Na shpëto o Zot, nga njëri-tjetri

Aug 10, 2018 | 12:11
SHPËRNDAJE

KIÇO BLUSHI

Kiço Blushi
Kiço Blushi

Ajo që po ndodh ditët e fundit në Kosovë, duket pa lidhje me çka po ndodh prej gjashtë muajsh me Teatrin Kombëtar në Tiranë. Por, në të dy rastet bëhet fjalë për caktimin e kufijve. Të kufijve shtetërorë në Kosovë, të kufijve kulturorë, trashëgimorë, juridikë dhe moralë në Tiranë. Edhe pse “pa lidhje”, në të dy rastet është i paqartë kufiri që ndan dhe bashkon pushtetin me shtetin, drejtësinë me padrejtësinë, autoritetin me autoritarizmin, udhëheqësin me popullin, qytetarin me të zgjedhurin, pronën dhe interesin publik me atë privat… Të dy rastet provojnë harbutërisht, por jo habitërisht, sojin e krerëve që kemi.

Gjithsesi, edhe çështja e kufijve të Kosovës, si një problem madhor, edhe ajo e Teatrit Kombëtar (e cila, krahasuar me të parën duket minore), nuk janë e nuk mund të quhen një “teatër i rëndomtë mes shqiptarësh”, që luhet herë nëpër rrugë e herë nëpër institucione nga ca të vetëngopur me pushtet, të nakatosur e të hasmosur me ndoca anonimë e amatorë të etur për lavdi, për protagonizëm, makar edhe për drejtësi. Dëmi në të dy hapësirat e kufirit shtetëror është i pallogaritshëm, afatgjatë, paçka se duket sikur nuk i rëndon direkt në xhep individit, interesit vetjak të atypëratyshëm.

Është rrënim sistematik jo vetëm fizik, material, moral a kulturor, si arsyetojmë shpesh, por historik, pasi në të dy rastet fati ynë i përbashkët si komb mbetet i varur në çengelin e dyshimit të aftësisë sonë për të funksionuar si komunitet, si popull, si një shoqëri e zhvilluar, që e ka kapërcyer pragun e shtetformësisë.

* * *

Mjerisht, ne kemi mbetur në kufirin që ndan atë, e cila quhet popullatë, nga ligjësia që formëson amalgamën që quhet popull.

Gjuha shqipe që na bashkon, më së shumti përdoret si mjet për të mos u marrë vesh me njëri-tjetrin, për t’u përçarë, për të rrahur ujë në hava, për t’u grindur, për t’u hasmosur e sherrosur, për të prishur e shkatërruar gjithë çfarë ka mbetur. Shkurt e shqip: për të djegur jorganin edhe për një plesht. Po të ndjekësh ligjërimin e krerëve tanë del se të gjithë janë hajdutë. Kujt t’i besosh? Populli nuk bën dot veting për politikanët. E ndoshta nuk ka nevojë, përderisa ata vetë i nxjerrin jo vetëm bojën, po edhe sytë njëritjetrit….

“Mukja” nuk u prish rastësisht, “për inat të sime vjehrre”…Jo rastësisht, ne u islamizuam më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit. Jo rastësisht e fituam pavarësinë nga Turqia më të fundit në Ballkan. Por, edhe pasi e fituam, nxorëm një Esad Pashë dhe mbetëm pa qeveri mbi dhjetë vjet, duke vënë në rrezik, bashkë me foshnjën shtet, edhe ekzistencën e kombit…Jo vetëm Serbia, Greqia dhe Italia, që ishin bërë me shtet një shekull para nesh, po edhe Mali i Zi, ky liliput ballkanik, u vërsul të rrëmbente një copë nga territori shqiptar…Nuk ishim ne shqiptarët që e shpëtuam vatanin, po ekuilibrat dhe interesat strategjikë të shteteve të mëdhenj, si SHBA dhe sidomos Perandoria austro-hungareze…Përse pra, te ne ndodh që udhëheqësi pasardhës të qëllojë më keqbërës se i pari? Si shpjegohet nostalgjia në rritje për Zogën dhe Enverin? Si është e mundur që Berisha, i rrëzuar me revolta popullore, si askush tjetër, të rivinte në pushtet “ me vota të lira dhe demokratike?”

Për të vazhduar me pyetje të tjera, të mbetura pa përgjigje sot e kësaj dite: Përse në Shqipëri diktatura u shemb e fundit dhe përse në procesin e demokratizimit dhe integrimit ne jeni më të fundit në Ballkan? A thua të jenë rastësi të gjitha këto pyetje pa përgjigje?

Ndoshta një arsye madhore është se paria jonë ishte dhe është e gatshme të shitet e të blihet nëpërmjet mercenarizmit. Mercenarizmi ka qenë dhe ka mbetur motori i vetëm lëvizës, mrekullisjellës, mjeti i vetëm i karrierës, i pasurimit, i sundimit, si të ishe me titull të trashëguar bej, “oxhak” apo “opingë”, ballist, nacionalist, komunist apo liberal…Pa analizuar efektin absolut të mercenarizmit ( si tipari më qenësor i krerëve tanë), pa hulumtuar të gjitha shanset e humbura, të gjitha dështimet e historisë tonë moderne, të gjitha vendimmarrjet e krerëve tanë, historia jonë nuk mund të rishkruhet me drejtësi. E për më tepër, ne si qytetarë nuk do të mund të krijojmë një raport të qëndrueshëm mirëbesimi dhe mirëkuptimi fillimisht me njëri-tjetrin e, për pasojë, edhe me shtetin, pushtetin dhe të zgjedhurit.

* * *

Si e tillë, historia jonë moderne nuk ia vlen të etiketohet si një dramë e mirëfilltë, si zhgënjim, si përndjekje nga fati i përkeqtë, as si farsë, as si gallatë, as si komedi, as si spektakël, gjithsesi jo si politikë dobiprurëse, por si një sherrnajë tradicionale, mbarëshqiptare, e kurdopërdorshme, kushedi sa herë e përsëritur. Të gjitha ukubeve e zezonave tona të kësollojshme në histori, vështruar në distancë, me sytë e me mendjen e një të huaji objektiv, nuk ia gjen dot fillin, as qëllimin, as kuptimin, as drejtimin, aq më pak interesin e përbashkët vizionar, po qe se mënjanon shtysën tonë instiktive drejt parimit: secili për vete, ndërkombëtarët le të vrasin mendjen (jo Zoti!)për të gjithë….

Është pikërisht ky “mallkim” që na ka përndjekur kaherë e kahmot në të gjitha hullitë e historisë, të sistemeve, kthesave, përmbysjeve, pushtimeve, regjimeve, pavarësisht se cilët pushtues, cilat parti apo krerë na kanë udhëhequr “nga fitorja në fitore”. Është pikërisht ky mallkim-dyshim, gati-gati si një destin, tek aftësia jonë shtetformuese, të cilën krerët tanë, me apo pa qëllim, e mëkojnë dhe e mbajnë gjallë (për të na sunduar më lehtë), që po e shpopullon dhe po e kastron kësisoj bashkëjetesën me njëri-tjetrin, me shtetin, me të zgjedhurit tanë, më rëndë se eksodi pas vdekjes së Skënderbeut, apo, për t’u qasur më përkëtej, pas shembjes së diktaturës.

Jo, nuk është varfëria shkaku i vetëm përse ne jemi i vetmi popull në botë, të cilit pa luftëra dhe pa rrëmete, i ka firuar, përgjatë një çerek shekulli, gati gjysma e popullsisë. Cila qeveri në botë do të shkonte në plazhe e nëpërmjet “Facebook”-ut të mburrej për suksese, për rritje ekonomike, për reforma, për integrim, për….teksa, sipas sondazheve, 70% e të rinjve synojnë të ikin, të ikin, të ikin që të punësohen e të studiojnë jashtë? Kur vetëm në këtë vit, disa qindra mijë fëmijë e të rinj kanë braktisur bankat, shkollat dhe universitetet? Në cilin shtet të botës ndërtohen më shumë burgje se fabrika dhe kombinate? Ku bën vaki që një qeveri, makar edhe një mbretëri, t’i falë pronën publike një privati? Ku janë ndotur e denatyruar lumenjtë e liqenet, ku janë djegur e shkretuar pyjet, ku tjetër kronika e zezë, me vrasje, vetëvrasje dhe sherre të pasosura, ka pllakosur familjen si te ne?

Kërkojmë të integrohemi në Europë e ndërkohë dezintegrohemi përditë e më tepër me njëri-tjetrin, jo vetëm si bashkëkombës, jo vetëm si shqiptarë Shqipërie e Kosove, por edhe brenda gjakut, vëlla me vëlla, prind-fëmijë, burrë e grua, le më si fqinji me fqinjin.

Sidomos kur u bëmë me shtet të mëvetshëm, kjo e ashtuquajtur (me delikatesë) “vështirësi mbarëkombëtare”, pra ky ngërç shtetformues, gati-gati gjenetik, për të mos funksionuar për së mbari si popull, si komunitet, si bashkësi unike, n’daç edhe si etni, në jounison e në dëm të interesave kombëtare, mjerisht, edhe në këtë demokraci-deledash po bëhet një trysni parësore, kërcënimtare, shkatërrimtare, e papërballueshme, e frikshme, një rrezik që shfaqet si një cunam, prej të cilit mund të shpëtohet vetëm duke ikur në një shtet të huaj, duke u bërë, me hir e pahir, refugjat…

Me sa duket, bash për këtë arsye të urtët janë lutur dëshpërimisht: Faleminderit o Zot, që e bëre Shqipërinë kaq të bukur e kaq të pasur, po aman tani shpëtoje nga shqiptarët. Janë lapidare fjalët e Presidentit Klinton: “Ne bëmë luftën, tani ju bëni paqen!…”

Vetëm se kjo “tani” nuk është e nuk ka mbetur kurrë një “tani”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura