Me SHBA apo kundër, kjo është çështja

Sep 18, 2021 | 9:30
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

Prec-ZogajSiç kishte paralajmëruar, Sali Berisha nisi të premten me një takim në “Rogner” aksionin e tij të kthimit të sovranitetit në PD, siç e ka quajtur. Aksion, i cili synon në thelb anulimin e vendimit të përjashtimit të tij nga Grupi Parlamentar i PD-së nëpërmjet largimit të Bashës nga kreu i partisë, zëvendësimin e tij me një tjetër ose nga vetë Berisha, që nuk e ka përjashtuar një rikthim të tijin në garën për karrigen partiake që ka lënë para tetë vjetësh.

Në këtë përpjekje ku po thonë fjalën e tyre zëra publikë të njohur brenda e rreth PD-së, bie në sy se diskutimet e prekin tangent ose e shmangin sistematikisht ngjarjen-mëmë që ka prodhuar vendimin e Bashës, për rrjedhim përplasjen e tij me Berishën: Ngjarja-mëmë është kërkesa e natyrës ultimative e SHBA për largimin e Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së. Diskutimet po kapen e po përqendrohen tek ato që po gjykohen si gabime të Bashës përgjatë dy mandateve të drejtimit të Partisë Demokratike nga ana e tij.

Përmenden ngritja e çadrës para Kryeministrisë në shkurt të vitit 2017, marrëveshja me Ramën për hyrjen në zgjedhjet e atij viti, lista e kandidatëve për deputetë të PD-së në ato zgjedhje, djegia e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve vendore, rikandidimi pa dhënë dorëheqjen dhe rizgjedhja e tij në krye të PD-së pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në një proces të përshpejtuar që nuk la kohë të mjaftueshme për kandidaturat rivale. Së fundi, vendimi i tij individual për largimin e Berishës që konsiderohet shkelje e statutit të partisë.

Në të gjitha këto “stacione” ku ka kaluar karriera e deritanishme e Lulzim Bashës si kryetar partie ka pasur vendime e qëndrime të debatueshme, madje edhe të gabuara. Një pjesë e tyre janë debatuar gjatë dhe me nerv, një pjesë tjetër janë mbështetur pothuajse unanimisht nga forumet partiake dhe figurat politike intelektuale në parti e rreth partisë. Për të nderuar të vërtetën, duhet të themi se marrëveshja për hyrjen në zgjedhjet e vitit 2017 ka qenë një draft i përgatitur nga i dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit në atë kohë ku kishte një fusnotë domethënëse: Refuzimi i një pikë të draftit do të konsiderohet nga ne si refuzim i gjithë draftit.

Basha dhe Rama ishin ftuar ta pranonin ose ta refuzonin en blok. Pasi kishte refuzuar një projekt të përafërt të gjermanit McAlister, Basha e pati pranuar draftin amerikan, të cilit ndërsa nuk mund t’i hiqte asnjë pikë, i shtoi disa pika në takimin e orëve të vona me Ramën, ku u vendos edhe shtyrja e zgjedhjeve me një javë. Një debat i strukturuar dhe gjithëpërfshirës mund të ishte bërë e duhej të ishte bërë në kohë reale kur kanë ndodhur ngjarjet e lartpërmendura. Kjo nuk do të thotë se debatet dhe kritikat kanë munguar. Përkundrazi.

Sidomos pas zgjedhjeve të 25 prillit, por edhe më parë, rivalët e Bashës, kundërshtarët dhe kritikët e tij të shumtë në parti, zëra publikë me peshë brenda dhe rreth PD-së i kanë thënë të gjitha. Kjo nuk do të thotë gjithashtu që këto çështje të mos debatohen përsëri në funksion të transparencës dhe reflektimit për të ardhmen. Mungesa e reflektimit është mungesë e vullnetit për t’u korrigjuar, thotë Adam Mihnik. Mua personalisht më vjen veç mirë kur shoh se njerëz që kanë nxitur fuqishëm me deklarata e thirrje publike djegien e mandateve menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2017 e në vijimësi, që e kanë konsideruar vendim historik dhe fitore të madhe të PD-së djegien e tyre ditën kur vendimi u mor, që kanë ngulmuar për bojkotimin e zgjedhjeve vendore me argumentin se nuk mund të garojmë për mandate të vogla pasi kemi djegur të mëdhatë, sot po i konsiderojnë të gabuara këto vendime.

Personalisht, si ish-kandidat për deputet i PD-së në Qarkun e Lezhës, por edhe si një person publik, i kam kërkuar me një letër kryetarit Basha të evitonte djegien e mandateve. Po ashtu, kam qenë publikisht kundër bojkotimit të zgjedhjeve vendore. Nuk më jep asnjë lloj gëzimi, nuk reklamoj asnjë lloj profecie, madje më ka lënë të trishtuar fakti që më kanë dalë fjalët, siç thuhet. Për PD do të kishte qenë më mirë që djegia dhe bojkoti të kishin pasur sukses. Nga ana tjetër i qëndroj parimit se ka gjithnjë arsye grupi apo individi që merr një vendim që ty nuk të bind.

Ka arsye për të djegur mandatet e bojkotuar zgjedhjet në një vend ku qeverisja shndërrohet në regjim, si kjo e Edi Ramës. Por vendimet peshohen politikisht në një kontekst me të gjerë se raportet opozitë-qeveri në momentin e dhënë, marrin në konsideratë disa vlera të paprekshme të familjes së kombeve të lira ku bëjmë pjesë dhe sigurisht llogarisin qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë. Djegia e mandateve është një vendim kolegjial deri përtej partive të opozitës, që përfshin qytetarë e zëra publikë ndaj të cilëve lideri nuk është indiferent.

Pavarësisht se ky e merr vendimin. Kur nuk i ndaluam kur po ndodhnin këto akte, por në të kundërtën i nxitëm dhe i brohoritëm masivisht, sot, pas pilafit, nuk na ka hije të bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu. Askush nuk ka të drejtë të deklarohet dorëjashtë. Kjo është burracakëri. Të gjithë mund të kishim bërë më shumë. Nuk na shkon edhe për një arsye tjetër që na e thotë Rajmond Aron. Gjykimi i gabimeve duke u nisur nga pasojat, të çon në padrejtësi të rënda. Kjo është një frazë e hollë nga ato të pasurisë mendore, mbi të cilën lulëzon etika dhe civilizimi perëndimor, që duhet të jetë busulla jonë. Duhet të jemi më gjakftohtë e më autokritikë që nuk kemi mundur ta ndalim gabimin në ngjizje.

Duhet të jemi më reflektivë e më të përmbajtur në gjykime gjithashtu. Temat e gabimeve, e respektimit të statutit, e hapjes e të tjera janë të rëndësishme, por ngjarja që ka provokuar gjithë këtë që po ndodh sot në PD, është tjetër, është mbi to. Basha as nuk do ta çonte nëpër mend përjashtimin e Berishës, as do ta pengonte Berishën të kandidonte sa herë të dëshironte në pjesën fituese të listave të PD-së nëse nuk do të kishte ndodhur shpallja e tij non gratta dhe nëse amerikanët nuk do ta kishin paralajmëruar qartë e prerë se PD do të izolohej e do të trajtohej si antiamerikane nëse Basha nuk e largonte nga grupi.

Vetë Berisha, nga ana tjetër, nuk do ta hapte kurrë thesin kundër të përzgjedhurit të tij në krye të PD-së dhe do të vazhdonte t’i linte të zhgënjyer të pakënaqurit me Bashën me qëndrimet e tij, nëse ky i fundit nuk do të merrte vendimin që mori.  Kush nuk ka dijeni për ngjarjet e pas zgjedhjeve të 25 prillit që kanë përcaktuar zhvillimet e reja brenda PD-së dhe dëgjon çfarë po thuhet aty nga njëri dhe tjetri, krijon përshtypjen se dikush, një i marrë, ka marrë guximin të përjashtojë ish-kryetarin historik të PDsë për mendim ndryshe a diçka të tillë. Nuk është kështu, e dinë të gjithë se nuk është kështu.

Çdo njeri mund të zgjedhë të fshehë kokën si struci. Por kjo nuk e zhduk të vërtetën. Le të ndjekë Berisha rrugën e kontestimit të vendimit. Është e drejta e tij. Kushdo që e mbështet është në të drejtën e vet gjithashtu. Por ndershmëria si raport më të vërtetën kërkon të mos ambalazhohet me çështje të tjera, çështja e freskët, çështja kryesore, por të flitet hapur për të, veçanërisht tani kur s’ka hapësirë për lojëra fjalësh. Çështja kryesore përkthehet sot në formën e pyetjes për çdo demokrat, për çdo të zgjedhur në këtë parti, për Berishën gjithashtu. A mund të fitojë PD me SHBA kundër? Unë kam dhënë përgjigjen time dhe e përsëris: Jo. Me SHBA përkrah, po. Natyrisht, edhe me mbështetje fitorja nuk dhurohet. Ajo meritohet në arenë me mençuri e me talent. Mbështetja amerikane është një premisë e fuqishme për të fituar.

Përvoja e këtyre tridhjetë viteve në Shqipëri u jep mbështetje me prova, nga zgjedhjet në zgjedhje, këtyre pohimeve. Berisha dhe PD u larguan nga pushteti në mënyrë dramatike në vitin 1997 në kontekstin e një qëndrimi shumë kritik të SHBA për zgjedhjet e vitit 1996 dhe të mbështetjes që mori në Uashington grupimi opozitar i asaj kohe me Servet Pëllumbin në krye. PD përjetoi një periudhë jo të shkurtër ftohjeje me SHBA dhe përfaqësuesit të saj në Tiranë. Rikthimi i saj në pushtet me kryetar Berishën në vitin 2005 ndodhi në klimën e re të përafrimit me SHBA dhe “bekimit” të ri amerikan për t’u kthyer me një mendje tjetër, më të hapur se më parë. Amerikanët nuk u mbajnë dorën votuesve dhe as marrin anë hapur në zgjedhje.

Por me qëndrimet që mbajnë, ushqejnë perceptime dhe vlerësime të sakta në publik, që përkthehen si vota që bëjnë diferencën. Në Shqipëri nuk ka asnjë shans, për asnjë parti të fitojë me SHBA kundër. Unë dua të përsëris se shkoj më larg: Nuk duhet të fitojë. Lidershipi i ndriçuar duhet të investojë mirënjohjen për shërbimet e jashtëzakonshme që SHBA i ka bërë Shqipërisë dhe kombit shqiptar. Kush ka mendime të kundërta, është mirë t’i thotë hapur, troç: “Basha e përjashtoi Berishën, unë nuk do ta përjashtoja. Basha duhet të largohet nga drejtimi i partisë për këtë që bëri. Ne mund ta mundim PS-në e Ramës me SHBA kundër”.

SADO UTOPIKE, KJO ËSHTË E NDERSHME TË THUHET

Berisha ka mbështetës. Basha gjithashtu ka mbështetësit e tij në radhët e anëtarësisë dhe forumeve. Duke qenë në rolin e kryetarit që i ka dalë zot personalisht aktit të vështirë të përjashtimit të Berishës, Basha nuk ka marrë ndonjë veprim për të ekspozuar mbështetjen dhe mbështetësit e tij. Me sa shihet, nuk ka ndërmend ta bëjë ketë. Dhe mirë po bën sipas mendimit tim. Pala që bën aktin, ka pritjen. Në rastin e përjashtimit të Berishës duket qartë se Basha ka edhe ngarkesën emocionale të plëngprishjes së imponuar nga rrethana specifike tashmë të njohura.

Përplasja e tyre nuk ka precedent as në Shqipëri, as në Europë, sa i takon arsyes që e ka shkaktuar. Në fund të herës, nëse përplasja që ka nisur nuk do të moderohet e kanalizohet në një drejtim të ri, por do të çohet deri në fund, zgjedhja për t’u bërë, përtej lojës së fjalëve, mbetet të jetë kjo: me SHBA apo kundër SHBA? Dhe këtu nuk kemi parasysh një SHBA abstrakte, për të cilën të gjithë mund të thonë se jemi të lidhur ngushtë, por një SHBA të institucioneve të saj, një SHBA të politikës së saj në favor të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, një SHBA të urdhrit ekzekutiv të Presidentit Biden që synon vendosjen e ndëshkueshmërisë në shkallë të gjerë në sferat e larta dhe në vektorët e krimit në Shqipëri. Kjo dilemë ndarëse nuk ka e nuk duhet të ketë vend në asnjë parti shqiptare. Ndaj duhet shmangur.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura