Pagë për punë jashtë orarit, Qeveria rrëzon kërkesat e organeve të vetingut

Jun 24, 2019 | 13:22
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Puna e vështirë dhe me orë të zgjatura që po kryhet prej më shumë se një viti nga organet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve, ka nisur një korrespondencë për rishikim të buxhetit mes KPK-së, KPA-së, Komisionerit Publik dhe Ministrisë së Financave.

veting

Organet e vetingut, më datë 8 maj i kanë nisur një shkresë me 4 kërkesa Ministrisë, konkretisht Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit. Në shkresë kërkohej: Shtesë për fonde buxhetore për pagesat e orëve jashtë orarit për funksionin komisioner dhe këshilltar; Fonde buxhetore për vështirësi në punë për këshilltarët; Fonde buxhetore për vlerën e pagës mujore të këshilltarëve; Fonde buxhetore për shtesën e pagës për drejtim. Rreth dy javë pas kësaj letre, Ministria e Financave i ka kthyer përgjigje Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerit Publik, duke argumentuar mospranimin e secilës prej 4 kërkesave.

“Këto kërkesa janë rezultat i ndryshimit në rritje të strukturave buxhetore të miratuara për këto institucione nga Kuvendi, pasi kostot e tyre janë të përfshira në buxhetin e akorduar për vitin 2019.

fax

Në vlerësimin tonë, kërkesat shtesë janë rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të personelit të institucioneve në mënyrë të ndryshme nga ajo e llogaritjes së kryer nga ana jonë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për organet e vetingut. Më poshtë, letra e plotë e Ministrisë drejtuar KPK-së, KPA-së, Komisionerit Publik dhe Kryeministrisë.

SHKRESA E MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË

Më datë 21 maj 2019, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka nisur një shkresë Komisionit për Çështjet Ligjore, administratën publike dhe të drejtat e njeriut, për dijeni të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerit Publik dhe Kryeministrisë, me lëndë:

Mbi kërkesat buxhetore për shpenzime personeli të institucioneve të rivlerësimit. Në letër thuhet se, në vijim të korrespondencës mbi kërkesat buxhetore për vitin 2019 për 3 institucionet e rivlerësimit, si dhe referuar shkresës nr.1135/2, datë 08.05.2019, parë në këndvështrimin buxhetor, Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit shprehet se: Lidhur me kërkesat e paraqitura nga institucionet, paraprakisht ju informojmë se këto kërkesa janë rezultat i ndryshimit në rritje të strukturave buxhetore të miratuara për këto institucione nga Kuvendi, pasi kostot e tyre janë të përfshira në buxhetin e akorduar për vitin 2019. Në vlerësimin tonë, kërkesat shtesë janë rezultat i llogaritjes së shpenzimeve të personelit të institucioneve në mënyrë të ndryshme nga ajo e llogaritjes së kryer nga ana jonë. Më konkretisht, konstatojmë dhe argumentojmë si më poshtë:

1. Lidhur me kërkesën shtesë për fonde buxhetore për pagesat e orëve jashtë orarit për funksionin komisioner dhe këshilltar, vlerësojmë se: Bazuar në pikën 2 të nenit 29, të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku përcaktohet që Komisioneri dhe Komisioneri Publik marrin paga dhe përfitime të tjera financiare në përputhje me rregullat e përcaktuara në legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve, si dhe bazuar në legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk gjejmë në trajtimin financiar të tyre të drejtën e pagesës për orë jashtë orarit zyrtar. Një praktikë e tillë për gjyqtarët dhe prokurorët nuk ka qenë e parashikuar para miratimit të paketës së Reformës në Drejtësi. Për rrjedhojë, bazuar në pikën 5 të po këtij neni, ku paga e këshilltarëve i referohet pagës së komisionerit dhe nuk parashikohet një trajtim ndryshe financiar, në llogaritjet tona nuk janë parashikuar fonde buxhetore për orët jashtë orarit.

2. Lidhur me kërkesën për fonde buxhetore për vështirësi në punë për këshilltarët, vlerësojmë se: Bazuar në pikën 5 të nenit 29, të ligjit të sipërcituar, ku përcaktohet që këshilltarët përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit, si dhe bazuar në praktikën e miratuar për aplikimin e shtesës së pagës për komisionerët, në llogaritjet tona nuk janë parashikuar fonde buxhetore për këtë qëllim, pasi paraprakisht kërkohet miratimi i një akti nënligjor që të përcaktojë masën e shtesës së pagës për vështirësi.

3. Lidhur me kërkesën për fonde buxhetore për vlerën e pagës mujore të këshilltarëve, vlerësojmë se: Bazuar në pikën 5 të nenit 29, të ligjit të sipërcituar, përcaktohet që këshilltari ligjor dhe ekonomik përfiton përkatësisht 80 për qind të pagës mujore përkatëse të anëtarit të institucionit të rivlerësimit. Referuar këtij përcaktimi, paga mujore e anëtarit të institucionit përbëhet nga disa elementë që janë të njëjtë për çdo anëtar dhe disa elementë që janë individualë dhe ndryshojnë për shkak të statusit të individit. Më konkretisht, paga referuese bazë dhe vlera e pagës sipas përkatësisë në grupin ku bëjnë pjesë anëtarët e institucionit të rivlerësimit, është e njëjtë për çdo anëtar të institucionit dhe është përkufizuar si “paga bruto fillestare, në kuptim të këtij ligji, përfaqëson pagën referuese bazë dhe shtesën e pagës në grup”, në germën j, të nenit 2, të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për rrjedhojë, paga bruto fillestare, e cila për çdo anëtar institucioni është e njëjtë, është marrë në konsideratë nga ana jonë si bazë për përllogaritjen në masën 80 për qind të pagës së këshilltarit, pagë e cila gjithashtu del e njëjtë për çdo këshilltar. Në këtë përllogaritje, nga ana jonë është e pamundur të llogarisim pagën e këshilltarit, duke iu referuar pagës bruto fillestare të sipërcituar dhe duke i shtuar kësaj page shtesën për vjetërsi, të parashikuar për anëtarin e institucionit sipas legjislacionit të sipërcituar, sepse: vjetërsia në punë është e ndryshme për çdo individ dhe për rrjedhojë nuk ka bazë referuese të njëjtë për çdo këshilltar; gjithashtu, bazuar në nenin 29, nuk parashikohet vjetërsia e këshilltarit si element i pagës së tij dhe nuk mund të përllogaritet si shtesë mbi pagën mujore të tij.

4. Lidhur me kërkesën për fonde buxhetore për shtesën e pagës për drejtim, vlerësojmë se: Bazuar në pikën 1 të nenit 14, të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përcaktohet se për ushtrimin e funksionit të kryetarit të Gjykatës ose Prokurorisë, magjistrati përfiton 10 për qind shtesë page mbi pagën bruto fillestare të tij, si dhe bazuar në nenin 12 e nenin 13 të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku përcaktohen procedurat e zgjedhjes dhe kompetencat e kryetarit të Komisionit dhe të Kolegjit të Apelimit, nga ana jonë është përllogaritur fondi përkatës i shtesës së pagës sipas këtyre përcaktimeve për KPK dhe KPA. Për rrjedhojë, në llogaritjet tona nuk janë parashikuar fonde buxhetore vetëm për Komisionerët Publikë, pasi këtë qëllim nuk e gjejmë të përcaktuar në mënyrë nominale drejtuesin/drejtuesit e këtij institucioni. Mbështetur sa më sipër, për të vlerësuar kërkesat shtesë buxhetore të institucioneve të rivlerësimit për vitin 2019 dhe njëkohësisht për të parashikuar fondet buxhetore të tyre për vitet 2020 e në vijim, kërkojmë gjykimin dhe vlerësimin tuaj mbi katër elementet e trajtimit financiar të punonjësve të institucioneve të rivlerësimit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura