Miratohet ngritja e Komisioneve për Zgjedhoren e Territorialen! Nga Gjiknuri, Bushka tek Alibeaj e Bylykbashi, zbardhet lista me 36 anëtarët e dy reformave

Jun 10, 2022 | 8:57
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar dje ngritjen dhe përbërjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe atij për Reformën Territoriale.

lindita nikolla kuvend

Kanë qenë 108 deputetë nga të dyja palët politike që kanë votuar pro ngritjes së komisioneve dhe përbërjes së tyre. Secili prej komisioneve do të përbëhet nga 18 anëtarë, ku Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nga 9 anëtarë në secilin nga komisionet. Për sa u përket emrave që i përbëjnë këto komisione, nuk ka surpriza nga listat e publikuara më herët, nga dy subjektet kryesore.

Për sa i përket përbërjes që do të ketë Komisioni për Reformën Zgjedhore, emrat e anëtarëve janë përzgjedhur me kujdes nga të dyja subjektet. PS ka caktuar si bashkëkryetar Sekretarin e Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, ndërsa opozita i është përgjigjur në këtë pozicion me kreu e grupit, Enkelejd Alibeaj. Lista e anëtarëve të këtij komisioni nga maxhoranca përbëhet nga Blerina Gjylameti, Klotilda Bushka, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Arben Pëllumbi, Blendi Klosi dhe Klevis Xhoxhi.

Nga ana e saj, opozita, pavarësisht përçarjes së brendshme, ka përfshirë në këtë listë Oerd Bylykbashin, nënkryetarin e zgjedhur nga PD, që drejtohet nga Sali Berisha. Kjo përzgjedhje duket se është bërë për shkak të eksperiencës që ka deputeti Bylykbashi në çështjet zgjedhore. Lista e PD-së pasohet nga Grida Duma, Dashnor Sula, Kreshnik Çollaku, Lindita Metaliaj, Seladin Jakupllari, Ervin Salianji, Eralda Bano.

Në listën e emrave që do të përbëjnë Komisionin e Reformës Territoriale, Benet Beci i PS-së dhe Dhurata Çupi e PD-së do të jenë bashkëkryetarë të komisionit. Maxhoranca ka bërë pjesë të këtij komisioni ishministren Anila Denaj, si dhe deputetët Krashi, Nasufi, Ndreca, 3 anëtarë të tjerë dhe 4 emra zëvendësues.

Opozita, nga ana e saj, deputetët Xhelal Mziu, Pampuri, Ulliri e Korreshi dhe 4 anëtarë të tjerë. Por ky ishte vetëm hapi i parë i nisjes së procesit për dy reformat shumë të kërkuara nga opozita dhe që morën dakordësinë e maxhorancës.

Vijimësia e tyre në lidhje me hapat dhe nisjen nga puna pritet të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Konferencës së Kryetarëve, që pritet të caktojë edhe axhendën e secilës prej tyre.

Dy reformat sjellin përplasje brenda opozitës! Noka: “Fake opozitë”, i keni kapur, ju shërbejnë dhe bëni pazare

Përpara se Kuvendi të votonte për ngritjen e Komisioneve për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale, brenda opozitës ndodhi një përplasje me replika të forta, që tregoi qëndrimet e deputetëve të opozitës. Deputeti i PD-së Flamur Noka akuzoi maxhorancën se bën pazare me atë që e quajti “fake opozitë”.

Sipas tij, Alibeaj, Bardhi dhe Tabaku nuk kanë asnjë lidhje me elektoratin, ndaj s’mund të jenë pjesë e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale.

“Ja ku i keni pengjet. I keni kapur, ju shërbejnë, ju servilosen, i urdhëroni, por harrojeni opozitë këtij populli nuk i emëroni dot. Komision për Reformën Zgjedhore dhe Komision për Reformën Territoriale. Ore kjo opozitë a i ka 59 deputetë më 25 prill? A e dini ju se i ka 59, po me kë jeni konsultuar, me 3-4 ushtarët tuaj, sejmenët tuaj që i bëni këto? A e dini ju që nuk dalin dot nga shtëpia. Ju i keni caktuar opozitë dhe bëni çfarë të doni me ta. Komisionet që ngrihen, ngrihen për t’ju shërbyer juve, Edi Ramës dhe regjimit. Çfarë lidhje kanë Enki, Gazi, Jorka me Reformën Territoriale dhe Zgjedhore? Asnjë lidhje.

Ku e kanë elektoratin, në cilën zonë zgjedhore shkelin këta që ju keni vendosur t’i quani pjesë të komisionit. Qarku i Elbasanit nuk ka asnjë përfaqësues se nuk duan këta. E ka tmerr Gazi Elbasanin, i bie të fikët, vetëm ia ka kuruar plagët Taulanti se të fikët i bie kur ia përmend. Pazaret në kurriz të kujt po i bëni? Këtu ka shërbëtorë. Këtu ka fake opozitë. Këtu ka opozitë të emëruar dhe ndaj bëhen pazaret. Duke emëruar se nuk kanë votë. I morët gjithë institucionet dhe tani doni të rrëmbeni dhe atë pjesë të opozitës, çfarë doni të ktheni monizmin? Harrojeni, ju mund të bëni çfarë të doni me ca marioneta. Ka vetëm një rrugë: protesta”, tha Noka.

Ndërkohë, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i deputetit Gazment Bardhi, i cili i kërkoi të përgjigjet se pse Sali Berisha iu ka nisur mesazh deputetëve të PD-së që të bëhen bashkë me Ramën për të bllokuar komisionin për investimet strategjike.

“Do t’u kërkoj ndjesë gjithë demokratëve që duhet t’i kthej përgjigje një kolegu nga opozita. Prita të fliste për çmimin e naftës, por nuk përmendi kush është oligarku i naftës. Dil atje dhe fol, po s’ke guxim ta përmendësh Çet Kastratin, sikurse nuk ke guxim të përmendësh asnjë nga ata oligarkë që kjo që e quan fake opozita i denoncon çdo ditë. E dyta, merri leje doktorit dhe dil sqaro demokratët, pse u ka nisur Sali Berisha mesazh deputetëve të tij që të bëhen bashkë me Ramën për të bllokuar komisionin për investimet strategjike.

Këto janë akte që tregojnë se kush është fake dhe kush është opozita e vërtetë. Sa i përket elektoratit, z. Noka nuk kam marrë ndonjëherë zyrën tënde. Ti ke ardhur në 2020-ën në zyrën time dhe më ke thënë mos më ço në Kukës, se nuk më do anëtarësia, se më djeg anëtarësia e partisë”, u shpreh Bardhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura