23 Shtator, 2017

Melania Trump ‘ndryshon axhendë’, vazhdon nismën e Michelle Obama


Melania Trump mesa duket ka vendosur që tu ‘kundërvihet me të mirë’ të gjitha komenteve dhe kritikave të rrjeteve sociale për faktin se ajo foli pak ditë më parë për varfërinë dhe skamjen ndërkohë që mbante veshur një fustan mijëra dollarësh.

Zonja e Parë e Amerikës bëri të premten hapin e saj të parë në kopshtin me perime të Shtëpisë së Bardhë, një iniciativë e ndërmarrë nga ish-Zonja e Parë Michelle Obama.

 

E veshur me këmishë me kuadrate të stilit skocez, xhinse, atlete dhe e pajisur me doreza të kuqe prej kopshtari, bashkëshortja e presidentit amerikan mbolli dhe mblodhi perime së bashku me një grup vajzash dhe djemsh 11-12 vjeçarë.

“Faleminderit që erdhët për të më ndihmuar të mbledh perimet (rukola, lulelakra,panxharë, rrepa, karrota, spinaq), u tha ajo vizitorëve të vegjël.

 

Në kulmin e luftës kundër obezitetit tek femijët (një nga sfidat e mëdha të shëndetit në SHBA), në fillim të zbatimit të projektit të saj, Michelle Obama la këtë shënim në një gur : “Kopsht me perime i Shtëpisë së Bardhë, i krijuar në vitin 2009 nga Zonja e Parë Michelle Obama me shpresën për të nxitur zhvillimin e një vendi më të shëndetshëm për fëmijët tanë”.

Melania Trump e vlerësoi këtë iniciativë, në një komunikatë të publikuar pak pas vizitës së saj, “që u jep mundësinë fëmijëve të mësojnë në ajër të pastër se sa e rëndësishme është të konsumojnë produkte të mira për shëndetin e tyre, ndërkohë që vizitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe mësojnë historinë e saj”.

 

Ky është kopshti i parë i mbjellë në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë që nga viti 1943, kur Eleanor Roosevelt mbolli të ashtuquajturin “Victory garden”, për të nxitur përdorimin e kopshteve të luftës nga qytetarët amerikanë në periudha të mungesës ushqimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al