21 Shtator, 2018

“1 euro për 1 orë pune”, “New York Times” sulmon modën italiane për shfrytëzim të rrobaqepësve


“Brenda hijes ekonomike”, është artikulli i të përditshmes amerikane “New York Times”, dedikuar modës italiane. Përtej shkëlqimit të pasarelave, në shkrim përshkruhen kushtet në të cilat  rrobaqepëset në Puglia punojnë për firmat e mëdha.

“New York Times” shkruan se janë mijëra punëtorë që punojnë në të zezë, pa kontratë e pa sigurime, të cilat paguhen një euro për një orë pune. E si pasojë bën edhe krahasimin e kushteve të punëtoreve italiane me ato në Indi, Bangladesh, Vietnam dhe Kinë.

Të gjitha këto gazeta i ka konfirmuar nëpërmjet dëshmive të ndryshme, të cilët kanë dashur të qëndrojnë anonim për shkak se kishin frikë që të humbnin vendin e punës.

Nëpërmjet dëshmive, edhe anonime, gazeta tregon situatën e vështirë të mijëra grave në jug të cilat punojnë për mbijetese. Presidenti i dhomës së modës italiane Carlo Capasa i ka konsideruar akuzat sulme të turpshme, duke paralajmëruar se çështja do të zgjidhet juridikisht.

Një grua që ka dashur të mos të identifikohet, ka thënë për gazetën se ajo merr vetëm 1 euro nga fabrika që e punëson për çdo metë të pëlhurave që ajo e përfundon.

“Mua më duhet rreth një orë për të qepur një metër, kështu që rreth katër deri në pesë orë për të përfunduar një pallto të tërë”, tha gruaja, e cila punon pa një kontratë ose sigurim dhe paguhet me para në dorë në baza mujore. “Unë përpiqem të bëj dy shtresa në ditë”, ka thënë ajo për “New York Times”.

Kjo e fundit shkruan se gruaja punon në apartamentin e saj, e kontraktuar nga një fabrikë lokale e cila gjithashtu prodhon veshje për disa nga emrat më të njohur në biznesin luksoz, duke përfshirë “Louis Vuitton” dhe “Fendi”. Ndërkohë gruaja ka thënë se shuma më e madhe që ka marrë për një pallto është 24 euro.

Ndërkohë stilistët të pranishëm në javën e modës që po mbahet këto ditë në Milano mbrohen duke thënë se askush nuk është perfekt, por gjithsecili përpiqet të bëjë më të mirën. Sakaq kjo nuk është hera e parë që prestigjiozja amerikane ka sulmuar modën italiane.

Kujtojmë se vitin e shkuar e cilësoi Milanon si periferi të modës ndërkombëtare, në 2007 e cilësoi modën italiane si vulgare, kurse në 2009 tha se italianët prodhojnë rroba për velina.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al