Mimoza Thaqi, biznesmene e suksesshme në Maqedoni: “E nisa biznesin me borxhe, tani jam e pasur”

Feb 20, 2015 | 11:33
SHPËRNDAJE

Rruga e suksesit të një gruaje, e cila ia doli, pavarësisht vështirësive, falë të menduarit pozitivisht dhe besimit te vetja. Drejtuesja e një rrjeti dyqanesh në Maqedoni dhe themeluesja e Klubit “Unë jam fuqia” ndan eksperiencën e saj

Pas 25 vitesh përvojë të suksesshme si grua në biznes në Maqedoni, Mimoza Thaçi sjell për herë të parë për publikun shqiptar Trajnime Motivuese. Ajo ka përkthyer e botuar literaturë të njohur amerikane, të cilën e përcjell me një qasje praktike për individë që duan të ndryshojnë realitetin duke nisur nga vetja e tyre… Mimoza beson se individi shqiptar sot ka nevojë të kthejë sytë nga veja për të prodhuar një mënyrë të re të të jetuarit kolektiv në harmoni dhe pozitivitet… Mimoza Thaçi ndan me ne historinë e saj dhe filozofinë mbi suksesin.
Ju flisni me zë të ulët, ndërsa jeni ndër të paktat gra shqiptare që drejtoni prej vitesh një biznes të suksesshëm në Maqedoni. Si ia dilni të menaxhoni 47 të punësuar pa e ngritur zërin?
Tani ia dal shumë lehtë, pasi kam mësuar se autoritetin nuk e vendos ashpërsia apo egërsia. Drejtoj prej 15 vitesh “Sun & Stars”, një zinxhir prej 18 shitoresh në Maqedoni, por vetëm 5 vitet e fundit e jetoj me lumturi suksesin. Më herët më jepte shumë tension, stres dhe mbingarkesë, aq sa pasurinë po e ndieja si mallkim. Kam menduar shumë herë të heq dorë duke fajësuar mentalitetin e shoqërisë sonë, mënyrën si (nuk)funksionon shteti dhe tregu, sidomos në këtë Ballkanin tonë… deri kur fillova të lexoj autorë që i thërrasin mendjes njerëzore për të jetuar me një filozofi tjetër jete, ku ngjarjet e njeriut përkufizohen brenda atij vetë me fuqinë e mendjes, të zemrës dhe të trupit. Kjo është ajo që njihet mirë në botë, por pak ndër shqiptarë, si Filozofia e Suksesit.
Ju po thoni se këto lexime ju kanë ndihmuar në biznes.
Absolutisht po! Sepse më kanë bërë të kuptoj se mjafton të kesh idetë e qarta, të besosh te vetja se mund të arrish t’i realizosh ato dhe të punosh me këmbëngulje derisa t’i arrish;
Pavarësisht rrethanave të jashtme të çfarëdo lloji, çdo njeri ka fuqi të ndërtojë të ardhmen e tij, siç ai e beson. Nuk ka nevojë të bërtasësh së jashtmi… Nëse je i qartë brenda vetes dhe ndërton me energji e besim projektin që ke në kokë, atëherë suksesi vjen dhe të bën të lumtur. Unë e kam nisur biznesin me borxhe, tani jam e pasur. E pasur nga gjendja ekonomike, por edhe shpirtërisht – jetoj e lumtur si bashkëshorte, si nënë e tre fëmijëve, si qenie njerëzore që kam fuqi të ndihmoj të tjerët rreth meje. Kjo është filozofia e suksesit që unë po ndaj me njerëzit e tjerë, të cilët e duan suksesin, por nuk gjejnë dot rrugën për t’ia arritur. Trajnimet që po mbaj, si ky 1 shkurtit në Tiranë, janë risi në Shqipëri e në krejt hapësirën shqiptare në përgjithësi, por janë vërtetuar si shumë të vlefshme nga përvoja botërore, kryesisht ajo amerikane. Njerëzit kanë nevojë të motivohen dhe të mësojnë se si ta bëjnë këtë, për të arritur suksesin që duan, duke ndërtuar një mekanizëm të brendshëm përjetimi dhe të menduari. “Unë jam fuqia” quhet Klubi që unë kam ngritur dhe që është përqafuar nga shumë njerëz, të cilët mësojnë aty një rrugë të re për të jetuar me zemër plot e mendje të kthjellët e natyrisht për të arritur sukses.
Nuk ju tremb fakti se jeni nismëtare e trajnimeve motivuese për shqiptarët, duke ditur problemet ekonomike e sociale që vuajmë? Njerëzit kanë nevojë për punë, për të ardhura konkrete…
Pikërisht pse është kështu; kaq e vështirë të gjesh punë, të bësh një jetë normale dhe të mos biesh në dëshpërim, unë isha iniciatorja për ngritjen e këtij klubi dhe Trajnimet Motivuese si rruga e sigurt për të ndryshuar jetën duke nisur secili nga vetja. Shteti, shoqëria, ambienti përreth nuk janë në dorën tonë t’i ndryshojmë; nëse i kthejmë sytë nga vetja dhe arrijmë të ndryshojmë veten tonë, mund të ndryshojmë secili jetën e tij. Ne shqiptarët sidomos kemi shumë nevojë të mësojmë të mos merremi me gjithë botën dhe “fajin e tjetrit”, por të ndërtojmë një raport të sinqertë me veten – duke e besuar atë që jemi dhe atë që duam të arrijmë. Dhe çdo njeri kërkon të arrijë suksesin në jetë. Unë po punoj fort për të sjellë literaturën e mirë në shqip, duke e vendosur në një rrafsh praktik, mbështetur në përvojën time personale. “Ligji i suksesit në 16 mësime” që tani po e përfundoj si përkthim, “Mposhtja e djallit” (energjisë negative brenda nesh) të autorit Napoleon Hill, që është botuar tashmë e shumë autorë të tjerë të afirmuar, janë pjesë e filozofisë së suksesit që po ndaj me njerëzit dhe jam e lumtur që është përqafuar me shumë entuziazëm nga shqiptarët, sidomos në Shqipëri.
Ju besoni se të mendosh pozitivisht mjafton për të jetuar mirë?
Unë besoj se secilit i ndodh ajo që ai beson se do t’i ndodhë. Energjia që secili ka, parashkruan fatin e tij; nëse njerëzit e kuptojnë këtë dhe mësojnë se si t’ia arrijnë që të kenë energji pozitive e të ruajnë me këmbëngulje besimin e mirë për të bërë gjërat që duan, ata e mbërrijnë suksesin. Zoti na ka falur jetën dhe na ka krijuar me mendje, shpirt e trup – mirënjohja për atë që kemi dhe harmonizimi i vetes, është rruga e suksesit që arrihet veçse me mendje të kthjellët, me besim dhe energji. Kështu ndërtohen njohjet e duhura dhe strategjia për të arritur suksesin. Unë jam fuqia – është zëri i lartë i secilit prej nesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura