Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare, Myftiniu i Shkodrës

May 13, 2011 | 8:54

SHKODER- Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare, Myftiu i Nderit të Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha. Ai lindi më 14 prill 1993 në qytetin e Shkodrës. Mjedisi familjar me shumë besimtarë dhe hoxhallarë, si dhe impenjimi i të atit për t’i dhënë dije fetare, i rrënjosën dëshirën për shkollim fetar, e cila do t’i plotësohej me vazhdimin e Medresesë së Përgjithshme në Tiranë nga viti 1939 deri në vitin 1948. Në përfundim merr diplomën me rezultate të shkëlqyera. Më pas, në vitin 1950, emërohet profesor në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë. Gjatë kohës së regjimit komunist ai u dënua me 25 vite burg, me akuzat nga më monstruozet. Me ndryshimet demokratike në Shqipëri dhe rikthimin e lirisë fetare, Haxhi Faik Hoxha u aktivizua duke u bërë pjesë e grupit të nismëtarëve të rihapjes së Xhamisë së Plumbit më 16 nëntor 1990. Ai u angazhua në të gjitha lëvizjet e besimit islam në vend. Në vitin 1991, Haxhi Faik Hoxha u emërua nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë si Myfti i Shkodrës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2003. Gjatë kësaj periudhe si myfti, ai është dalluar në riorganizimin e institucioneve dhe të objekteve fetare në rrethin e Shkodrës. Me urtësitë e tij ai u tregua tolerant dhe bashkëpunoi vazhdimisht me komunitetet fetare, atë katolik dhe ortodoks, për t’i shërbyer qëllimit të përbashkët për Shkodrën dhe Shqipërinë. Bashkia e Shkodrës, në vitin 1999 i dha Faik Hoxhës titullin “Qytetar Nderi”. Ai është nderuar edhe nga Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, me titullin “Pishtar i demokracisë”, Ndërsa në vitin 2010, Haxhi Faik Hoxha u nderua nga Komunitetit Mysliman i Shqipërisë me titullin “Myfti Nderi i Shkodrës”. r.d

© Panorama.al

Te lidhura