiptare që ngjitej në skenën e Sanremos, artistja që na ka qetësuar mendjen e shpirtin me melodinë e zërit e të këngëve të saj e që na ka bërë të besojmë, deri edhe një vit më parë kur u rikthye në skenën e Festivalit të RTSH-së, se muzika e vërtetë mund të krijohet e të këndohet me mjeshtëri ende.

elsa lila5

Mund ta themi pa pikë dyshimi se do të jetë spektakolar po aq sa dhe melodioz, ky koncert i Elsa Lilës që vazhdon të sfidojë çdo ditë veten dhe kohën, me atë që di të bëjë më mirë, që s’e tradhton kurrë e që e ka kultivuar edhe më fort me rrethin e artistëve, me të cilët bashkëpunon prej vitesh në Itali, që kanë zgjedhur të bëjnë muzikën që u përket, atyre e një pjesë të madhe të kësaj shoqërie.

elsa lila.JP

Tani, po guxon të vijë, bashkë me ata, për këtë koncert të madh, në Tiranën e saj, aty ku nisi gjithçka e ku ka ndjerë çdo herë, në çdo kohë, dashurinë, që publiku ka për gjithë vlerat artistike që ajo vazhdon të përcjellë, përmes botëkuptimit, zërit e tingujve të saj. Që këtë herë do t’ua sjellë në një koncert live, në çdo tingull, nga fillimi deri në fund, që do të jetë i gjithi i saji, konceptuar me një program special muzikor. Do të jetë ai koncerti, që si pa e ditur as vetë, e kemi pritur prej kohësh të ndodhë një ditë, këtu në Tiranë.

elsa lila4elsa lila7

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al