Opinioni publik në kohë epidemish

Mar 12, 2020 | 11:28
SHPËRNDAJE

artanfugaa

ARTAN FUGA

Rrëshqet, sigurisht! Se mos është herë e parë! Prej qindra vjetësh e kanë studiuar që përballë rrezikut, opinioni publik ekstremizohet.

Njeriu nuk është qenie e arsyeshme, por është qenie që arsyeton! Janë larg këto dy përkufizime prej njëri-tjetrit, shumë larg!

Kur epidemia te ne nuk kishte arritur ende, por dihej se do të vinte, në rrjetet sociale, por edhe në komunikimin ballë përballë, dëgjohej masivisht:

Nuk na prek virusi ne!

Çfarë t’u thoshe?!

Sapo hapje gojën duke arsyetuar fare lehtë, të hidheshin në grykë:

Racë e pastër ne!

Pellazgë ne!

Dhe këto ushqeheshin edhe nga njerëz që nuk mund të thuash se nuk kanë kompetenca mjekësore. Por, nuk ishte një çështje mjekësore. Është edhe sociale, edhe etike epidemia.

Por, kush të lë të flasësh se!

Lërini të flasin mjekët!, – të bërtisnin. Dakord, mjekët bëjnë testin, kurojnë, por vendimet politike nuk i marrin mjekët.

Sjelljen e njeriut në shoqëri nuk e studiojnë mjekët. Vazhdon i njëjti gabim. Epidemia shihet thjesht si çështje mjekësore.

Çfarë t’u thuash? Që është edhe çështje kulture, politike, familjare, etike, psikologjike?

Kush dëgjon? Si thoshin? Janë nxitje frikërash nga ana e kritizerëve. Nuk ka rrezik. Është rrezik i vogël.

Kush thotë se virusi nuk ka si të mos vijë – bën punën e Saliut. Pse Europa jemi ne? Ata që nuk na pranojnë ne. Mirëpo, erdhën rastet e para. Kaluam në të kundërtën. Nisëm të urrejmë emigrantët. Ata emigrantë që nuk kemi lënë pa i lëvduar sepse mbajnë me lekë familjet, vendin etj. Cilët janë këta? Ata, mo, bijtë dhe bijat e këtyre që shajnë.

Po sikur një i afërm t’u kthehej para disa ditësh dhe t’u thoshte:

Erdha o njerëz në shtëpi, kishte rrezik atje.

Çfarë do t’i thoshin: Jashtë, jaaaaaashtë, jashtëëë!

O mikpritja shqiptareeeeeeee! Çfarë lavdesh i bëjmë!

Shtëpia jonë është e mikut!

E mikut dakord, por pa virus!

Jemi racë e pastër neeeeeee! Pellazgë! Më shumë shoku! Më shumë? Etruskë! Me shumë shoku! Skitha! Ore, skutha jemi? Joooooo! më të lashtë akoma! Pyet Darvinin!

Këta emigrantët e qelbur!,-ky ishte pak a shumë toni. Toni i frikës, i ankthit kolektiv. Jemi edhe trima, pale.

Mirëpo, doli që nuk ishin emigrantë, po kishin qenë për vizitë andej nga Italia! Moooooos, edhe kjo ra!

Emigrantët i përzumë! Ik, o vëlla, vdis andej nga qoshet e pallatit! Çfarë na bën pis?!

Trimëria? Ku ka trimëri me rrezikun, mo? Trimëria është për të kënduar këngë dhe u sharë me njëri-tjetrin në Parlament!

Një disonancë konjitive!

Opinioni publik midis dy të kundërtash: Jemi racë e pastër apo jemi racë e keqe? Nisën dilemat.

Kur nuk kishim virus, ishim pellazgë skitha, kur na kap viroza jemi emigrantë skutha!

Për t’i bashkuar këto të kundërta, nisëm edhe gjejmë fajtorin jo tek emigrantët, jo te bejlerët, diversantët, katolikët, vllahët, hebrenjtë, çamët, grekët, jevgjit – oh sa të mirë janë – por te kultura.

Janë kanunarë, mo, pa kulturë! Iku në Itali dhe kur erdhi nuk u fut në karantinë!!! Si të futej, kur vetë Italia nuk e kërkonte? Kur nuk kishte asnjë simptomë? Kur i duhej të jetonte?

Nejse! Kështu e ka zakonin njeriu. Do fajtorin!

Çdo i sëmurë tani konsiderohet me faj. Sinonimia e vjetër me shekuj “i sëmuri – fajtor” na ndihmon të kujtojmë se ne jemi ndryshe. Ne nuk na kap sepse nuk jemi fajtorë!

Vetë e ke fajin! Me lër rehat mua tani! Ik o vdis andej!

Ka rrezik të mbyllemi? Gjithë lekët po i blej makarona, oriz, reçel! Po i boshatise dyqanet, mo? Ohuuuuuu! Jemi solidarë? Qenke budalla fare tiiiiiii! Solidariteti është virus komunist. Ne kemi hallin e këtij virusit kapitalist tani. Secili për vete, Zoti për të gjithë në kohë rreziku!

Pse ç’kujton ti? Akoma u beson përrallave të zyshës të klasës së parë? Të vdesin të tjerët dhe të jetosh ti? E mo, çfarë kujton? Po si do të jetosh vetëm, sikur të gjithë të tjerët të mos jenë më?

Nuk e di,-thotë

Na nxjerr se çfarë jemi në thelb kriza. Jo se të tjerët nuk janë.

Do kalojë epidemia, sigurisht. Do ikë virusi. Por, atëherë të mos harrojmë se çfarë kemi bërë. Të mos nisim përsëri:

Ne, pellazgët!

Ne, shenjtorët!

Ne, trimat!

Ne, solidarët!

Ata, emigrantët!

Ata, katundarët!

Ata, opozitarët!

Mos e marrim veten kaq seriozisht!

Se nuk merremi me virusin pastaj, por me veten dhe njëri-tjetrin!

Se pastaj, o dhé hapuuuu, dëgjojmë që edhe ekipet e reanimacionit duhet t’i bëjmë mikse, ca me mjekë demokratë dhe ca me mjekë rilindës!

Po, e vërtetë, sot e lexova!

Në vend t’i themi politikës së qelbur: PERJASHTAAAA nga shkenca, nga administrimi, nga shërbimet!

Trurin, a e kap korona?!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura