Njerëzit e natës, kush janë gratë që pastrojnë Tiranën

Jan 19, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Sa herë që njerëzit flasin për jetën e natës, nënkuptojnë me këtë të rinj dhe të reja që mbushin lokalet më të frekuentuara nën ritmet e një muzike që i mban zgjuar deri në agim. Krejtësisht njëlloj si ata që rrinë zgjuar është edhe një kategori tjetër njerëzish që “e gdhijnë” po ashtu, të cilët nga zhurmat dhe festat, sidomos ato që zhvillohen në qendra qytetesh, përfitojnë më shumë punë dhe lodhje, më shumë plehra për të mbledhur me qëllim që t’i kthejnë qytetit fytyrën e tij të pastër.

 

Shefikat Shako
Shefikat Shako

Ata janë punëtorët e pastrimit, në radhët e të cilëve ka me qindra gra, shumica e të cilave e kanë filluar punën që kur kanë qenë 12 vjeçe. Namik Simixhiu nga Drejtoria e Mbetjeve Urbane, pranë Bashkisë Tiranë, shpjegon se për pastrimin e qytetit firmat operojnë me turne dhe të gjitha së bashku kanë 550 punëtorë, ndërsa vetë Ndërmarrja e Pastrim- Gjelbërimit ka 130 punëtorë. Sipas Simixhiut, në 680 punëtorët që mbulojnë këtë sektor, 60 për qind janë femra.

Janë 6 firma që operojnë për pastrimin e qytetit, pasi kanë fituar tenderin nga Bashkia, por me punëtorët e disa prej atyre firmave është e pamundur të flitet. Kryesisht ata që i pengojnë janë përgjegjësit e turneve, të cilët nuk duan që të bëhen publike të ardhurat e këtyre punëtorëve.

GRATË

Mes radhëve të kësaj armate gjenden dhjetëra në vështirësi ekonomike dhe shëndetësore. Gra që vuajnë nga tuberkulozi, po nuk kanë mundësi financiare për t’u kuruar, të tjera që përballojnë jetën e tyre dhe të familjeve me dyfishin e halleve, sepse paratë që fitojnë ua sekuestrojnë bashkëshortët që i përdorin për të blerë alkool.

Gratë e kësaj kategorie janë të heshtura dhe kokulura. Ato kanë bërë kompromis me jetën e tyre për të përballuar çdo lloj shuplake që ajo u përplas në fytyrë. Një pjesë e kësaj kategorie për të përballuar shpenzimet ekonomike, dhurojnë gjak.

Por edhe kjo lloj mundësie nuk zgjat shumë. Duke punuar në rrugë për një kohë të gjatë, mbërrin një ditë dhe gjaku i tyre nuk konsiderohet më i pastër për t’u dhuruar. Punëtorët shprehen se mjekët u kanë thënë që kanë zmadhim të mëlçisë, gjë që do të thotë se janë prekur nga hepatiti.

HISTORIA E SHEFIKATIT

Të vetmit punëtorë që pranojnë të flasin për punën e tyre i përkasin firmës “Shpresa SH.P.K”, e cila është një firmë e re që operon në Tiranë dhe ka në juridiksion pjesën lindore të Tiranës, duke përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Nënë Tereza”.

Punëtorët paguhen 30 mijë lekë, ku përfshihen dhe siguracionet, e kjo shifër ndryshon me afërsisht 10 mijë lekë me punëtorët e paguar më pak për të njëjtën punë në firmat e tjera. Jeta e tyre nuk është më “e bukura” në botë, por ata ndihen mirënjohës që kanë një punë dhe që ajo pagesë i ndihmon për t’ia dalë në fund.

Ndër gratë që punojnë pranë kësaj firme është edhe Shefikat Shako, një grua e imët dhe me buzëqeshje të vrarë, të mbetur në cepat e buzëve, njësoj sikur jeta të ketë kaluar me shpejtësi mbi të dhe t’i ketë vjedhur gjithë gëzimin. Ajo nuk ka shtëpi.

Jeton lart e poshtë së bashku me familjarët e saj, sa në Yzberisht, sa diku afër Pallatit me Shigjeta, në shtëpinë e kunatës së saj, në pritje për t’u stabilizuar në një banesë sociale, për të cilën ka bërë dhjetëra letra dhe shkresa e së fundmi beson që do t’ia arrijë të ketë një çati mbi kokën e saj.

Shefikati është 40 vjeçe. Është bërë shpejt nënë, shpejt grua e ve dhe shpejt gjyshe. “Kam sakrifikuar shumë në jetë, e nis rrëfimin e saj, e kam bërë për familjen, për fëmijët e mi. Kam punuar ndershmërisht gjithë jetën”. Dhe kur thotë këto fjali, vë dorën në ballë, për të demonstruar me gjeste që çdo gjë e ka bërë me punë të ndershme, pa i shtrirë dorën njeriu e pa gjetur rrugë të shkurtra për të lehtësuar jetën.

Në firmën ku punon të gjithë e respektojnë, ajo është në rrugë së bashku me motrën e saj prej më shumë se 6 vitesh. Para se të fillonte të punonte te firma “Shpresa SH.P.K”, ka punuar për një firmë pastrimi italiane. Është mësuar me punën e natës që fillon në orën 21:00 dhe përfundon në orën 03:00 të ditës së ardhshme.

KUSHTET E PUNËS

Aktualisht punon në pastrimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në të cilin është mjaft e kënaqur. Zona është e ndriçuar dhe ka lëvizje, nuk ka kalimtarë të dehur që e fyejnë apo e ngacmojnë. Rrëfen se më parë punonte afër zonës së liqenit, në rrugën pranë parkut të lodrave, dhe herë pas here është ngacmuar nga njerëz të dehur, ku më shumë e ka frikësuar një grup djemsh, njëri prej të cilëve nuk mjaftohej vetëm duke e ngacmuar me fjalë, por edhe i afrohej për ta prekur.

Njësoj si ajo sillen dhe koleget e saj, të cilat gjithashtu në shumë raste bëjnë sikur nuk i dëgjojnë fjalët e të dehurve ose të njerëzve ordinerë që rëndojnë mbi to, më shumë të pista se mbeturinat që duhet të heqin nga rrugët.

Shefikati nuk ankohet për punën, as të tjerët. Pyetjes nëse i ndodh ndonjëherë gjatë kohës që është duke pastruar, që dikush t’i hedhë mbeturinat në tokë, ajo i përgjigjet se edhe nëse dikush e bën, është detyra e saj ta pastrojë. Por shton se me kalimin e viteve është pakësuar numri i njerëzve që hedhin mbeturina në rrugë.

Ajo tregon se ka plot raste kur njerëzit e pyesin se ku mund t’i hedhin mbeturinat që mbajnë në duar. Ajo ndalon sa herë që në rrugën ku është duke pastruar kalon njeri, duke mos dashur ta pluhurosë tjetrin. Disa ditë më parë asaj i qëndruan te këmbët dy burra, të cilët i thanë se kishin vënë re se si ajo ndalonte sa herë kalimtarët nxitonin aty pranë.

Në shenjë respekti ata i kishin dhuruar një 500 lekësh që Shefikatin e kishte lumturuar pa masë. Sepse me 500 lekë ajo mund të blejë një litër vaj, gjysmë kile fasule dhe ndonjë pako makarona, pa qenë e nevojshme të shkojë e të shënojë emrin e saj si ndodh gjithmonë, kur afron 10- ditëshi i fundit i muajit dhe paratë mbarojnë, ndaj zgjidhja e vetme mbetet të ushqyerit me listë.

JETESA

Shefikati ka tre fëmijë, një vajzë të madhe të martuar, të cilën e sheh rrallë, një djalë 21-vjeçar, i cili është martuar dhe ka një bebe të vogël, si dhe vajzën e saj të vogël, të cilën prej dy vitesh e ka në Itali, në një shkollë nën kujdesin e murgeshave. Është e lumtur për vajzën e vogël.

Ajo është me nota shumë të mira dhe një notare me rezultate të larta. E gëzon Shefikatin shumë suksesi i së bijës, për të cilën thotë se e hoqi nga mjedisi ku jetonte për të mos e martuar shpejt, ashtu siç ndodh rëndom me personat që i përkasin komunitetit rom.

Shefikati nuk di shkrim dhe këndim. Ajo ka mësuar vetëm firmën e saj dhe asnjë fjalë tjetër. Pyetjes se nëse sheh ndonjëherë filma, ajo i përgjigjet pozitivisht. Thotë se i merr me mend shumicën e gjërave, ndërsa kur ndodhet në shtëpi, nusja e djalit i lexon përkthimin e filmave.

Arsyeja pse Shefikati është e hollë dhe e zbehtë është një operacion i disa kohëve më parë. Ka hequr tëmthin, pas një kohe të gjatë vuajtjesh. Ajo rrëfen se ishte vizituar disa herë, por mjeku ua kishte prerë shkurt nëse ishin gati. Me “gati” mjeku nënkuptonte një shumë të hollash për të paguar operacionin. Por Shefikati nuk ka të holla mjaftueshëm për t’u ushqyer, jo më për t’i dhënë mjekut.

Ajo u sëmur gjatë orarit të punës dhe përgjegjësi i ndërmarrjes çoi urgjent një makinë që e transportoi për në spital. U operua nga një mjek i mirë, i cili nuk i vuri “gjobë” Shefikatit të varfër që shumicën e kohës ushqehet me pluhur. Tani jam më mirë, tregon ajo, duke vënë duart mbi barkun e saj dhe duke prekur trupin e hollë të veshur komplet në të zeza, si shenjë zije për vdekjen e babait pak ditë para Vitit të Ri.

“Sivjet nuk bëra Vit të Ri, shpjegon punëtorja e pastrimit, isha në varreza në datë 1, as lekë nuk kisha për të festuar Vitin e Ri”. I është mirënjohëse kishës, pa ditur se cilës prej tyre, por tregon se njerëz të kishës i gjetën një natë në bulevard para Vitit të Ri dhe u dhuruan ndihma, sheqer, vaj, oriz. “Shyqyr”, thotë e kënaqur dhe shton se nuk kishte asnjë mililitër vaj natën që mori ndihmat.

E VETME

Shefikati nuk e ka të shoqin prej më shumë se dhjetë vitesh. “Ishte burrë i mirë, tregon, më deshi dhe më trajtoi me respekt. Vdiq në spital, një mëngjes, pasi krizat e zemrës e hidhnin përpjetë në krevat dhe ai i lutej ta çonte në spital”. Fëmijët qanin, ndërkohë që ajo kërkonte ndihmë për ta transportuar.

Ishte udhëtimi i tij i fundit dhe kur mbërriti, u shua duke marrë me vete edhe shpresën e Shefikatit për një jetë më të mirë. Kalvari i saj i mundimeve është i madh. Ajo ka punuar ku ka mundur. Ka rritur shumë fëmijë kundrejt pagesës, ka punuar nëpër fshatra, duke shitur rroba të përdorura bashkë me të birin dhe ka punuar si punëtore pastrimi në shtëpitë e të tjerëve.

Rroga e saj prej 300 mijë lekësh shkon sot për gjithë familjen e saj, pagesën e ujit, dritave të shtëpisë ku banon, për të cilën fatmirësisht nuk paguan qira, rrobave dhe pampersave për mbesën e saj të vogël dhe pagesën e një kredie, të cilën e ka marrë një vit më parë.

“Kam edhe disa muaj për të paguar, tregon, një shumë prej 9700 lekësh në muaj”. E ka marrë kredinë në muajin e fundit, kur firma ku punonte do të mbyllej, dhe vetëm 6 muaj më pas ka arritur të sigurojë punë pranë firmës “Shpresa SH.P.K”. Firma u siguron punëtorëve mushamatë e shiut, çizmet dhe maskat kundër pluhurit, por punëtorët nuk i përdorin sepse bezdisen prej tyre pa llogaritur dot pasojat fatale që ka pluhuri në organizëm.

As Shefikati nuk e përdor maskën e fytyrës, edhe asaj i duket sikur i zihet fryma prej saj. Po t’i referohemi anketës së buxhetit familjar të bërë publik nga INSTAT, në shtatorin e vitit të shkuar, aty thuhet se mesatarja që një individ harxhon është 18 mijë lekë në muaj, ku 8 mijë lekë janë ushqimet dhe pjesa tjetër transport, veshmbathje, argëtim, hoteleri dhe shpenzime të tjera. Shefikat Shako as nuk e njeh fjalën argëtim dhe jo më të shpenzojë për të. Ajo sa herë flet për sakrificat e saj, drejton trupin dhe prek ballin.

I pëlqen të punojë edhe pse netët mund të jenë të athëta, duart akull të ftohta dhe gishtërinjtë plotë kallo që shtrëngojnë bishtin e fshesës. Ajo si shumë prej njerëzve të “jetës së natës” ka dinjitet, por jo të gjithë e vënë re. Ndoshta sepse kur zbardh mëngjesi dhe punëtorët e natës struken nëpër strehët e varfra, njerëzia e harron ekzistencën e tyre.

IRENA SHABANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura