INTERVISTA E PLOTE/ Mesila Doda: Legalizimi i prostitucionit, çmenduri epshore gjykatësish dhe politikanësh. Në PD të shqetësohemi për burrat, jo për gratë

May 4, 2015 | 10:30

Bionde, me sy të kaltër, e gjatë, tipike feminile. Ngjan e qetë dhe toni i ulët gjatë bisedës tregon vetëpërmbajtje, aq sa duket fort e urtë. Por vetëm sa duket… dhe kjo është deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, teksa ende nuk është provokuar me pyetje për familjen, fëmijët dhe gratë. Për këto kauza është kollaj ta mërzisësh, ta bezdisësh, ta acarosh etj. ta bësh të dalë nga qetësia e vetes, por nuk e mund dot. 

Mesila Doda

Nuk bëhet fjalë se fiton kush ka më shumë argumente, por sepse ajo e ka natyrale besimin në forcën e familjes, në forcën e gruas, aq sa edhe atëherë kur nuk ka të drejtë, ta imponon të drejtën. Një tradicionale që pranon dhe lufton për modernizimin e shoqërisë, por paralelisht lobon për shmangien e kurtheve, që vijnë nga ajo vija e hollë që ndajnë trend-et nga banaliteti, vulgariteti e shthurja, që zakonisht gjenerojnë viktimizime të femrave. Dhe legalizimi i prostitucionit është një fenomen i tillë për Mesila Dodën. E zgjedhur kryetare e Aleancës së Grave Deputete, ajo ngre zërin kundër ligjërimit të shërbimeve seksuale me pagesë, pas lajmit se Gjykata e Lartë ia ka kërkuar legalizimin Kushtetueses, ku thuhet se palët e interesuara janë Qeveria dhe Kuvendi. Një ligj që po kalon në heshtje dhe shpejt, ndryshe nga hapja e dosjeve apo dekriminalizimi i politikës… “Këto marritë me prostituta e hashash janë si ëndrra opiumi, por e vërteta është që realitetet ezoterike nuk japin bukë, as punë, e as zhvillim. Sjellin vetëm shkatërrim dhe varfëri në një komb”, thotë Mesila Doda, teksa flet për “Panorama”. Një intervistë që ka në fokus gratë, por u tregon edhe vendin burrave… atyre të PD-së, forcës së saj politike!

Jeni kryetare e Aleancës së Grave Deputete (AGD). A është vërtet e mundur të bësh aleancë mes kundërshtareve politike, duke marrë parasysh që edhe partitë kanë gjykimet, vendimet dhe pse jo, edhe presionet e veta, për çështje të caktuara? 
Sigurisht që nuk kemi shuar dallimet politike mes nesh, por kemi vendosur të bashkëpunojmë, pavarësisht ndryshimeve, për çështje që i takojnë gruas, rolit të saj në Shqipëri dhe problemeve që ajo ka sot dhe që janë problematika të thella e diskriminuese. Është një pozitë aspak e favorshme dhe që ka rrënjë të ngulura thellë në mentalitetin paternalist të shoqërisë sonë, mentalitet që shpesh e kthen gruan në viktimën e dhunës që shoqëria jonë bart dhe rrit brenda vetes, fenomen nga i cili ne jo vetëm që nuk po shpëtojmë, por po vazhdojmë të zhytemi përditë e më thellë. 
A ka pasur raste kur gratë kanë zgjedhur vendimet e AGDsë, përpara vendimeve të partive politike ku bëjnë pjesë? 
Ka pasur raste të tilla, më tepër në momentet e një klime të acaruar politike, kur zonjat kanë vendosur të ulen dhe të ndërmarrin aksione të përbashkëta, pavarësisht “këshillave” miqësore për t’iu larguar një bashkëpunimi të tillë. Edhe për këtë arsye, unë besoj shumë më tepër te gratë në politikë sesa te burrat, thënë ndryshe do t’i ftoja burrat politikanë të arrinin ta mbanin fjalën si gratë. 
Çfarë ka “plus” ky Kuvend me Aleancën e Grave Deputete, në krahasim me vitet kur nuk ka pasur?
Pra çfarë ndryshimesh ka sjellë kjo Aleancë në Kuvend? Unë besoj se ka sjellë diçka të re dhe jo vetëm në Kuvend, por ka pasur një rezonancë të mirë në gjithë shoqërinë shqiptare. Lobimi i përbashkët i grave ka bërë të mundur ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe rritjen e pjesëmarrjes së gruas në politikë si kurrë më parë. Bashkëpunimi mes grave shqiptare në hapësirën mbarëkombëtare po krijon institucionin e seancave të përbashkëta të Parlamentit Kombëtar të Gruas Shqiptare. Ju e dini që kur gratë bashkohen, nuk ka asnjë mundësi që burrat të rrinë të ndarë, ndaj le të jetë ky një model bashkimi i paqtë dhe real mes nesh. 
A do të kishte ndryshime pozitive sikur të krijohej edhe “Aleanca e Burrave Deputetë”? 
Burrat e kanë aleancën mes tyre qysh kur lindin… ne thjesht po ndjekim shembullin e tyre, veçse kemi vendosur ta shpallim bashkëpunimin në dritën e diellit dhe ta përdorim këtë qasje të përbashkët jo për klientelizëm, jo për korrupsion, siç bëjnë shpesh “të plotfuqishmit”, por në dobi të grave dhe vajzave të tjera. Të mos harrojmë se institucionet janë ngritur sipas modelit të pushtetit dhe fuqisë së burrave. Parlamenti, qeveria, gjithë postet ekselente janë ndërtuar nga burrat për burrat…do na duhet një përpjekje e jashtëzakonshme ta sjellim në dimensionin tonë, me qëllim që t’i shërbejnë gjithë popullsisë dhe jo vetëm gjysmës së saj, apo thënë më shkoqur as gjysmës burrërore, por thjesht një grushti njerëzish që bëjnë pjesë në klientelën e liderëve të radhës. 
U premtua për rritje kuote të grave në vendimmarrje lokale. Në këshillat bashkiakë mund të themi që është marrë seriozisht kandidimi i gruas, por jo në krye të bashkive. Për hir të së vërtetës, PD është më dobët sesa PS sa u përket numrit të kandidateve femra për kryebashkiake. Kjo dobësi vjen se i mungojnë femrat PD-së, u mungon dëshira, mungon iniciativa e vetë grave… apo çfarë tjetër, si mund ta shpjegoni? 
Për praninë apo mungesën e grave në të djathtë, besoj se është shqetësimi i fundit që duhet të keni… Ka zonja të nderuara, me karizëm, dinjitet, kurajë, histori politike, interesa dhe aspiratë, të denja edhe për lidere, djathtas duhet të shqetësohemi më shumë për burrat se për gratë. Për sa i përket pranisë së grave në këshillat bashkiakë që unë parapëlqej t’i konceptoj si parlamentet vendore, për shkak të rëndësisë që marrin me hartën e re elektorale, jo vetëm janë marrë seriozisht, por falë një lobimi të paprecedentë nga gjithë gratë parlamentare anëtare të AGD, u shndërrua në një kërkesë të ligjit prania prej 50% e grave në listat e këshilltarëve bashkiakë dhe prania 1 në 2 emra të gjinive të ndryshme. Kandidatet për kryebashkiake janë 12 në gjithë territorin, pra 20% në gjithë vendin, kur ne si AGD kishim kërkuar 20% përfaqësim nga çdo koalicion pjesëmarrës. Thënë ndryshe, kemi mbërritur me këtë sensibilizim që kemi kryer, të arrijmë në gjysmën e punës. Pjesa tjetër është sfidë. Për sa i përket të djathtës ka më pak në numër, por ka kandidate gra në dy qytete shumë të mëdha, ndaj dhe kjo është për t’u konsideruar. 
Në cilën bashki ku ka kandidate femra e shihni më interesante garën? 
Personalisht, garën e Shkodrës e konsideroj tejet interesante, sepse për herë të parë do të kemi mundësi të shohim dy zonja në një garë, dhe shpresoj e lus me gjithë zemër që të sjellin një model europian e modern të fushatës elektorale dhe procesit zgjedhor, dhe të bëhen model lider në rang vendi për sjelljen e denjë dhe larg dhunës e gjuhës së drunjtë, që aq shumë po i lodhin shqiptarët përgjatë një tranzicioni pa mbarim. 
Ka një fenomen që më ka bërë përshtypje ndër vite. Sa herë vjen fushata, politikanët ekspozojnë gratë. Sa mbaron, nuk duken më për 4 vjet, kthehen në anonimat ashtu siç edhe ishin më parë… A mund të themi se kemi të bëjmë me një përdorim politik të grave në këtë rast, apo thjesht “jetë private”, apo… çfarë tjetër? 
Interesante si vërejtje, por më duket normale se zonjat mund dhe duhet të jenë pjesë e fushatave elektorale të bashkëshortëve të tyre, ashtu siç edhe e anasjellta, duhet të jetë normale. Nuk besoj se është përdorim, besoj se është pjesë e një imazhi personal dhe familjar që kandidatët zgjedhin ta paraqesin apo jo në publik. Jo çdo gjë burrat e bëjnë keq… vetëm pjesën më të madhe. 
Dhuna ndaj grave po shndërrohet në krim jete, pra vrasjet e femrave janë shtuar. Madje edhe mënyrat e vrasjeve janë bërë edhe më makabre. Si e shpjegoni këtë tendencë, pavarësisht iniciativave që janë marrë për mbrojtjen e gruas? 
Ky nuk është një fenomen vetëm shqiptar, pa frikë mund ta quajmë një fenomen global. Kjo situatë vjen nga mentaliteti i shoqërisë njerëzore dhe veçanërisht ai i shoqërisë sonë, kushtet ekonomike e sociale, historia personale e individëve dhe prezenca e dhunës qysh në fëmijëri, dhe veçanërisht indiferenca e institucioneve që janë kaq sipërfaqësore, kur duhet të merren me këtë problem… 
Ku çalojnë politikat për mbrojtjen e gruas nga dhuna dhe si mund të marrë lehtësim, pse jo edhe zgjidhje, ky problem? 
Së pari, mekanizmi i referimit të dhunës është diçka për të cilën flitet shumë, por bëhet pak. Kjo do të thotë që e gjithë shoqëria duhet të ketë një nivel tjetër alarmi për rastet e shfaqura apo të fshehura të dhunës, mësuesi, mjeku, fqinja, pa dyshim në radhë të parë punonjësi i policisë dhe punonjësi social, por edhe organet e pushtetit lokal e ministria e linjës; të gjitha janë hallka që duhet të kuptojnë dhe të veprojnë si një entitet, sepse përballë tyre konsumohet një krim kundër një jete njerëzore. Nuk është një çështje familjare, nuk është një intimitet që duhet të konsumohet në heshtje… Ky është mentaliteti, ky është muri që ne duhet të thyejmë dhe të kuptojmë që kjo është çështje jetike, është emergjencë kombëtare. Më pas duhet të mendojmë se si të integrohen sa më mirë në shoqëri gratë e dhunuara dhe fëmijët e tyre. Kjo duhet të jetë pjesë e iniciativave të ardhshme të AGD-së. Strehim social, prevedencë në punësim për to, ndihmë ekonomike dhe sociale për t’i rifutur në jetë. 

Së fundmi, Gjykata e Lartë i ka kërkuar Kushtetueses legalizimin e prostitucionit, ku thuhet se palët e interesuara janë Qeveria dhe Kuvendi. Ju si deputete e këtij Kuvendi që është i interesuar, jeni pro apo kundër dhe pse?

Po, në fakt i zgjidhën gjithë hallet e burrave e grave, pleqve e fëmijëve dhe u ngeli kjo marria e fundit pa u zgjidhur. Jam krejtësisht kundër një marrëzie të tillë, si një proces që zhduk dhe heq çdo gjurmë dinjiteti të grave që janë të detyruara të poshtërohen dhe të shesin veten. Nga ana tjetër, më duket çmenduri që një institucion si Gjykata e Lartë, së cilës i flenë mijëra çështje në sirtarë, shqetësohet kaq shumë, sa merr një nismë të tillë për lejimin e prostitucionit, por ende nuk ka kërkuar nga Kushtetuesja e nuk ka thënë një fjalë as në këndvështrimin moral, se cila është e drejta e jetës për fëmijët e palindur. Një ushtri e tërë bebesh që nuk arrijnë të vijnë në jetë, sepse shfarosen çdo vit, por në realitetin tonë askush nuk flet për to.

Pse mendoni se ndodh kështu?

Në fakt është më fitimprurëse të dalësh pro fenomeneve të modës e të shthurjes sociale, sepse pa dyshim sjellin më shumë fonde dhe vëmendje, por kjo i kalon edhe kufijtë e klientelizmit, është si një nakatosje epshesh pranverore e parfumesh të parave të pista që hyjnë e dalin në xhepat e kushedi se kujt. Ju them unë një nismë kryekëput të ndryshme me këtë çmenduri epshore burrash, gjykatës e politikanë, të marrim përsipër një iniciativë dhe të mbështesim familjen, në mënyrë të veçantë ardhjen në jetë të fëmijës së tretë. Pra, të vendosin pension të veçantë për fëmijën e tretë, ulje të taksave dhe mbulim të shpenzimeve për shkollim. Këtë bën një shtet dhe shoqëri e emancipuar dhe këtë mbështetje për familjen do duhet të sjellim, veçanërisht ne gratë në Parlament.

Pavarësisht deklarimeve tuaja kundër legalizimit të prostitucionit, Gjermania ka arritur të mbledhë 21 miliardë euro taksa, duke u kthyer kështu në biznes fitimprurës për shtetin. Pse të mos funksionojë kështu edhe Shqipëria, duke ditur që kemi nivele të larta borxhi, borxh alarmant madje? 
Ju lutem, e sqarova këndvështrimin tim për këtë çështje. Të rishohin politikat fiskale që i çakërdisën, të ndihmojnë bujqësinë, turizmin dhe mjedisin dhe të heqin krimin, klientelizmin e paaftësinë nga drejtimi shtetëror. Këto bën një klasë politike e përgjegjshme për të shëndoshur financat. Këto marritë me prostituta e hashash janë si ëndrra opiumi, por e vërteta është që realitetet ezoterikë nuk japin bukë, as punë, e as zhvillim. Sjellin vetëm shkatërrim dhe varfëri në një komb. Ka vetëm një ndryshim që mund të bëjmë për këtë çështje, të ndihmojmë gratë që janë viktimë e trafikimit të keqbërësve që të dalin sa më shpejt nga xhiroja e trafikut dhe të jenë sa më të mbrojtura. Kjo është diçka ku mund dhe duhet të ndërhyrë edhe në ligj, sepse nuk mund të jetë e barabartë viktima me keqbërësin. Pjesa tjetër është jashtë çdo logjike! 
Elsa Ballauri, në një intervistë është shprehur se Shqipëria është gati për legalizimin e prostitucionit. “Në fillim do të ketë debate, një pjesë e madhe edhe do ta kundërshtojnë, por me kalimin e kohës të gjithë do ta pranojnë dhe do të kuptojnë se legalizimi i prostitucionit dhe vendosja e tij brenda një kuadri ligjor i bën mirë moralit të të gjithëve”, është shprehur tekstualisht Ballauri. Ju si mendoni, çfarë ndikimi ka te morali? 
Elsën e kam mike, por kam këndvështrim krejt të kundërt nga ajo… Ju kërkoni që shoqëria të mbrojë me ligj çmimin e një gruaje, të pranojë shthurjen si kriter morali dhe kjo të pranohet si normalitet?! 
A i bëjnë mirë moralit edhe pranimi i homoseksualëve në shoqëri, pse jo edhe me martesë? 
Martesa është vetëm ajo që rrjedh nga bashkimi i një gruaje dhe një burri. Një lidhje që qysh në krijim, bart potencialin për t’u shtuar dhe shumuar, ashtu si Zoti deshi për njerëzimin. Shteti ka detyrimin të mbrojë dhe të ruajë këtë lidhje. Bashkimet seksuale të llojeve të ndryshme, mund të quhen çdo gjë tjetër, por jo martesa. 
Vihet re një joshje e publikut ndaj lajmeve rozë dhe fotografive intime të femrave, sidomos në gazetarinë e ueb-it. Mendoni se janë mediat që krijojnë një gazetari rozë apo publiku i dëshiron (dhe i detyron) mediat që të bëhen rozë? 
Besoj se është e dykahshme. Përdorimi i joshjes edhe në ato lajme që nuk kanë asnjë lidhje me rubrikat rozë, është një tendencë e marketingut që ka kuptuar tërheqjen e publikut, veçanërisht mashkullor, ndaj imazheve sex appeal. Do të duhet mjaft kohë dhe edukim që të bëhet një shkëputje kulturore nga ky perceptim, dhe tek e fundit ndonjë dëm i madh nuk është…gruaja është edhe joshje… Nëse pa dashje ia heqim këtë lloj sharmi, rrezikojmë ta burrërojmë. E rëndësishme është të mos e keqpërdorim. 
Përgjithësisht edhe në shumicën e teksteve të këngëve të sotme, meshkujt cilësohen si bosa dhe femrat si mall. A është vërtet kështu edhe në vitin 2015? 
Më kujtohet që kur fillova të bëj një talk-shou në TV Koha rreth vitit 2004, e nisa me një emision që titullohej “Hirushet moderne”. Princi i kaltër ishte çuni i fortë i lagjes, në ndryshim me vajzat e para ’90-s, që shihnin si personin e zemrës djalin e shkolluar e të edukuar. Çështje stereotipesh besoj… që nuk ndryshojnë gjithmonë për mirë. Por unë vazhdoj të mendoj se princi i kaltër nuk ka ndërruar profesion e as ngjyrë…

Elisabeta Ilnica 

© Panorama.al

Te lidhura