3 Maj, 2020

Karantina detyron Jonida Vokshin dhe burrin e saj ta kthejnë martesën në “reality show”, 8 muajshe shtatzënë në programin që zbulon jetën në çift


“Gjith’ fiton Jonida” titullohet programi më i ri me gjashtë episode, që prezantuesja Jonida Vokshi dhe bashkëshorti i saj producent, Besni Krapi, kanë realizuar në këtë periudhë karantine.

“Gjith’ fiton Jonida” është një emision i realizuar në këtë kohë izolimi, ku të sapomartuarit kanë vendosur ta trajtojnë martesën si një “reality show” të hapur për publikun.

Të mbyllur në shtëpi, Jonida dhe Besniku do të pranojnë sfida javore nga publiku. Ata gjatë javës do t’i ushtrojnë sfidat e caktuara dhe çdo ditë, nga ora 20:00, publiku do të ndjekë përmbledhjen ditore.

Ndërsa çdo të premte, nga ora 20:00, Besniku dhe Jonida do të realizojnë sfidat dhe dënimet e tyre, me shumë të ftuar specialë e shumë të papritura, ku nuk do të mungojnë zënkat, sherret dhe dënimet. Dhe, në fund, është publiku ai që zgjedh fituesin e sfidës.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që Jonida dhe Besniku bëhen pjesë e një program televizivi si çift. Jonida e ftoi producentin dhe aktorin Besnik Krapi (me të cilin Vokshi ishte njohur në setin e xhirimeve të serialit “O sa mirë”), në emisionin e saj në “Top Channel”, “Personale”. Ishte vetë Jonida ajo që publikoi një insert nga emisioni i saj, ku shkaktonte shumë të qeshura në sfond.

“Ka një gjë të re në jetën tënde, martohesh në shtator. Të doli nusja ashtu siç e ke besuar?”, e pyeti ajo Krapin e ulur përballë saj, duke e vënë disi në siklet, ndërsa nusja për të cilën pyeste ishte vetë ajo. Ndërkohë, pas ceremonisë VIP në breg të detit, Jonida Vokshi zbuloi gjininë e fëmijës që pret nga martesa me Besnikun.

Aktorja dhe moderatorja pret të bëhet nënë për herë të parë. Ndërsa ishte në jurinë e “Top Talent”, asaj iu dhanë dy tullumbace, rozë dhe blu që të tregonte gjininë e fëmijës. Dhe Jonida plasi me gjilpërë tullumbacen rozë, duke thënë: “Është gocë”.

Ndërkohë, në një lidhje me “Skype” për programin “Rudina”, ajo foli për ditëlindjen që festoi në datën 10 prill, në kushtet e karantinimit. Jonida u shpreh se kjo ditëlindje, pavarësisht izolimit, e gjeti më të lumtur se kurrë për shkak të faktit se mezi po pret që të vijë në jetë vajza e saj. Ajo është në muajin e tetë të shtatzënisë dhe sipas saj koha fluturoi shumë shpejt.

“Në fakt, momentalisht, bashkë me karantinën vetëm barku po rritet, asgjë nuk është se po ndryshon. Nuk dëgjohemi apo shihemi, shpesh na kanë mbetur vetëm rrjetet sociale dhe emisionet që ju vazhdoni dhe bëni nëpër studio që një duartrokitje e madhe. Bravo ju qoftë! Se tashmë e dimë që kushtet janë të vështira dhe ne po e shohim që nuk është absolutisht një situatë e thjeshtë, në të gjitha aspektet. Kështu, e vetmja gjë që mund të them është se paçka situatës, kjo ditëlindje që unë kalova më gjeti më të lumtur se kurrë, vetëm për arsyen se mezi po pres që të vijë vajza në jetë”, tha ajo.

Pyetjes nëse është e lumtur që po pret vajzë, ajo iu përgjigj: “Jashtëzakonisht shumë. Unë dhe Besniku që kur morëm vesh lajmin, donim shumë që të ishte vajzë. Sigurisht, që pikësëpari të jetë fëmijë i shëndetshëm, se nuk është se ka shumë rëndësi gjinia para shëndetit, të shkojë gjithçka mirë, por që e kishim pak qejf atë vajzën me thënë të drejtën dhe Zoti na e realizoi dëshirën. Tashmë kam hyrë në të tetin.”

Në shtator të vitit të kaluar, ata kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni tejet moderne. Ata e organizuan dasmën në ambient të hapur në një prej resorteve në vijën e bregdetit Adriatik, konkretisht në Golem. Tani jo bashkë vetëm si çift, por do jenë bashkë edhe si kolegë. Ata po punojnë në një film me metrazh të gjatë që është në përgatitje e sipër. Ky është një produksion shqiptar dhe ka si temë një lidhje dashurie.

Po kush është Besnik Krapi në Kosovë, që tani po njiet si burri i Jonidës? Para dy vitesh, ai u emërua drejtues i “Priforum”, një departament i “PriFest” aktivitetit të rëndësishëm të kinemasë në Kosovë. Pas emërimit si drejtor i “Prishtina Film Forum”, plaformës së industrisë së filmit në kuadër të “PriFest–Prishtina International Film Festival”.

Me marrjen e detyrës së re të udhëhequr perj 10 vitesh nga Fatos Berisha, ai u shpreh: “Më duhet të them se, përveçse jam i nderuar me ftesën për të qenë udhëheqës i ‘PriForum’, jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe në të njëjtën kohë ndiej përgjegjësi të madhe për angazhimin tim në këtë post”. Besnik Krapi është njëri nga producentët më të talentuar të Kosovës.

Ai në vitin 2010 themeloi kompaninë e tij të produksionit të filmit, duke prodhuar filma të shkurtër, dokumentarë dhe, së fundi, ka përfunduar filmin e tij të parë të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, prodhim i Kosovës me bashkëprodhues Britaninë e Madhe dhe Shqipërinë. Besniku ka punuar në shumë bashkëprodhime në rajon dhe jashtë, përfshirë këtu filmin “Shok”, të nominuar për “Oscar” nga Jamie Donoughue.

Si producent i ri ka arritur të punojë me shumë regjisorë të njohur, përfshirë këtu: Isa Qosja (Skype), Jamie Donoughue (Shok), Blerta Zeqiri (Martesa), Fatos Berisha (Cirku Fluturues), Florenc Papas (Open Door), Antoneta Kastrati (Zana), Edon Rizvanolli (Unwanted). Me sa duket, Jonida, aktore dhe prezantuese televizive, që punon edhe si pedagoge pranë Universitetit të Arteve në Tiranë, e ka parë Besnikun më afër profesionit të saj, për ta pasur jo vetëm bashkëshortin që e kupton, por edhe bashkëpunëtorin për projekte kinematografike.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al