Nishani viziton arbëreshët në Kalabri: Simbol i identitetit evropian të kombit shqiptar

Apr 8, 2015 | 14:36
SHPËRNDAJE

Në ditën e parë të vizitës në Kalabri, presidenti Bujar Nishani vizitoi një sërë vendbanimesh të hershme arbëreshe ku u takua e përcolli mesazhe te të zgjedhurit e institucioneve qendrore e vendore, përfaqësues të institucioneve fetare e shoqërisë civile arbëreshe. 

Bujar Nishani

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, fillimisht Nishani u ndal në Firmo, një ngulim arbëresh me tradita të hershme e ku, sikurse u shpreh kreu i shtetit duhet të vijohet me mësimin e shqipes për fëmijët e brezat e rinj.

Ndalesën e radhës presidenti e pati tek qendra e Eparkisë në Lungro, ku në një takim të ngrohtë e vëllazëror Kreu i Shtetit u prit nga Peshkopi Donato Oliverio, si dhe autoritetet qendrore e vendore të Prefekturës së Kozencës. 

Presidenti shprehu mirënjohjen e madhe për trashëgiminë shekullore që arbëreshët kanë ruajtur në shekuj. Nishani theksoi se arbëreshët e Italisë janë simbol i identitetit evropian të kombit shqiptar dhe se shqiptarët kudo ndodhen sot, në Evropë, Amerikë apo Australinë e largët i janë mirënjohës trashëgimisë arbëreshe në shekuj.

“Arbëreshët e Italisë përmes figurave të shquara si Jeronim De Rada e Zef Serembe i kanë dhënë Evropës në kohën që jetuan e punuan atë çka janë shqiptarët. Arbëreshët janë dhe do të mbeten urë e fortë e miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë. Të dëgjosh të flitet shqip sot në Kalabri është si të jesh në Arbërinë e dikurshme” tha ndër të tjera Nishani.

“Fjalët e arbëreshëve dalin nga zemra e zemra na bashkon” tha Kreu i Shtetit në fjalët e tij drejtuar përfaqësuesve të klerit gjatë takimit në Lungro.

Mësohet se takimet e kreut të shtetit vijuan në mjediset e komunës së Lungros të tejmbushur me banorë të cilët përcollën me duartrokitje e këngë arbëreshe fjalën e Presidentit të Republikës Sh. T .Z Bujar Nishani si dhe ceremoninë e dekorimit me titullin Mjeshtër i Madh të këngëtares Anna Stratigò.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura