Marrëdhëniet e prishura mes LSI e PDIU për çamët? Flet Ilir Meta

Oct 14, 2016 | 17:25
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka bërë sot dy propozime të rëndësishme në kuadër të reformës zgjedhore.

Meta-në-Kuvend-jpg

Në një fjalim të mbajtur në një tryezë të organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai kërkoi kufizimin e numrit të biznesmenëve që do të bëhen deputetë vitin e ardhshëm si dhe uljen e numrit të deputetëve.

“Ne do ta kemi në konsideratë kufizimin e biznesmenëve në parlament. Ky është një problem në cilësinë e Parlamentit dhe kjo është e dukshme. Nuk ndihmon as cilësinë e ligjbërjes, nuk ndihmon as rritjen e kontrollit të Kuvendit mbi Qeverinë, por shpesh ndikon mbi presionet që i bëhen Qeverisë dhe forcave politike për interesa të ngushta”, tha Meta.

Sipas tij “këto janë probleme që kanë të bëjnë me detyrimin e forcave politike dhe duhet vullnet për ti zgjidhur. Duhet parë edhe numri i deputetëve pasi është më i madh se ç’duhet. Ne bëmë një reformë administrative dhe nga 400 njësi kaluam në 61 njësi. Duhet parë edhe numri i deputetëve”.

Z. Meta, a ka pasur tronditje në koalicion qeverisës nga çështja çame?

Jam shumë i bindur se kjo çështje, jo vetëm që nuk ka të bëj me raporte koalicioni, partish apo individësh, por është një çështje që është në interesin e të gjithëve, që të gjejë një zgjidhje dhe për këtë unë gjithnjë kam qenë dhe jam iorientuar nga rezultati dhe jo nga retorika.

Ju dëgjuam në konferencën e organizuar nga KQZ teksa theksuat për Kodin Zgjedhor një detaj të cilin LSI-ja nuk e kishte shprehur më parë, që bëhet fjalë për shantazhet gjatë fushatave elektorale. Pse pikërisht sot përpresionet që bëhen gjatë fushatës?

Unë përmenda disa fenomene shqetësuese të proceseve zgjedhore për të cilat duhet të garantohet një penalizim maksimal, në mënyrë që askujt të mos i shkojë mendja për të tentuar blerjen e votës, për të tentuar fotografimin votës. Sepse kemi dëgjuar që kjo gjë ka ndodhur në raste të caktuara. Presione të administratës ndaj votuesve për të marrë një vend pune apo për të ikur nga vendi i punës në rast se nuk kontrollojnë vota, e çështje të tjera të cilat kanë ndodhur. Nuk besoj se këto janë dominuese përsa i takon procesit zgjedhor. Por përderisa raste të tilla kanë ndodhur, duhen të merren masa që të mos ndodhin më dhe askujt të mos i shkojë mendja të cenojë lirinë e votuesve. Sepse më pas ne e dimë që kushdo që humbet në Shqipëri, do të përqendrohet te këto fenomene për të dëmtuar gjithë imazhin e zgjedhjeve.

Ju i referoheni zgjedhjeve të fundit në Dibër?

Unë iu referova të gjitha zgjedhjeve dhe sidomos të rekomandimeve të OSBE-ODIHR të 2013-ës dhe të 2015-ës.

Një pyetje për listat e hapura. E keni si angazhim partie apo si kusht partie meqë jemi ende në procesin e reformës zgjedhor. Është e zbatueshme kjo gjë?

Mendoj se është një kërkesë mjaft demokratike dhe përsa i takon reformës zgjedhore, ajo nuk është se bëhet me kushte, bëhet me konsensus. Dhe është e rëndësishme që të gjithë t’i përgjigjen një kërkese për më shumë demokraci në zgjedhje.

A mund të bëhet kjo përpara zgjedhjeve të 2017?

Po pse jo?! Çështje e vullnetit politik është.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura