VETON SURROI
Komisioni i ri Eropian ka gjasa që javën e ardhshme ta emërojë një të dërguar të veçantë për Kosovën. Kështu qe ideja fillestare. Pastaj doli se i emëruari për të dërguar të veçantë do të merret, natyrisht, edhe me Serbinë. Dhe pastaj doli se në atë harxh, i dërguari i veçantë do të merret edhe me Bosnjë-Hercegovinën. Radhitja e shteteve me të cilat do të merret i dërguari i veçantë duhet ta ketë një logjikë të veten. Në versionin A, për shembull, mund të ishte se duhet një i dërguar i veçantë për Kosovën, ngase ky shtet nuk është i njohur nga pesë shtetet anëtare të BE-së.
Por ky është problem më i vogël krahasuar me atë më të madhin dhe ai është se pavarësinë e Kosovës nuk e njeh Serbia, duke pretenduar njëkohësisht se ky vend është pjesë e atij shteti. Pra, Kosova nuk është problem kaq i madh po të mos ishte aty Serbia, që nuk e njeh dhe ka aspirata territoriale ndaj saj. Po Bosnjë-Hercegovina, pse hyn në këtë rrëfim? Sepse nuk e ka njohur Kosovën? Mbase jo, ngase konsekuenca inverse e kësaj logjike do të thoshte që, po qe se Bosnjë-Hercegovina do ta njihte pavarësinë e Kosovës, këtë do ta bënte pastaj edhe Serbia e në fund, edhe pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën. Dhe kështu, të gjithë do të ishin të lumtur.
Në fakt, a e njeh BH-ja pavarësinë e Kosovës, nuk flet gjë për pavarësinë e Kosovës; Kosova mund të jetojë pa ndonjë pasojë relevante për funksionalitetin dhe sovranitetin e shtetit pa njohjen e BH-së. Problemi është tjetërfarë dhe tregon perversionin e historisë së tridhjetë vjetëve të zhbërjes së ish-Jugosllavisë: BH-ja nuk mund të jetojë si shtet funksional dhe sovran nëse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në një shtet si BH-ja, ku nuk ekziston vendimmarrja demokratike e një sistemi kushtetues (fillimisht, sepse mungon sistemi kushtetues), por imponimi vendimmarrës nga një marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nuk është vendim, por mungesë kapaciteti për të marrë vendim. Për këtë dhe për shumë gjëra edhe më thelbësore për vendin.
2. Ka logjikë më të thjeshtë, pse do të ekzistojë një i dërguar për trekëndëshin kosovar-serb-boshnjak dhe kjo logjikë ka emrin e konflikteve të papërfunduara, me produkt në formën e shteteve të papërfunduara së ndërtuari. Kosova dhe Serbia nuk e kanë përfunduar konfliktin; ai është ndërprerë me një ndërhyrje ushtarake dhe me një proces politik administrimi ndërkombëtar, që kulmoi me pavarësinë e kontestuar të Kosovës. Por ky konflikt do të vazhdojë derisa Kosova dhe Serbia të mos nënshkruajnë marrëveshje paqeje e bashkëpunimi (sido të quhet ajo). Bosnjë-Hercegovina është shtet anëtar i OKB-së, por është në funksionet e veta të brendshme një shtet i kontestuar nga sistemi me të cilin funksionon, një marrëveshje për ndërprerjen e luftimeve në bazën ajrore në Dayton, Ohio, më 1995. Shteti ende nuk ka sistem të vetin legjitim kushtetues.
Një i dërguar i veçantë i BE-së do të duhej që në fund të punës së tij të raportonte suksesin e arritur, pra që Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë arritur një marrëveshje paqeje e bashkëpunimi, me çka bëhen shtete funksionale që dinë se ku i kanë kufijtë (parakusht themelor për integrim europian). Dhe që si fryt i angazhimit është arritur që Bosnjë-Hercegovina ka votuar në tërësi për një sistem kushtetues, i cili e bën shtetin funksional duke ruajtur dhe zhvilluar identitetin e kombeve konstitutive të shtetit; pra, një balancë mes funksioneve qendrore të një shteti qytetar dhe nevojave të veçanta identitare të bashkësive kombëtare.
Kur i dërguari i veçantë ta ketë dorëzuar prapa mandatin e suksesshëm, pra Bosnjë-Hercegovina si shtet funksional do ta njohë Kosovën e pavarur, sepse ky është interes i vetë BH-së, siç është interes i Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të vendosin marrëdhënie bashkëpunimi të ndërsjellë, me respekt të plotë për sovranitetin e të dy vendeve.
3. I dërguari i veçantë, qoftë edhe ai me përvojën më të vogël në regjion, do të kuptojë dy thjeshtësime logjike të radhës.
I pari është se kanë kaluar 25 vjet nga Marrëveshja e Dayton-it dhe 21 vjet nga fundi i luftës në Kosovë, pra se ka pasur kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur.
I dyti, rrjedhimisht, është se në këtë çerekshekulli nuk paska ekzistuar një përpjekje serioze për t’u dhënë fund konflikteve, ngase po të ishte bërë një përpjekje e këtillë, do të ishte arritur.
Dhe tani, i dërguari i veçantë mund të rikapitullojë thjeshtësimet e deritanishme: ai ka për mision, në dallim prej misioneve të deritanishme të dështuara, ta gjejë formulën se si Serbia ta konsiderojë veten shtet evropian, në interes të të cilit janë pavarësia e Kosovës dhe funksionaliteti i Bosnjë-Hercegovinës. Por kjo nuk është detyrë e një të dërguari të veçantë, është punë e Serbisë dhe e popullit të saj, apo jo? Atëherë do riformuluar misioni dhe riformulimi është më afër gjeopolitikës: si të arrihet një balancë forcash në këtë trekëndësh, në mënyrë që të zgjidhen konfliktet e papërfunduara?
Në kësi riformulimi të misionit, i dërguari i veçantë ka gjasa të mëdha të hyjë në baltën gjeopolitike të tridhjetë vjetëve të fundit: si të balancohen interesat e Serbisë, fuqisë më të madhe në regjion? Si të jetë Serbia e kënaqur mjaftueshëm në BosnjëHercegovinë dhe në Kosovë që të mund të gjendet një zgjidhje, që këto dy shtete të bëhen sovrane e funksionale?
Ky mision atëbotë nuk do të ishte i ri, do të ishte hyrje për në përsëritje të të gjitha misioneve të dështuara deri më tani. Misione të dështuara që në konceptim.
4. Për të dërguarin e ardhshëm të veçantë dhe shefat e tij, ndoshta do t’ia vlente një mësim modest historie, nga diçka që di personalisht, sepse kam marrë pjesë në të.
Në fillim të zhbërjes së ish-Jugosllavisë u ravijëzuan dy koncepte të ndryshme të raportit shtet-komb. Serbia e Akademisë së Shkencave dhe Arteve dhe e Millosheviçit konsideroi se serbët e republikave të ishJugosllavisë do të duhej të ishin pjesë të Serbisë së Madhe. Pastaj, në një rishikim të quajtur Memorandum 2, konsideruan se serbët në shtetet që nuk janë pjesë të Serbisë duhet të shërbejnë si faktorë, që paralizojnë funksionimin e atyre shteteve, derisa ato të zhbëhen dhe të krijohet mundësia për opsionin 1, Serbinë e Madhe. Ky projekt ka një çerek shekulli që zbatohet në Bosnjë-Hercegovinë, pastaj në Kosovë dhe së fundi në Mal të Zi.
Përballë këtij koncepti, në Kosovë ndërtuam idenë se shqiptarët e ish-Jugosllavisë do të ishin pjesë integrale e shteteve, që do të dilnin nga zhbërja e këtij shteti. Kosova do të ishte Republikë, Maqedonia do t’i njihte shqiptarët si shtetformues, Mali i Zi dhe Serbia do t’i njihnin të drejtat minoritare të shqiptarëve.
Gjatë tre dhjetëvjetëshave, politika serbocentrike është zhytur në luftëra deri në gjenocid dhe destabilizim të mëtejmë të shteteve e popujve. Ndërkohë, politika shqiptare policentrike ka ndërtuar dhe konsoliduar shtete brenda mundësive të veta. I dërguari i veçantë, kur ta marrë detyrën, ndoshta mund ta shohë veten në trekëndëshin kosovar-serb-boshnjak si në pikëndeshjen e dy koncepteve të deritanishme politike, atij serbocentrik dhe atij plural shqiptar.
Dhe çështja do të kërkojë thjeshtësim të mëtejmë: nuk ka balancë mes këtyre dy politikave, ka vetëm pyetje të thjeshtë se a duhet të jenë këto tri shtete funksionale, demokratike dhe funksionale apo jo? Koha.net
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al